Vullnetarët kinezë kujdesen për fëmijët sirianë

2017-08-21 16:47:47 xinhua Komenti juaj Printoni

Gjatë luftës civile të shpërthyer para 6 vjetësh në Siri, 500 mijë sirianë humbën jetë dhe 4.8 milionë të tjerë u detyruan të largohen nga vendlindja, ndërsa 3 milionë prej tyre u strehuan në Turqi. Në vitin 2015, një foto ku fokusohej trupi i pajetë i vogëlushit 3 vjeçar sirian Aylan Kurdi, të mbytur në një plazh të Turqisë tronditi gjithë botën. Fotoja zbuloi dhe faktin se situata humanitare në Siri ishte përkeqësuar. Gjatë krizës së refugjatëve, një grup vullnetarësh kinezë kanë dhënë ndihmesën e tyre për banorët vendës.

Në fillim të korrikut, shtatë studente kineze të projektit "E ardhmja e përbashkët" mbërritën në një jetimore në qytetin Gaziantep të Turqisë Juglindore. Ato u dërguan nga zyra "Nisma Kineze për Ligjin Ndërkombëtar, një organizatë e pavarur joqeveritare për përhapjen e ligjit ndërkombëtar.

Në jetimoren "Dar Selam" ndodhen 300 fëmijë, ku përveç 70 familjeve refugjate, strehohen mbi 40 jetimë të mitur sirianë, që i kanë humbur prindërit në luftë. Më i vogli i tyre është vetëm 20 ditësh, kurse më i madhi 19 vjeç. Gjatë qëndrimit njëmujor, vullnetaret kineze zhvilluan kurse të gjuhës kineze për fëmijët e jetimores, por dhe kurse vizatimi, punë dore, i shoqëruan gjatë vizitave në muze, luajtën me ta në park dhe gatuan ushqim kinez bashkë me ta.

Përgjegjësi i jetimores Huseyin Dogan shprehu falënderime për ndihmën e vullnetareve kineze. Ai foli plot emocion për ta: "Miqtë nga Kina kanë bërë një punë madhështore. Ata erdhën këtu, jo vetëm për të vizituar fëmijët, por për ti treguar botës mbarë se fëmijët, pavarësisht vendit të origjinës, racës apo fesë kanë nevojë për kujdes. Për mua, vullnetarët kinezë kanë dhënë një shembull humanizmi, sepse i kanë trajtuar fëmijët si nëna e motra dhe kjo është shumë prekëse ".

Pas shpërthimit të krizës siriane në vitin 2011, z. Huseyin Dogan hapi jetimoren e parë në një fabrikë të qytezës Nizip të Turqisë, ku u strehuan më shumë se 250 fëmijë sirianë. Para disa muajsh, ai hapi jetimoren e dytë "Dar Selam" në Gaziantep, emri i së cilës mund të përkthehet nga arabishtja si "Bindje dhe besim". Huseyini shpreson që të vegjlit pa familje të ndjehen këtu të sigurtë dhe të mbështetur.

Znj. Li Yonghua që flet turqisht është përgjegjëse e projektit "E ardhmja e përbashkët" në Turqi. Ajo tha se megjithëse shumica e vullnetareve nuk mund të komunikojnë me fëmijët në gjuhën arabe, ata kanë kaluar ditë të këndshme në jetimore. Sipas asaj, vullnetaret kineze erdhën në fillim me dëshirën t'u jepnin ndihmë fëmijëve, por gjatë qëndrimit u miqësuan me ta. Në takimin e parë, shumë fëmijë u dhuruan vullnetareve sheqerka, gota, pjata dhe fruta, në shenjë mikpritjeje dhe u ndjenë shumë të afërt me mysafirët kinezë.

"Kina gëzon popullaritet të madh në Lindjen e Mesme dhe botën arabe për shkak të ndikimit historik të Rrugës së Mëndafshit. Vendësit e këtij rajoni, pavarësisht moshës e shohin Kinën si një vend të largët, misterioz, por shumë tërheqës. Aziliantët në jetimore thanë se dëshirojnë të shkojnë në Kinë, sepse atje nuk ka luftë, por vetëm paqe", tha ajo. 

Përveç Gaziantepit, vullnetaret vizituan dhejetimoren Bayiti të provincës Hatay të Turqisë Jugore, pranë kufirit me Sirinë. Yang Muyi është studente pasuniversitare për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shkëmbimet ndërkulturore të Universitetit të Komunikimit të Kinës. Sa herë kujton eksperiencën në jetimore, kjo vajzë e re tregon se sa kanë ndikuar ato në konceptin e saj për botën.

Yang është e pasionuar pas arteve marciale. Ndryshe nga vullnetarët e tjerë ajo gjatë kohës së lirë u mësoi fëmijëve ushqime të thjeshta të arteve marciale kineze. Fëmijët e adhuruan dhe nisën të mësonin me zell, madje e pyetën nëse ajo ishte e bija e Jackie Chan. Ditën e lamtumirës, një djalë i vogël sirian i dhuroi vullnetares kineze një palë syze dielli. Duke folur për përvojën gjatë vullnetarizmit, Yang tha: "Pasi arritëm, na thanë se duhet të shfrytëzonim çdo orë për t'i ndihmuar këta fëmijë. Megjithëse e dinim se do të ktheheshim në Pekin, prapë shfrytëzuam çdo moment sepse për të vegjëlit, dashuria dhe përkujdesi janë të rëndësishme. Këto janë gjëra që u mungojnë më shumë për shkak të luftës së egër. Tani po kursej për t'u dhënë ndihmë të vazhdueshme financiare. Ndoshta për ne janë pak para, por mund të jenë një ndihmë e madhe për ta" .

"E ardhmja e përbashkët" është një fondacion i i krijuar nga CIIL në vitin 2016. Misioni i saj është nxitja e të rinjve kinezë për kryerjen e shërbimeve vullnetare në Turqi dhe Siri. Iniciatori i këtij projekti, Liu Yiqiang bëri i ditur se misione të tilla priten të zhvillohen në Jordani dhe Liban.

Duke folur për fondacionin Liu u shpreh: "Ndihma ndaj refugjatëve sirianë po jepet nga mbarë bota. Aktiviteti ynë tregon se edhe kinezët janë pjesëmarrës në këtë mision human. Ne shpresojmë të jemi pionierë të kësaj lëvizjeje për të ndërgjegjësuar sa më shumë kinezë të japin ndihmesën e tyre në vullnetarizëm, duke u bërë pjesë e çështjeve globale dhe ndihmave humanitare ndërkombëtare".

Mrekulli
Lajmet Kryesore