Ye Jianming-u, "filozofi" i ri i sektorit të naftës

2017-08-22 10:30:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i bordit dhe drejtori ekzekutiv i Kompanisë Energjetike CEFC të Kinës Ye Jianming drejton një biznes me vlerë prej 42 miliardë dollarësh në vit dhe që renditet në vendin e 229-të në listën prestigjioze të 500 kompanive më të mëdha në botë të revistës "Fortune", si edhe në vendin e gjashtë ndër kompanitë më të mëdha private në Kinë. Vitin e kaluar Ye Jianming-u u rendit i dyti në listën e 40 biznesmenëve nën 40 vjeç me ndikimin më të madh në botë ("40 nën 40") po të revistës "Fortune", dy vende përpara presidentit të tanishëm francez Emmanuel Macron. Po ndërsa ky i fundit i është përkushtuar tashmë krejtësisht politikës, Ye Jianming-u vazhdon të ecë me sukses në rrugën e sipërmarrjes.

Ye Jianming-u ka lindur më 5 qershor 1977 në provincën Fujian të Kinës Lindore. Pas përfundimit të shkollës ai punoi për një periudhe të shkurtër kohe në policinë pyjore në zonën e vet të lindjes, ndërsa më pas kaloi në sektorin privat, duke punuar për një kompani që merrej me tregtimin e pajisjeve për zjarrfikëset dhe më vonë në një firmë pasurish të patundshme. Në vitin 2002 Ye Jianming-u vendosi të niste biznesin e tij, duke blerë një uzinë shtetërore prodhimi pistonash, e cila ishte jorentabël. Kjo do të shënonte krijimin e asaj që më vonë do të bëhej Kompania e Energjisë CEFC.

Por kthesa e madhe për Ye Jianming-un do të vinte në vitin 2006, kur ai, me të gjithë pasurinë prej 10 milionë juanësh që kishte bërë deri atëherë, bleu në ankand pasuritë e një kompanie nafte. Një gjë e tillë do t'i jepte CEFC-së mundësinë të provonte fatin në një sektor që atëherë zotërohej nga ata që quhen si tre gjigantët shtetërorë: "PetroChina", "Sinopec" dhe CNOOC.

Për të përballuar konkurrencën, Kompania e Energjisë CEFC-ja zgjodhi strategjinë e zgjerimit jashtë vendit. Duke marrë kredi nga bankat, CEFC-ja arriti të sigurojë kontrata për blerjen e naftës në Rusi, Kazakistan, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Çad, Angola etj., duke bërë pastaj marrëveshje me gjigantët shtetërorë për transportimin e naftës në Kinë.

Pas fillimit të krizës globale financiare të vitit 2008, CEFC-ja do të fillonte të shtrihej në Europë, kur aty filluan të dalin në shitje asetet energjetike. "Europianët vendosën të shesin rafineritë dhe pikat e karburantit dhe ne vendosëm t'i blejmë ato", tregon Ye Jianming-u.

CEFC do ta shtonte praninë e vet në Europë, veçanërisht në Republikën Çeke, duke u bërë ndër investitorët kryesorë të huaj, me blerjen e klubit të futbollit "Slavia" e Pragës, një shtëpie botuese, një numri ndërtesash të epokës së Rilindjes; një prej fabrikave të birrës më të vjetra të vendit; dhe, mbi të gjitha, të pjesës kontrolluese të aksioneve të Grupit Financiar "J & T" të Pragës, duke u bërë kështu kompania e parë private kineze që zotëron një bankë evropiane. Investimet e përgjithshme për të gjitha këto blerje arritën në 1.5 miliard dollarë.

CEFC ka shtuar edhe investimet në vendet e përfshira në nismën e qeverisë kineze "Një brez, një rrugë", sepse, siç thotë vetë Ye Jianming-u: "Ne ndjekim nga afër strategjitë kombëtare. Prandaj, ne i hartojmë strategjitë tona sipas atyre kombëtare."

Ye Jianming-u parapëlqen të punësojë menaxherë me përvojë nga kompanitë e tjera të mëdha kineze të naftës. Ndryshe nga ç'ndodh me një numër kompanish të tjera private kineze, në CEFC është i ndaluar punësimi i të afërmve dhe gjithçka bëhet mbi bazën e meritës.

Sipas statistikave financiare të kompanisë CEFC, vlera e përgjithshme e pasurive të saj arrin në një trilion juanë (rreth 148 miliardë dollarë amerikanë), të ardhurat 300 miliardë juanë (afro 44.5 miliardë dollarë), ndërsa fitimet disa miliarda juanë.

Aktualisht, 60 % e të ardhurave të CEFC-së vijnë nga nafta e gazi, rreth 25 % nga shërbimet financiare dhe pjesa tjetër nga industria kimike, metalurgjia etj. "Në biznes CEFC është një kompani tregtare globale, në industri është e përqendruar në ruajtjen e energjisë dhe në projekte të energjisë së re", thotë Ye Jianming-u.

Megjithatë, siç e tregon edhe blerja e bankës çeke, në të ardhmen CEFC-ja mund të fokusohet më shumë te sektori financiar, veçanërisht te bankat e investimeve.

Ndryshe prej mjaft biznesmenëve të tjerë, Ye Jianming-ut nuk i pëlqen publiciteti. Ai thotë se parapëlqen më shumë të qëndrojë në shtëpi duke studiuar konfucizmin ose budizmin, sesa të shkojë nëpër darka pune, ku ai çon zakonisht ndonjë nga vartësit e vet. Ye Jianming-u mund të quhet kështu ndër ata udhëheqës biznesi që kanë ditur të shfrytëzojnë mençurinë e filozofive të lashta të Lindjes për të arritur sukses në sipërmarrjen e tyre.

Mrekulli
Lajmet Kryesore