Bashkëpunimi Kinë-ShBA, potencial përfitimesh të mëdha

2017-11-14 16:38:36 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar, presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Donald Trump morën pjesë bashkërisht në ceremoninë e mbylljes të Dialogut të Sipërmarrësve Kinë-SHBA dhe ishin të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh në energjetikë, manifakturë, bujqësi etj.

Ministria e Tregtisë e Kinës bëri të ditur që gjatë vizitës së Trump-it në Kinë, vëllimi i përgjithshëm i kontratave të nënshkruara mes dy vendeve shënoi vlerën 253.5 miliardë dollarë amerikanë, që është nivel rekord jo vetëm në historinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, por edhe në mbarë botën. Lidhur me perspektivën e marrëdhënieve tregtare Kinë-SHBA, Xi Jinping u shpreh që ato kanë një potencial shumë të madh përfitimesh të ndërsjella.

Si dy ekonomitë më të mëdha të botës, bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe ShBA-së tërheq vëmendjen e mbarë botës. Liderët e të dy vendeve ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të 15 marrëveshjeve të bashkëpunimit, të cilat përfshijnë fusha si energjetika, manifaktura, bujqësia dhe aviacioni. Gjatë vizitës së Trump-it, të dyja palët kanë nënshkruar kontrata bashkëpunimi me vlerë prej 253.5 miliardë dollarësh, duke shënuar një nivel rekord. Kjo është vetëm një pjesë e lidhjeve tregtare mes Kinës dhe ShBA-së. Në vitin 2016, vëllimi i tregtisë së mallrave mes dy vendeve i kaloi 500 miliardë dollarët, 200 herë më shumë se në vitin 1979, kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike Kinë-SHBA.

Në ceremoninë e mbylljes së Dialogut të Sipërmarrësve Kinë-SHBA, z. Xi Jinping theksoi që bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe ShBA-së ka dëshmuar se ka një potencial shumë të madh për përfitime të ndërsjella.

"Si vendi më i madh në zhvillim dhe vendi i zhvilluar më i madh në botë, Kina dhe ShBA-ja kanë më shumë mundësi përplotësimi të njëra-tjetrës sesa konkurrence. Bashkëpunimi ekonomik Kinë-SHBA ka një hapësirë të madhe dhe ne jemi të gatshëm të shtojmë bashkëpunimin në importin e produkteve bujqësore dhe energjetike nga ShBA-ja e të thellojmë bashkëpunimin në tregtinë e shërbimeve. Ndërkohë, shpresojmë që ShBA-ja të shtojë eksportin e produkteve dhe teknologjisë civile. Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë kompanitë kineze të investojnë aktivisht në ShBA, duke mirëpritur kompanitë dhe institucionet financiare amerikane të marrin pjesë aktivisht në projektet e nismës 'Një brez, një rrugë'," tha Xi Jinping.

Xi Jinping theksoi përpara sipërmarrësve amerikanë se është e qartë që Kina ngul këmbë në Reformën dhe Hapjen. Ai vuri në dukje se Kina do të ofrojë një mjedis më të hapur, më transparent dhe më të rregullt për biznesin e kompanive amerikane në tregun kinez:

"Hapja ndaj botës së jashtme është një politikë themelore e Kinës. Kina nuk do t'i mbyllë dyert e saj, por do t'i hapë më tej. Në bazë të planit strategjik të Kongresit të 19-të të PKK-së, ne do të nxisim formimin e një situate të re, me hapje të gjithanshme, për të krijuar një mjedis më të hapur, më transparent dhe më të rregullt për kompanitë e huaja në Kinë, sigurisht duke përfshirë edhe ato amerikane," tha Xi Jinping-u.

Donald Trump nga ana e tij u shpreh se ShBA-ja është e gatshme që të vazhdojë të shtojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e tregtisë dhe të energjetikës, për të nxitur zhvillimin e të dy vendeve.

"Kontributi i bashkësisë së biznesit, që përfaqësohet sot këtu, është jetik për përpjekjet tona për të siguruar paqen dhe lulëzimin për të dy vendet. Së bashku ne mund të krijojmë një të ardhme mundësish, pasurie e dinjiteti, edhe më të bukur se ëndrra e çdokujt prej nesh. Shpresoj që në diskutimet tuaja sot, ju do të mësoni nga njëri-tjetri dhe do të gjeni rrugë të reja për të shtuar bashkëpunimin tonë ekonomik. Unë gjithashtu shpresoj që ju do të bashkëpunoni për të gjetur më shumë mundësi për konsensus dhe begati të përbashkët," tha Trump.

Ndër marrëveshjet e bashkëpunimit Kinë-ShBA, energjetika zë një pjesë të madhe. Marrëveshja për eksplorimin e përbashkët të gazit natyror të lëngshëm në Alaskë kap vlerën e 43 miliardë dollarëve. Krahas kësaj, kompania kineze "Shenhua" dhe shteti i Virxhinias nënshkruan një marrëveshje kornizë për eksplorimin e gazit rreshpor me vlerë prej 83.7 miliardë dollarësh amerikanë.

Përveç tyre, Korporata Kineze e Investimeve (CIC) dhe firma amerikane "Goldman Sachs" ranë dakord që të krijojnë një fond bashkëpunimi në manifakturë Kinë-ShBA me fond fillestar prej 5 miliardë dollarësh amerikanë, për investime në manifakturë, industri, shëndetësi etj. Ky fond do të thellojë më tej bashkëpunimin ekonomik mes Kinës dhe ShBA-së.

(Jiang Lei)

Mrekulli