Kursantët e huaj ushtarakë në Kinë

2016-12-05 16:15:35 xinhua Komenti juaj Printoni

Në sytë e shumë njerëzve, Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes i Kinës që ndodhet në distriktin periferik Changping të Pekinit, duket si shkollat e tjera të larta të kryeqytetit. Ndërsa, në ato godina të zakonshme janë përgatitur jo vetëm kuadrot e lartë ushtarakë të Kinës, por edhe përfaqësues të ushtrive të vendeve të tjera.

Në Kolegjin e Studimeve të Mbrojtjes pranë këtij universiteti, kursantët e huaj kryejnë kualifikim që varion nga një muaj e gjysmë deri në një vit. Pavarësisht se vetëquhen studentë, pjesa dërrmuese e tyre janë mbi 30 vjeç dhe me një përvojë të pasur ushtarake, ndërsa grada më e ulët e të cilëve është kolonel. Gjatë 60 vjetëve të fundit, përfaqësuesit e elitës ushtarake të vendeve të ndryshme shkëmbejnë këtu përvoja dhe thellojnë njohjet e tyre për Kinën.

Trajnimi i kursantëve të huaj në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes të Kinës filloi në vitin 1956 nga një grup i vogël studimor për ushtarakë nga Vjetnami. Lidhur me këtë, drejtori i universitetit Xu Hui tregon: "Kolegji i Studimeve të Mbrojtjes u themelua në vitin 1956, kur Kina e Re ishte në një kohë të vështirë para shtrembërimit të imazhit dhe izolimit nga komuniteti ndërkombëtar. Meqë Kina atëkohë kishte marrëdhënie diplomatike me pak vende, trajnimi ushtarak u bë një rrugë eksperimentale për gjetjen e miqve në botë".

Pas 60 vjetësh, kolegji ka përgatitur rreth 10 mijë ushtarakë dhe zyrtarë të lartë të mbrojtjes nga mbi 160 vende të botës.

Në shkollë, kursantët mund të ndjekin programet mësimore në anglisht, frengjisht, rusisht dhe spanjisht. Mbi 70% e lëndëve jepen nga ekspertë ushtarakë të huaj dhe kinezë. Sipas z. Xu, gjatë kësaj periudhe, kushtet e mësimdhënies janë përmirësuar ndjeshëm, duke dëshmuar dhe rritjen e numri të kursantëve. "Në fillim kanë ardhur vetëm 10 ushtarakë nga një vend. Por tani, çdo vit studiojnë mbi 500 kursantë nga 160 vende të ndryshme", shtoi ai.

Për drejtorin Xu, një vend të veçantë zenë mbresat e ushtarakëve të huaj për Kinën. "Para ardhjes në Kinë, shumica e kusrantëve nuk dinë shumë për Kinën, madje flasin për të bazuar në raportimet e mediave perëndimore, ku ka shumë të pavërteta. Ata kanë dyshime për sistemin politik të Kinës, që ndryshon nga shumë vende të tjera. Por, pas studimeve dhe vizitës në Kinë, duke njohur nga afër të vërtetat opinioni dhe mbresat e tyre ndryshojnë tërësisht ", tha z. Xu.

"Aktualiteti i Kinës" është lënda e parë e programit studimor. Në të kaluarën, për Kinën flitej vetëm në dy leksione që trajtonin përkatësisht historinë dhe krijimin e ushtrisë kineze. Por, stafi pedagogjik vuri re se pas leksioneve, kursantët bënin shumë pyetje lidhur me klishetë që ekzistonin për Kinën në vendet e tyre. Për këtë qëllim më vonë u shtuan leksionet me temë sistemin politik, ekonomik, politikat kombëtare e fetare, të drejtat e njeriut, mbrojtjen e mjedisit, praktikat e Reformës dhe Hapjes, çeshtjen e Tajvanit, të Tibetit etj. Për të forcuar efektin e mësimdhënies, shkolla ka krijuar lidhje me 25 krahina dhe baza trajnuese ushtarake të vendit, ku studentët e huaj mund t'i vizitojnë dhe të shohin konkretisht realitetin e Kinës në fushën shoqërore, kulturore apo ushtarake. Kështu që tani, lënda "Aktualiteti i Kinës" harxhon të paktën një muaj.

Trajnimi ka hapur një dritare, përmes së cilës ushtarakët e huaj njohin Kinën, duke krijuar edhe platformat për shkëmbimet mes tyre. Në leksione dhe seminare, kursantët zhvillojnë debate dhe diskutime për rastet reale që përdoren si shembull në lëndët studimore për luftën kundër terrorizmit, misionet paqeruajtëse, ndihmat humanitare, situatën e sigurisë rajonale e botërore. Me anën e këtyre debateve thellohen njohuritë e tyre për situatat e veçanta në vendet e tjera.

Sipas z. Xu, modeli i trajnimit të ushtarakëve po ndryshon dukshëm. "Në të kaluarën kishin vetëm trajnim për taktikat dhe njohuri. Por tani në shkollën tonë, ushtarakët e vendeve të ndryshme inkurajohen të shkembejnë mendime dhe të diskutojnë për problemet si situatë rajonale e botërore, rrugë të mbrojtjes së paqes. Kështu që shkolla jonë po bëhet një platformë shkëmbimesh. Kjo pasqyron përgjegjësitë e Kinës për komunitetin ndërkombëtar dhe këtu dëgjohen opinionet dhe rrugët e zgjidhjes të palës kineze", tha z. Xu.

Gjeneral-Brigadier Ghulam Shabeer nga Pakistani ka ndjekur trajnime ushtarake në Kanada, Britani dhe vende të tjera të zhvilluara. Sipas tij, përveç nivelit të lartë mësimdhënës dhe kushteve të mira të jetesës, Kolegji i Studimve të Mbrojtjes në Kinë ka edhe vlera të tjera të posaçme.

"Kursantët nga vendet e tjera mund të përvetësojnë teknikat dhe njohuri të shumta në fushën ushtarake dhe politike. Këtu kam përfituar shumë lidhur me punën time në luftën kundër terrorizmit dhe sigurinë botërore. Përvojën praktike të përfituar në Kinë mund ta përdor gjerësisht në misionet tona në Pakistan", shtoi z. Shabeer.

Mrekulli
Lajmet Kryesore