Liu Jiren-i, "ylli" i programeve kompjuterike

2017-01-18 15:46:51 CRI Komenti juaj Printoni

Liu Jiren-i kurrë nuk e kishte menduar se do të bëhej biznesmen, madje nuk kishte ndonjë mendim të mirë për këtë profesion, për të cilin jo rrallë ekzistojnë paragjykime. Por nga një ish-profesor universiteti dhe një intelektual që kishte njëfarë përçmimi për paratë, tani ai është drejtuesi i një kompanie që vlerësohet si një prej "yjeve të para" të teknologjisë në Kinë, "Neusoft", dhe ka një pasuri prej qindra milionë dollarësh.

Liu Jiren-i ka lindur në vitin 1955 në Dandong të provincës Liaoning të Kinës Verilindore dhe u diplomua në Universitetin Veriperëndimor, në Shenyang, kryeqendra e kësaj province. Në vitin 1986, pas përfundimit të studimeve universitare, ai shkoi për një specializim njëvjeçar në Institutin Kombëtar të Standardeve dhe të Teknologjisë, në Maryland të ShBA-së. Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara atij i bëri përshtypje theksi që i vihej ndërthurjes së kërkimit shkencor dhe zbatimit në praktikë, prandaj u kthye në Kinë me qëllim për ta vënë në jetë aty një përvojë të tillë. Në vitin 1987 Liu Jiren-i u bë i pari në Kinë që mori gradën "doktor" në aplikacione kompjuterike. Një vit më pas ai la një karrierë premtuese e të sigurt akademike dhe nisi udhën në sipërmarrjen private, që në atë kohë në Kinë ishte ende në hapat e parë. Bashkë edhe me dy pedagogë të tjerë, me vetëm 4 mijë dollarë dhe tre kompjutera, Liu Jiren-i krijoi një laborator kërkimesh të inxhinierisë së rrjetit dhe të programeve kompjuterike. Laboratori u ngrit në një klasë të vjetër, pa linjë telefonike. Liu duhej të rendte në një zyrë tjetër për t'iu përgjigjur telefonatave. Për t'i bërë gjërat edhe më të vështira, shpesh kishte ndërprerje të energjisë elektrike, që ishte diçka e shpeshtë asokohe në atë zonë. Por ai nuk e ndërpreu rrugën e nisur, duke kuptuar si rrallëkush tjetër të atë kohë perspektivën e tregut të programeve kompjuterike në Kinë.

"Doja të krijoja një urë që të lidhte universitetin me industrinë, - shprehet Liu Jiren-i, - por në atë kohë industria e programeve kompjuterike në Kinë ishte pothuajse zero. Kjo është arsyeja pse e nisa biznesin në kampusin e universitetit. Ishte shumë e vështirë, sepse nuk kishim kapital. Njerëzit në atë kohë nuk blinin programe kompjuterike, por i kopjonin. Nuk kishim burime, nuk kishim kërkesa dhe kishim vështirësi për t'i mbajtur njerëzit. Ky lloj trysnie na bëri më të pjekur. Besoj se kjo lloj ADN-je i dha 'Neusoftit' një lloj jete që na mundësoi të rritemi për afro 30 vjet."

Në vitin 1991, Kutsuzawa Kentaro, themeluesi i kompanisë japoneze "Alpine Electronics", po kërkonte të krijonte një baze prodhimi në Kinë. Ai u takua ndër të tjera edhe me Liu Jiren-in dhe ekipin e tij dhe i bënë përshtypje idetë dhe pasioni i tyre për zhvillimin e fushës së programeve kompjuterike. Që atëherë mes "Alpine" dhe "Neusoft" nisi një bashkëpunim që vazhdon edhe sot.

"Alpine" i ofroi "Neusoft"-it një projekt me vlerë 300 000 dollarë, duke u bërë klienti i parë ndërkombëtar i kompanisë së re kineze. Në vitin 1993 të dyja kompanitë krijuan një ndërmarrje të përbashkët, të quajtur Kompania e Programeve Kompjuterike "Neu-Alpine". Në vitin 1996 "Neu-Alpine" u listua në Bursën e Shangait, e para kompani programesh kompjuterike e bërë publike në një bursë kineze. Po atë vit "Neusoft" krijoi një tjetër ndërmarrje të përbashkët, këtë herë me "Toshiba"-n, teksa më pas do të krijonte edhe me "Philips".

Duke qenë një ndër kompanitë pionere të teknologjisë së informacionit në Kinë, "Neusoft" nisi të ofrojë shërbime programimi për bankat shtetërore dhe kompanitë e telekomunikacionit në Kinë teksa ato nisën modernizimin e infrastrukturës së tyre. Programet kompjuterike të "Neusoft"-it po ashtu kanë ndihmuar në kompjuterizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në Kinë, e së fundmi edhe të kujdesit shëndetësor.

"Më parë, në Kinë, për shumë njerëz ishte një problem i madh vajtja në spital, sepse kishte radhë të gjata dhe ishte e vështirë të bëje vizitë te doktori. Prandaj ne u përpoqëm ta zgjeronim teknologjinë e informacionit edhe në shërbimin shëndetësor, nga spitalet në shtëpitë e lagjet e banimit, për ta bërë kështu më të mirë jetën e njerëzve," shprehet Liu Jiren-i.

"Neusoft" gjithashtu mori përsipër biznesin e pajisjeve mjekësore të Universitetit Veriperëndimor, që ishte në falimentim, si edhe u diversifikua në fushën e arsimit e të trajnimit për teknologjinë e informacionit. Duke synuar forcimin e kapaciteteve teknologjike, "Neusoft" u bë e para kompani kineze e programeve kompjuterike e renditur në Nivelin 5 të akreditimeve CMMI dhe PCMM.

"Neusoft" ka sot 20 mijë punonjës, dhjetë qendra kërkimore-shkencore dhe një rrjet shërbimi e marketingu në më shumë se 60 qytete kineze, si edhe degë në Shtetet e Bashkuara, Europë, Japoni, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut. Ajo tashmë renditet ndër 100 kompanitë kryesore të programeve kompjuterike në botë. Të ardhurat vjetore të kompanisë i kalojnë tashmë 1.1 miliard dollarët.

Vetë Liu Jiren-i është nderuar me shumë tituj e çmime, si Çmimi Kombëtar i Ekselencës në Shkencë e Teknologji, Udhëheqësi më i Mirë i Biznesit në Kinë, Novator i Vitit i Azisë dhe Sipërmarrësi i Vitit në Kinë nga "Ernst and Young" në vitin 2010 etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore