Sizmiologët: Tërmeti në Korenë e Veriut nuk ishte nga një provë bërthamore

2017-09-24 11:13:24 xinhua Komenti juaj Printoni

Autoritetet sizmiologjike në Kinë thonë se një tërmet prej 3.4 ballësh të shkallës Rihter që ndodhi të shtunën në Korenë e Veriut nuk është rezultat i një prove bërthamore.

Administrata e Tërmeteve e Kinës thotë se tërmeti ishte natyror, ndonëse vatra e tij ishte përafërsisht në të njëjtën thellësi si shpërthimi nëntokësor i ndodhur në Korenë e Veriut më 3 shtator, për të cilin Pheniani thotë se ishte provë me bombë hidrogjeni.

Edhe sizmiologët në Korenë e Jugut kanë përcaktuar se tërmeti i së shtunës ishte natyror.

Ndërkohë, Pentagoni thotë se bombardues B-1B dhe aeroplanë shoqërues luftarakë F-15 të Forcave Ajrore Amerikane kanë fluturuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi ujërat në lindje të Koresë së Veriut.

Sipas Pentagonit, misioni i tyre është të tregojnë vendosmërinë e ShBA-së dhe se presidenti i ShBA-së Donald Trump ka shumë opsione ushtarake për të mposhtur çdo kërcënim.

Trump-i javën e kaluar kërcënoi në fjalimin që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Shtetet e Bashkuara "nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të shkatërrojnë tërësisht" Korenë e Veriut, nëse do të detyrohen të mbrojnë veten ose aleatët e vet.

Pas këtij kërcënimi, Koreja e Veriut ka sugjeruar se mund të bëjë një provë me bombë hidrogjeni në Oqeanin Paqësor.

Mrekulli
Lajmet Kryesore