Zhan Xugang

2017-11-30 11:18:31 CRI Komenti juaj Printoni






Më 28 nëntor ka nisur në Anaheim të Shteteve të Bashkuara Kampionati Botëror i Peshëngritjes për vitin 2017, që do të zgjasë deri më 5 dhjetor. Një ndër kampionët botërorë është edhe peshëngritësi kinez Zhan Xugang. Ai është fitues i një medaljeje të artë dhe një medaljeje të argjendtë në kampionatet botërore të peshëngritjes. Zhan Xugang-u po ashtu është fitues i dy medaljeve të arta olimpike, duke u bërë i pari peshëngritës kinez që ka fituar dy medalje olimpike radhas, pa përmendur triumfet që ka pasur në Lojërat Aziatike dhe kampionatet aziatike të peshëngritjes, si për të rinj, edhe për të rritur. 


Zhan Xugang-u ka lindur më 15 maj 1974 në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Duke qenë një fëmijë me trup të zhvilluar, ai nisi të merrej me peshëngritje që kur ishte 10 vjeç, në shkollën sportive të vendlindjes. Falë talentit, në moshën 13-vjeçare Zhan-i u bë pjesë e ekipit të peshëngritjes të Zhejiang-ut, duke thyer po atë vit rekordin kombëtar për të rinj.


Vullneti, pasioni dhe cilësitë fizike të Zhan Xugang-ut bënë që në vitin 1993, në moshën 19-vjeçare, ai të pranohej në ekipin kombëtar të të rinjve të Kinës. Po atë vit Zhan Xugang-u fitoi dy tituj kampion, një në kampionatin botëror të peshëngritjes për të rinj në Cheb të Republikës Çeke dhe një në kampionatin aziatik për të rinj, në peshën deri në 70 kg, duke u shpallur edhe "Peshëngritës i ri i dalluar i Azisë". Një vit më pas, në 1994, Zhan Xugang-u do të shpallej përsëri kampion bote për të rinj në Xhakartë të Indonezisë, duke thyer edhe rekord, si edhe do të merrte medaljen e artë në Lojërat Aziatike të mbajtura në Hiroshimë të Japonisë.

Në vitin 1995 Zhan Xugang-u u bë pjesë e ekipit kombëtar të të rriturve. Atë vit ai fitoi titullin kampion në kampionatin botëror të zhvilluar në atdheun e tij, Kinë, pikërisht në Guangzhou, si edhe në kampionatin aziatik të peshëngritjes në Busan të Koresë së Jugut. Kurse viti i mëpasshëm do të shënonte kulmin e karrierës së peshëngritësit kinez. Pas thyerjes së rekordit botëror në stilin e shkëputjes në peshën deri në 70 kilogramë në Kampionatin Aziatik të Peshëngritjes, do të vinte radha e Olimpiadës së Atlantës, ku Zhan Xugang-u jo vetëm do të merrte medaljen e artë, por edhe do të thyente tre rekorde botërore në shtytje, shkëputje dhe dygarësh.


  Zhang Xugang, në Lojërat Olimpike të Atlantës, fitoi medaljen e tij të partë të artë olimpike.


 Edhe 1997-a do të ishte një vit medaljesh për Zhan Xugang-un. Ai fitoi medaljen e artë në Lojërat Kombëtare të Kinës të zhvilluara në Shangai, dhe në Lojërat e Azisë Lindore në Busan të Koresë së Jugut, si edhe mori medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, të organizuar në Chiang Mai të Tajlandës.

Në vitin 1998, pas përcaktimit të niveleve të reja të peshës nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes, Zhan Xugang-u kaloi nga kategoria deri në 70 kilogramë në kategorinë deri në 77 kilogramë, ose nga pesha e lehtë në peshën gjysmë të lehtë. Kjo do të thoshte ashpërsim i konkurrencës për të. Megjithatë, atë vit Zhan Xugang-u mori medaljen e artë në Lojërat Aziatike, në Bangkok të Tajlandës, kurse një vit më pas doli kampion në Kampionatin Aziatik të organizuar në Wuhan të Kinës, duke thyer rekordin botëror në stilin e shtytjes. Këtë sukses të fitimit të titullit kampion i Azisë do ta përsëriste edhe pas një viti në Osakë të Japonisë.

Por arritja më e madhe në këtë që mund të quhet fazë e dytë e karrierës së Zhan Xugang-ut, ishte në vitin 2000 në Lojërat Olimpike të Sidneit. Katër vjet më parë, në Olimpiadën e Atlantës, në peshën deri në 70 kilogramë, ai kishte fituar në të dy stilet, pa hasur shumë konkurrencë. Në Sidnei, tashmë më i madh në moshë dhe duke konkurruar në një kategori më të rëndë, sfida ishte më e vështirë. Dhe kështu në stilin e shtytjes ai doli i katërti, duke ngritur 160 kilogramë. Deri në provën e fundit në shkëputje, Zhan-i ishte 7.5 kilogramë pas rivalit të vet kryesor. Përsëritja e suksesit të Atlantës dukej një "mision i pamundur", por ja që Zhan Xugang-u ia doli, duke ngritur 207.5 kilogramë, rekord i tij vetjak, dhe me 365.5 kilogramë në dygarësh, u bë peshëngritësi i parë kinez që fitonte dy medalje të arta olimpike rresht.

Lojërat Olimpike të Sidneit mund të thuhet se ishin fundi de facto i karrierës sportive të Zhan Xugang-ut. Pas këtyre ai bëri një pushim pothuajse të plotë dyvjeçar, për të filluar më pas stërvitjen, me besimin se i kishte aftësitë dhe vullnetin për të arritur sukses edhe në një olimpiadë të tretë, e pikërisht në Olimpiadën e Athinës të vitit 2004. Por pak pas rifillimit të stërvitjes, peshëngritësi me trup të fuqishëm, që gjatë karrierës së vet 20-vjeçare pothuasje nuk e kishte njohur se ç'ishte dëmtimi me gjithë stërvitjen e rëndë e intensive, pësoi një lëndim në kyçin e këmbës. Dhe kështu dëmtimi, por edhe mosha, bënë që Zhan Xugang-u të mos e përsëriste për herë të tretë suksesin olimpik. Pas Athinës ai u tërhoq përfundimisht nga sporti, duke mbyllur kështu një karrierë të suksesshme. (Artan Goga)


Zhang Xugang fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Sidneit, 2000

Mrekulli
Lajmet Kryesore