Roy Emerson-i

2017-11-23 16:51:35 CRI Komenti juaj Printoni

Të premten ka filluar Kupa "Davis", që njihet edhe si Kupa e Botës në Tenis. Kupa "Davis" është veprimtaria më e vjetër ndërkombëtare për sa i përket tenisit të meshkujve, dhe ka filluar të organizohet në vitin 1900. Përballë njëri-tjetrit sivjet janë ekipet e Francës dhe të Belgjikës, ndërsa ekipet që e kanë bërë të tyrin më shpesh këtë trofe janë ShBA-ja, 32 herë, dhe Australia, 28. Ai që e ka fituar më shumë këtë trofe në përbërje të ekipit të vet, Australisë, është Roy Emerson-i. Emerson-i kontribuoi në fitoren e tetë Kupave "Davis" nga Australia në periudhën 1959-'67, me një rekord mahnitës 34 fitore e 4 humbje. Por rekordet e tij nuk mbarojnë këtu. Roy Emerson-i gjithashtu fitoi një numër rekord për tenistët meshkuj prej 28 titujsh të "Grand Slam"-it, gjatë dhjetë vjetëve kur ai vlerësohej si pothuajse i pamposhtshëm. Emerson-i ishte i pari që fitoi 12 tituj individualë në turnetë kryesorë, një rekord që zgjati 33 vjet, derisa u thye nga Pete Sampras në vitin 2000. Po ashtu Roy Emerson-i vazhdon të mbetet i vetmi tenist mashkull që ka fituar një të ashtuquajtur "Grand Slam të Karrierës", domethënë të katër turnetë kryesorë të tenisit, si në ndeshjet individuale, ashtu edhe ato dyshe. Ai është gjithashtu i vetmi tenist mashkull që i ka fituar të gjitha këto turne të paktën dy herë.

Roy Emerson-i ka lindur në një fermë në shtetin australian të Kuinslendit 81 vjet më parë. Që i vogël ai punonte në atë fermë, duke u marrë kryesisht me mjeljen e bagëtisë. Një gjë e tillë do t'i forconte kyçin e dorës dhe parakrahun, gjë që do të ishte një ndihmë e madhe kur ai luante tenis. E po ashtu ndihmë do të ishte edhe fakti që në fermë kishte edhe një fushë tenisi, ku Roy filloi gjithashtu të luajë që i vogël. Por ai ishte edhe shumë i shpejtë në vrapim, duke dalë edhe kampion i shkollës, dhe kjo shpejtësi gjithashtu do të ishte një ndihmë e madhe për të në fushën e tenisit.

Kur familja e Roy Emerson-it u zhvendos në Brisbanë, ai filloi një stërvitje më profesioniste, duke filluar të bëhej një ndër tenistët më të njohur të Australisë në atë kohë.

Roy Emerson-i do të bëhej i njohur në arenën ndërkombëtare në vitin 1959, kur ai fitoi për herë të parë një turne të "Grand Slam"-it, në ndeshjet dyshe në Uimbëlldon.

Ndërkohë, titullin e parë individual në një turne të "Grand Slam"-it Roy Emerson-i do ta fitonte dy vjet më pas, në atdheun e vet, në atë që njihej atëherë si Kampionati Australian, kurse sot si "Australian Open".

Këtë kampionat ai do ta fitonte edhe pesë herë të tjera, duke vendosur një tjetër rekord për thyerjen e te cilit u deshën 43 vjet. Ndërkohë Emerson-i bëri të vetët edhe gjashtë tituj të tjerë individualë.

Megjithatë, aty ku Roy Emerson-i ishte "mbret" i vërtetë ishin ndeshjet dyshe. Gjatë karrierës së vet Emerson-i luajti në 30 finale dyshe të "Grand Slam"-it, duke fituar në 16 prej tyre. Në çift me tenistë të ndryshëm, kryesisht australianë, ai fitoi gjashtë herë rresht në Kampionatin Francez (sot "French Open") (1960-65), katër herë "U.S. Nationals" (sot "U.S. Open") (1959, 1960, 1965-66) dhe nga tre herë Kampionatin Australian (1962, 1966, 1969) dhe "Uimbëlldonin" (1959, 1961, 1971).

Në autobiografinë e tij të vitit 1979, ish-tenisti amerikan Jack Kramer, që fitoi gjashtë turne të "Grand Slam"-it në ndeshjet dyshe, ka shkruar se Emerson-i ishte më i miri në botë në ndeshjet dyshe për sa u përket tenistëve bashkëkohorë.

Karriera e Roy Emerson-it është quajtur si një urë mes epokës së tenisit amator dhe atij profesionist. Në vitin 1968 Emersoni u bë një tenist profesionist. Gjithsej në karrierën e tij ai fitoi 103 tituj, 88 nga të cilat si tenist amator. Ndeshjen e fundit e luajti në vitin 1983.

Roy Emerson-i u rendit nëntë herë në "10 tenistët më të mirë të botës" në periudhën e viteve 1959-1967, duke mbajtur vendin e parë në vitin 1964 e 1965 dhe të dytin në 1961-1962 e 1967.

Në vitin 1982 ai u bë pjesë e Hollit Ndërkombëtar të Famës të Tenisit, ndërsa në 1986 e Hollit të Famës të Sportit të Australisë. Në vitin 2000, me motivacionin "konkurrent i mrekullueshëm dhe sportist i shquar", Roy Emerson-it iu dha "Medalja australiane e sporteve", kurse një vit më pas, për "shërbim ndaj shoqërisë australiane nëpërmjet sportit të tenisit", ai mori "Medaljen e mijëvjeçarit".

Ndërkohë, vitin e kaluar, për nder të Roy Emerson-it, u vendos edhe një statujë bronzi. "Jam shumë krenar dhe mirënjohës për këtë statujë," u shpreh Roy Emerson-i në ceremoninë e përurimit. "Është diçka që as nuk mund ta ëndërroja kur mblidhja bagëtinë këmbëzbathur shumë, shumë vjet më parë." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore