Numri i turistëve nëpër botë rritet me 7%, Spanja kalon ShBA-në

2018-01-17 11:34:56 CRI Komenti juaj Printoni

Numri i turistëve në botë është rritur me shtatë për qind në vitin 2017, duke shënuar rritjen më të madhe në shtatë vjet, njoftoi të hënën Organizata Botërore e Turizmit (OBT).

Europa, në mënyrë të veçantë është kontinenti që tërheq më shumë vizitorë (plus tetë për qind). Vetëm Europa, ku organizata ka përfshirë dhe Turqinë, ka pritur rreth gjysmën e turistëve, rreth 671 milionë.

OBT-ja ia atribuon këtë dinamizëm rimëkëmbjes ekonomike botërore, që i ka nxitur turistët perëndimorë ashtu dhe ata të vendeve në zhvillim të udhëtojnë më shumë.

Brazilianët dhe rusët kanë rritur shpenzimet e tyre në këtë fushë, pas disa vjetësh rënieje.

"Kjo ka ndodhur nga rimëkëmbja ekonomike në nivel botëror dhe rritja e numrit të turistëve tradicionalë dhe atyre të rinj", thekson organizata, ndërsa shton se "që prej vitit 2010, ritmi i rritjes vjetore ka qenë katër për qind".

Numri i vizitorëve që kanë kaluar të paktën një natë në një vend ka arritur në 1.3 miliardë.

"Të dhënat tregojnë se Franca ka mbetur destinacioni i parë botëror i turizmit edhe në vitin 2017," thotë John Kester, drejtor i Statistikave, Prirjeve dhe Politikave i Organizatës Botërore të Turizmit, që gjithashtu nënvizon se të dhënat përfundimtare do të publikohen në pranverë.

"Prirja është qartësisht pozitive pas dy viteve në rënie. Ne prisnim që Spanja do të bëhet destinacioni i dytë botëror duke kaluar Shtete e Bashkuara", theksoi sekretari i përgjithshëm i OBT-së, Zurab Pololikashvili.

"Në Amerikën e Veriut, rezultatet e mira nga Meksika dhe Kanadaja bëjnë kontrast me rënien e ShBA-së, që ka qenë destinacioni kryesor i rajonit", theksoi OBT-ja në një komunikatë.

OBT-ja e vuri theksin tek rezultatet e mira që kanë regjistruar në Afrikë ku numri i turistëve është rritur me tetë për qind dhe në Lindjen e Mesme me pesë për qind. Të dhënat tregojnë gjithashtu rimëkëmbjen e turizmit në Egjipt, Turqi dhe Tunizi, pas një rënieje të ndjeshme për shkak të atentateve terroriste.

Rajoni i Azi Paqësorit ka njohur rritje të numrit të vizitorëve me gjashtë për qind, ndërkohë që ShBA-ja ka regjistruar rritjen më të ulët, pavarësisht shenjave të qarta të rimëkëmbjes në Amerikën Qendrore dhe në Karaibe pas kalimit të cikloneve Irma dhe Maria.

Për vitin 2018, Organizata Botërore e Turizmit, pret një rritje prej katër deri në pesë për qind të numrit të turistëve nëpër botë.

Në Kinë:

Qendra për Kinën dhe Globalizimin dhe platforma turistike kineze Trip.com, publikuan së fundi raportin me karakteristikat e turistëve të huaj që vizitojnë Kinën. Raporti thekson moshën e re dhe jep destinacionet më të vizituara, si dhe të dhëna për shijimin e kulturës tradicionale. Raporti gjithashtu nënvizon se zhvillimi i turizmit në Kinë kufizohet nga vizat, marketingu turistik, gjuha, kultura, kostoja dhe mjedisi.

Qendra për Kinën dhe Globalizimin është një organizata më e madhe studimore jozyrtare, ndërsa platforma kineze Trip.com, është më e madhja në Kinë në fushën e turizmit. Tani Trip.com ofron shërbime në mbi 13 gjuhë.

Raporti titullohet "Nxitja e zhvillimit të shpejtë të turizmit të të huajve në Kinë". Sipas tij, turistët e huaj që vizitojnë Kinën janë zakonisht të moshës 36 deri 55 vjeç dhe kanë një punë të qëndrueshme. Ndërsa mosha e turistëve të huaj që të shkojnë në Kinë për herë të parë varijon nga 18 deri 35 vjeç.

Turistët nga Japonia, ShBA-ja, Koreja e Jugut dhe Australia përbëjnë shumicën e vizitorëve të huaj në Kinë. Amerikanët zënë 80% të turistëve të huaj që planifikojnë ta vizitojnë Kinën për herë të parë. Përveç këtyre, me zbatimin dhe zhvillimin e nismës "Një brez, një rrugë" vendet e përfshira në të po bëhen njëherësh edhe vende origjine të turistëve.

Lidhur me profesionin e vizitorëve, raporti, thotë se 30% janë biznesmenë. Pensionistët, studentët dhe njerëzit që nuk kanë angazhime pune po bëhen grupi i ri që planifikon të vizitojë Kinën për herë të parë. Numri i këtij grupi po rritet shpjet, thekson dokumenti.

Sipas raportit, shumë të huaj janë shprehur të kënaqur me transportin në Kinë. Sidomos hekurudha e shpejtësisë së lartë po kthehet në një zgjedhje të vizitorëve për të lëvizur brenda Kinës. Njëkohësisht, turistët e huaj vlerësuan lart sigurinë.

Një pikë e rëndësishme është ushqimi. Megjithëse kinezët mendojnë se ushqimet e tyre i tërheqin të huajt, në fakt, turistët e huaj nuk i pëlqejnë ushqimet kineze dhe kanë dhënë vlerësim të ulët për to. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore