Li Li, kimisti miliarder

2016-09-27 16:25:55 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë biofarmaceutike kineze "Hepalink Pharmaceutical" Li Li në vitin 2010, nga një figurë jo shumë e njohur, u shndërrua në njeriun më të pasur në Kinë. E ndonëse "mbretërimi" i tij nuk zgjati shumë, ai vazhdon të jetë pjesë e listës së njerëzve më të pasur në Kinë dhe historia e tij mbetet një histori frymëzuese në sipërmarrje e një shkencëtari.

Li Li ka lindur 54 vjet më parë në provincën kineze Sichuan. Ai ndoqi studimet për kimi në Universitetin e Sichuan-it, dhe pas diplomimit nisi punë në Fabrikën e Përpunimit të Mishit të Chengdu-së. Por në vitin 1992, 30-vjeçari i atëhershëm e la punën në fabrikë, për të nisur një karrierë në industrinë farmaceutike, duke u bërë kryeinxhinier në Kompaninë e Produkteve Biologjike "Tongda" të Chongqing-ut. "Tongda" ishte një kompani që merrej kryesisht me prodhimin e heparinës, medikament për hollimin e gjakut te të sëmurët me zemër ose që i nënshtrohen operacionit. Heparina prodhohet nga zorrët e derrave ose e gjedhëve dhe Sichuan-i është provinca me numrin më të madh të krerëve të derrave në Kinë.

Falë aftësive të veta, Li Li ngjiti shpejt shkallët në drejtimin e "Tongda"-së, dhe u bë drejtor menaxhues i kompanisë. Por ai ndihej tashmë i gatshëm për të nisur sipërmarrjen e vet. Në vitin 1998, bashkë me të shoqen, Li Tan, e cila kishte studiuar edhe ajo për kimi në të njëjtin universitet, Li Li u zhvendos në Shenzhen të provincës Guandong, ku me një kapital fillestar prej 2 milionë juanësh (300 mijë dollarë amerikanë) të familjes krijoi kompaninë "Heparin Industrial", paraardhës i "Hepalink Pharmaceutical" të Shenzhen-it.

Kompania u përqendrua në teknologjinë e pastrimit të heparinës. Investitori i njohur në kompanitë bioteknologjike Yang Xiangyang investoi 6 milionë juanë të tjerë (900 mijë dollarë amerikanë) për të ndihmuar në rritjen e "Hepalink Pharmaceutical".

"Hepalink Pharmaceutical" u bë e vetmja kineze prodhuese e heparinës që kaloi testet e Administratës së Ushqimit dhe të Barnave të ShBA-së, duke u bërë kështu kompania e vetme kineze që u lejua të shiste heparinë në Shtetet e Bashkuara.

Më pas, "Hepalink Pharmaceutical" mori edhe certifikatën e Drejtorisë Europiane për Cilësinë e Barnave, duke u bërë furnizuesi më i madh në botë i heparinës. Falë edhe pasurisë së vet kryesore: 180 milionë krerë derra. Klientë të "Hepalink Pharmaceutical" ishin ndër firmat më të njohura farmaceutike në botë, si "Novartis","Chemie" e Sanofi-Aventis.

Duke parë ecurinë e potencialin e kompanisë së krijuar nga Li Li dhe e shoqja, një numër gjithnjë në rritje firmash nisën të investonin aty, përfshirë edhe "Goldman Sachs". Dhe investimi do t'u shpërblehej.

Në vitin 2009 të ardhurat neto dhe shitjet e "Hepalink"-u u pesëfishuan krahasuar me një vit më parë, duke arritur përkatësisht në 809 milionë (121.3 milionë dollarë amerikanë) dhe 2.2 miliardë juanë (330 milionë dollarë amerikanë).

Por një vit më pas, 2010, do të ishte kulmi për "Hepalink", qëu regjistrua në Bursën e Shenzhen-it me një ofertë publike fillestare 5.9 miliardë juanë (885 milionë dollarë), vlera më e lartë e oferte publike fillestare në bursat kineze deri në atë kohë. Në fund të ditës së parë të tregtimit, çmimi i një aksioni të "Hepalink"-ut arriti në 188 juanë (28.2 dollarë), duke i dhënë firmës një vlerë marramendëse prej 75 miliardë juanë (11.25 miliardë dollarë amerikanë). "Goldman Sachs", që kishte investuar vetëm 37 milionë juanë (5.55 milionë dollarë amerikanë) në vitin 2007 në "Hepalink", për 45 milionë aksione, arriti që të fitonte 250-fish. Por më e rëndësishmja, Li Li dhe e shoqja u bënë njerëzit më të pasur në Kinë, falë zotërimit të 72 % të aksioneve të "Hepalink Pharmaceutical", çka bëri që pasuria e tyre që kapte një shifër prej 7.8 miliardë dollarësh.

Por çifti i kimistëve do të ishte në krye të listës së njerëzve më të pasur në Kinë vetëm për pak kohë. Administrata e Ushqimit dhe e Barnave e ShBA-së deklaroi se "Hepalink Pharmaceutical" nuk ishte më e vetmja kompani kineze që merrej me prodhimin e heparinës e certifikuar prej saj. Lajmi bëri që çmimi i aksioneve të kompanisë të njihte një rënie të ndjeshme, e megjithatë, pa e penguar Li Li-në dhe të shoqen të vazhdojnë të jenë miliarderë. Sipas vlerësimit më të fundit, pasuria e tyre arrin tashmë në 2.5 miliardë.

Li Li dhe e shoqja janë të vetmit kimistë në listën e njerëzve më të pasur të Kinës, çka shihet si një nxitje edhe për shkencëtarët e tjerë në rrugën e biznesit. Peng Zhaohui, ish-kryetari i kompanisë "SiBiono Genetech", me qendër edhe ajo në Shenzhen, e cila ka krijuar terapinë e parë të gjeneve të komercializuar", e ka mirëpritur suksesin e "Hepalink"-ut.

"Lajmet e mira për suksesin e çiftit Li Li dhe Li Tan në industrinë farmaceutike janë shumë zemërdhënëse dhe do të nxitin më shumë shkencëtarë të kenë synim që të pasurohen nëpërmjet rezultateve të kërkimeve të tyre", thotë Peng.

Ndërsa Rupert Hoogewerf, drejtuesi i Institutit "Hurun", revista e të cilit publikon një prej dy listave të njerëzve më të pasur në Kinë, së bashku me të atë të "Forbesit", u shpreh: "E pritnim që dikush nga sektori u farmaceutikës të bëhej pjesë e listës sonë, por nuk e pritnim se do të ishte diçka kaq e madhe."

Bërja e një prej njerëzve më të pasur në Kinë nuk e ka ndryshuar njeriun dhe shkencëtarin brenda Li Li-së. "Jam njësoj si më parë dhe vazhdoj të kaloj kohë në laborator, shprehet miliarderi kimist.

Mrekulli
Lajmet Kryesore