Dita e Mjekësisë Kineze: Shërimi nga natyra

2019-03-22 15:39:18 CRI Komenti juaj Printoni

Dita e Mjekësisë Kineze që bie më 17 mars është një ditë për të përkujtuar metodat e arritur me përpjekje dhe mijëra vite për kurimin e sëmundjeve dhe kujdesin e shëndetit. Në këtë ditë të mjekësisë, le t'i hedhim një këndvështrim mënyrës sesi Mjekësia Tradicionale Kineze MTK) ndihmon në rikthimin e shëndetit dhe se si u njoh ajo në mbarë botën.

Thëniet e mjeshtrave taoistë kishin si qëllim ta ndihmonin njeriun të jetonte gjithnjë e më mirë, në harmoni me Universin.

Sipas Mjekësisë Tradicionale Kineze, shëndeti i vërtetë nuk sigurohet duke "sforcuar" trupin përmes substancave kimike, por duke rivendosur harmoninë mes gjithë elementëve të organizmit. Tradita mjekësore kineze ofron një sërë dijesh dhe shpjegimesh globale, që përqafojnë ekzistencën në rrafshin fizik, mendor dhe shpirtëror, sipas një qasjeje holistike, në të cilën njeriu konsiderohet, si në shëndet edhe në sëmundje, një bashkësi e mendjes, trupit dhe shpirtit, gjithnjë i lidhur me mjedisin rrethues.

Kjo ka mundësuar kuptimin menjëherë të natyrës psikosomatike të shumë shqetësimeve që, përveç shkaqeve organike, mund të jenë të lidhur edhe me faktorë psikologjikë apo mjedisorë.

Kujdesi për shëndetin e vet është përgjegjësi e çdo njeriu, që duhet të ruajë si thesar energjinë e vet jetësore, me një ushqim dhe sjellje korrekte, duke shmangur pasionet e tepruara që janë shkak sëmundjesh, për t'u mbrojtur nga çekuilibrat që konsumojnë energjitë jetësore dhe bashkë me to, edhe jetën. Ky është qëllimi i mësimeve të Mjekësisë Kineze: të na ndihmojë "për të çuar deri në fund ditët që i janë caktuar gjithësecilit".

Potenciali i mbijetesës së një njeriu të zakonshëm është fiksuar në 150 vjet. Mund të habisë, por kohët e fundit shkenca ka arritur në konkluzione të ngjashme, duke hedhur hipotezën e një potenciali jetëgjatësie prej 120 vjet.

MTK-ja me një histori mijëravjeçare konsiston në një set terapish, metodash, bimësh mjekësore të veçanta apo unike, pa harruar akupunkturën, moksibustionin, masazhin Tuina, fiskulturën Qigong, terapinë me kupa, Gua sha-në dhe terapinë dietike.

Me në thelb filozofinë e balancimit të forcave "Yin Yang dhe të 5 elementeve ", MTK-ja synon të vendosë ekuilibër në trup për të evituar sëmundjet apo simptomat e ndryshme. Yin nënkupton negativen, të ftohtin, errësirën, ndërsa Yang nënkupton pozitiven, ditën, të ngrohtën etj. Dy anët e ciklit veprojnë sipas kohës, stinës dhe ruajnë ekuilibrin.

Organe të ndryshme në trup karakterizohen nga Pesë Elementët – druri, zjarri, toka, metali dhe uji. Për shembull, zemra lidhet me zjarrin, ndërsa veshkat me ujin.

Të ngjashme me Pesë Elementet, organet në bashkëpunim me njëri-tjetrin krijojnë një cikël të ekuilibruar. Nëse ky ekuilibër prishet, atëherë njerëzit sëmuren, por me përdorimin e disa terapive mund të vendoset përsëri ekuilibri dhe njerëzit të kenë shëndet të mirë.

Sa popullore është MTK-ja jashtë Kinës?

Sipas të dhënave nga Dogana e Kinës në vitin 2017, totali i përgjithshëm i eksportit të MTK-së ishte 3.64 miliardë dollarë amerikanë dhe vetëm për bimët mjekësore ishte 2 miliardë dollarë.

Sipas Agjencisë së Lajmeve"Xinhua", TCM praktikohet në 183 vende dhe rajone të botës. Mbi 170 vende përdorin shërbime dhe produkte të MTK-së dhe janë hapur shumë qendra dhe shkolla për këtë mjekësi. Duke përjashtuar Kinën, në botë sot ka mbi 500 mijë praktikantë të MTK-së dhe mbi 1,500 insitucione për mësimin e kësaj Mjekësie.

Në vitin 2010, "akupunktura dhe moksibustioni" u përfshinë në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s si Trashëgimi e Njerëzimit.

Pse na hyn në punë Mjekësia Kineze kur Mjekësia Perëndimore është kaq e famshme?

Aplikimi i teorive të MTK-së si, Qigong dhe dietoterapia, mund të parandalojnë një sërë sëmundjesh. Në disa fusha ku mjekësia perëndimore nuk funksionon, MTK-ja mund të jape një sërë përgjigjesh.

Për shembull, dhimbje akute të abdomenit mund të kurohen me operacion, por mbajtja e një shëndeti të mirë pas operimit arrihet me akupunkturë.

Administrata Shtetërore e Kinës për Ushqim dhe Medikamente, Administrata e MTK-së dhe institucione të tjera përkatëse kanë vendosur një standard dhe një mbikëqyrje më të lartë gjatë viteve të fundit për ta mbrojtur mjedisin dhe reputacionin e industrisë.

Si të forcojmë imunitetin?

Zhytja e shputave në ujë të ngrohtë, në të cilin patjetër duhet të shkrihen 100 g kripë

Për të penguar shpenzimin e energjisë nëpërmjet të menduarit të tepërt dhe stresit, vjen një ritual i thjeshtë, i cili nuk zgjat më shumë se 5-6 minuta në ditë: tri herë gjatë ditës (në mëngjes para zgjimit, në drekë dhe në mbrëmje para gjumit) uluni në skajin e karriges, apo krevatit, drejtoni shpinën, mbyllni sytë dhe numëroni 30 marrje të lehta fryme në vazhdimësi dhe 30 nxjerrje fryme të përqendruara në përcjellje të frymëmarrjes.

Megjithatë, nëse ndodh që të sëmureni, rekomandohet të hani më pak ushqimit (sidomos ushqimet e rënda me shumë yndyrë dhe erëza), dhe preferohen supat me lëng pule, uji i ngrohtë me xhenxhefil të freskët, me mentë dhe limon.

Masazhi i shuplakave dhe i shputave (të paktën 20-30 minuta), me përqendrim në pikat e ndjeshme, është në dobi të eliminimit të shpejtë të patogjeneve nga trupi.

Në trup ekzistojnë pika të caktuara kundër stresit, me stimulimin e të cilave trupi fillon të qetësohet dhe të lirojë stresin. Këtu hyn në lojë teknika fizio-refleksive.

Një pikë e tillë quhet Shen Men, ndërkaq me shtypjen e kësaj pike zvogëlohet stresi, shtohet energjia, forcohet imuniteti dhe zbutet ndjenja e dhembjes. Kjo pikë gjithashtu redukton inflamacionet dhe mund të pushojë dhimbjet në gati çdo pjesë të trupit.

Pika gjendet në pjesën e brendshme të sipërme të veshit, ndërsa me fërkimin e lehtë ajo bëhet aktive.

Mrekulli
Lajmet Kryesore