Studimi:Rrjetet sociale shkaktojnë depresion dhe ankth

2019-08-16 09:11:36 CRI Komenti juaj Printoni
Një studim i ri nga studiuesit amerikanë zbulon për herë të parë lidhjen mes përdorimit të rrjeteve sociale dhe problemeve me shëndetin mendor.

Disa studime paraprake kanë dëshmuar se përdorimi i rrjeteve sociale dëmton mirëqenien e përdoruesve.

"U përpoqëm të bëjmë një studim shumë më gjithëpërfshirës, i cili gjithashtu ishte më i vlefshëm ekologjikisht," tha Melissa Hunt, autore kryesore e studimit dhe drejtore e asociuar për trajnimin klinik në Departamentin e Psikologjisë të Universitetit të Pensilvanisë.

Studiuesit në universitet u përqëndruan tek "Facebook", "Snapchat" dhe "Instagram", tre platformat më të njohura të rrjeteve sociale në ShBA.

Në këtë studim morën pjesë gjithsej 143 studentë të universitetit. Ata u ndanë në dy grupe të rastësishme: Një prej grupeve iu lejua të mbanin sjelljen e tyre tipike të rrjeteve sociale; ndërsa grupit tjetër iu kërkua që të kufizojnë kohën e tyre në tre platformat e rrjeteve sociale në 10 minuta në ditë.

Pas tre javësh, ata u testuan përsëri për rezultate të tilla si frika e humbjes, ankthi, depresioni dhe vetmia.

Gjatë studimit, studiuesit grumbulluan gjithashtu të dhëna objektive të përdorimit të gjurmuara automatikisht nga iPhone për aplikacione aktive.

Si rezultat, studiuesit zbuluan se grupi i përdorimit të kufizuar të rrjeteve sociale tregoi ulje të ndjeshme të vetmisë dhe depresionit për tre javë në krahasim me grupin e kontrollit.

"Përdorimi i më pak rrjeteve sociale sesa normalisht çon në ulje të konsiderueshme të depresionit dhe vetmisë," tha Hunt.

"Kur shikoni jetën e njerëzve të tjerë, veçanërisht në Instagram, është e lehtë të mendoni se jeta e të gjithë të tjerëve është më e mirë se e juaja," shpjegoi ajo.

Hunt tha gjithashtu se studimi pa vetëm tre platforma kryesore të rrjeteve sociale dhe se rezultatet mund të ndryshojnë nëse aplikohen për grupmosha të ndryshme.

Studimi u botua në numrin më të fundit të Revistës së Psikologjisë Sociale dhe Klinike.

Rreth 90 për qind e amerikanëve thonë se vazhdimisht ose shpesh, kontrollojnë emalin e tyre, tekstet dhe llogaritë që kanë në mediet sociale, gjë që u shkakton atyre shumë stres, sipas një raporti të Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, APA.

Ata persona që thane këtë pohuan se kishin mesatarisht, më tepër stres sesa personat që i kontrollonin ato më rrallë.

Duke përdorur shkallën 1 me 10, ku numri 1 tregon pak, ose aspak stres dhe numri 10 qëndron për shumë stres, personat që i kontrollonin vazhdimisht rrjetet sociale kishin një nivel stresi në shifrën 5.3, ndërsa ata që nuk ishin shumë "të ngulitur" tek telefonat e tyre inteligjentë, e kishin nivelin e stresit 4.4.

Amerikanët në marrëdhënie pune që e kontrollojnë e-mailin edhe në ditët kur janë pushim, e kishin nivelin e stresit 6.

"Përdorimi i telefonave celularë dhe i rrjeteve sociale gjatë dekadës së fundit, natyrisht, që e ka ndryshuar mënyrën e jetesës së amerikanëve dhe komunikimin e tyre të përditshëm", tha Lynn Bufka, doktore e shkencave dhe zëvendës drejtoreshë ekzekutive e APA's për praktikat e kërkimit dhe politikat.

"Sot, thuajse të gjithë amerikanët e rritur kanë të paktën nga një pajisje elektronike dhe shumë prej tyre qëndrojnë gjithmonë të lidhur me to. Ajo që këta individë nuk marrin në konsideratë, është se teknologjia na ndihmon në shumë mënyra, por se të qenit vazhdimisht i lidhur me mjetet elektronike, mund të ketë ndikim negativ si tek shëndeti fizik, edhe tek ai mendor", shton ajo.

Studimi arrin në përfundimin se prindërit i kanë kuptuar efektet stresuese të kontrollit të vazhdueshëm të fëmijëve; 94 për qind e tyre thonë se përpiqen ta kenë në kontroll përdorimin e mjeteve sociale nga fëmijët dhe 58 për qind e tyre thonë se fëmija i tyre është shumë i lidhur me pajisjet elektronike.

Veç kësaj, 45 për qind e prindërve thanë se teknologjia i bën fëmijët të ndjehen të shkëputur nga familja; 58 për qind e prindërve thanë se janë të shqetësuar " për ndikimin e medies sociale tek shëndeti psikik dhe mendor i fëmijës".

Përdoruesit e vazhdueshëm të rrjeteve sociale, po ashtu janë ndikuar më negativisht prej tyre, thuhet në studim, duke cituar se 42 për qind e kontrolluesve të vazhdueshëm thanë se diskutimi i ngjarjeve të pakëndshme në rrjetet sociale i kishte shkaktuar atyre stres.

Ndoshta një nga gjetjet më interesante të studimit, është se 65 për qind e amerikanëve janë pak a shumë të mendimit se mospërdorimi herë pas here i medieve sociale është i nevojshëm për shëndetin mendor. Vetëm 28 për qind e të anketuarve thanë se nganjëherë shkëputen nga teknologjia.

Anketa u zhvillua online me 3,511 të intervistuar të moshës mbi 18-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, nga kompania e anketimeve Harris Poll, në emër të Shoqatës amerikane të Psikologjisë.

Postimet e miqve ndikojnë që ne t'i krahasojmë jetët tona me të tjerve dhe kjo na shkakton stres e palumturi. Prandaj ju sugjerojmë të qëndroni më rrallë të ngulur përballë ekranit të telefonit ose të kompjuterit dhe të dilni më shpesh me miq të vërtetë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore