Ekipi i mjekëve kinezë në Kamboxhia

2019-08-27 11:02:05 CRI Komenti juaj Printoni

Tenron, një fshatare kamboxhiane 50-vjeçare, kishte mbi tre vjet që vuante nga dhimbjet e belit dhe të këmbëve. Ajo bëri vizita mjekësore dhe piu ilaçe, por pa ndonjë efekt të dukshëm. Në mëngjesin e 25 gushtit, ajo u ngrit shumë herët dhe shkoi në lokalitetin Lingde të kontesë së Angkorit për të provuar shërbimet e akupunkturës nga mjekët kinezë.

Tenron i tha gazetarit se kur ajo ecën për një kohë të gjatë ose ulet në karrige për një kohë të gjatë, beli i bëhet shumë i ngurtë dhe dhimbja e këmbëve bëhet më serioze.

"Kam dëgjuar se mjekët kinezë mund të zgjidhin problemet e mia nëpërmjet akupunkturës. Këtë herë, mjekët kinezë kanë ardhur në Kamboxhia për vizita mjekësore falase. Prandaj, sot u ngrita shumë herët për të ardhur këtu," tregoi ajo.

Po atë ditë, afro 150 pacientë kamboxhianë erdhën në fshatin e miqësisë kino-kamboxhiane për të marrë pjesë në këtë aktivitet të mjekësisë falas.

Wang Yuting-u është specialiste e akupunkturës kineze. Ajo i tregoi gazetarit se fshatarët vendës janë shumë të lodhur nga punët e bujqësisë që kanë bërë për shumë vite, prandaj shumë prej tyre vuajnë nga sëmundjet e belit dhe të shpinës.

Pas dezinfektimit, doktoresha Wang bëri tetë shpime në belin, vithet dhe këmbët e Tenron-it. Sipas përkthyesit të mjekëve, Tenron-i tha se ndjeu një rrymë të ngrohtë në këmbën e majtë pas shpimeve.

Drejtori i zyrës konsullore në Siem Reap të ambasadës kineze në Kamboxhia, Liu Zhijie, tha se ky është aktiviteti i dytë i mjekësisë falas i organizuar së bashku nga ambasada kineze, pushteti vendor në Kamboxhia dhe spitalet kamboxhiane për t'u shërbyer banorëve vendorë dhe turistëve në këtë vend.

Liu Zhijie tha se ilaçet dhe dhuratat e këtij aktiviteti janë sponsorizuar nga kompanitë kineze në Kamboxhia.

Pas 20 minutash akupunkturë, Tenron-i tha se ishte lehtësuar në mënyrë të dukshme problemi i ngurtësisë së belit dhe ajo mund ta lëvizte atë më lirshëm. Mjekja Wang i sugjeroi që të flejë në shtrat të fortë, ndërsa në stinën e shirave duhet të shmangë lagien nga shiu dhe të mbrojë veten nga i ftohti.

Një funksionar i provincës së Siem Reap-it shprehu falënderime më të sinqerta për ndihmën e mjekëve kinezë, duke thënë se veprimtari të tilla tregojnë miqësinë ndërmjet popullit kinez dhe popullit kamboxhian.(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore