Intoleranca ndaj laktozës: gjysma e kinezëve nuk e tresin qumështin

2018-07-26 17:48:50 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas të dhënave, rreth 50 për qind e kinezëve vuajnë nga fryrja e barkut dhe gazrat për shkak të konsumit të qumështit ose nënprodukteve të tij. Pra, pothuajse gjysma e kinezëve kanë intolerancë ndaj laktozës, transmeton Nanfang Daily.

Për shumë persona konsumi i qumështit çon në shfaqjen e problemeve shëndetësore, të cilat manifestohen me dhimbje dhe fryrje të barkut, si dhe simptoma të tjera dalluese të aparatit tretës. Organizmi nuk përthith dot përbërësit e qumështit duke çuar kështu në shfaqjen e alergjisë, e cila në gjuhën mjekësore njihet edhe si intolerenca ndaj qumështit apo nënprodukteve të tij.

Me intolerancë ndaj qumështit kuptojmë në fakt mungesën e tolerancës ndaj një përbërësi të tij, që quhet laktozë (e njohur ndryshe në jetën e përditshme si sheqeri që përmban qumështi). Pra në thelb intoleranca ndaj qumështit është në fakt intolerancë ndaj laktozës që përmban qumështi, paaftësia për të tretur dhe absorbuar (thithur) laktozën, duke rezultuar me simptoma klinike. Laktoza është një molekulë e madhe e sheqerit që përbëhet nga dy molekula të tjera më të vogla, glukoza dhe galaktoza. Në mënyrë që laktoza të thithet nga zorrët dhe më pas të shpërndahet në gjithë organizmin duhet së pari të ndahet në glukozë dhe galaktozë. Pikërisht në këtë nivel molekular bëhet thithja nga qelizat sipërfaqësore të zorrëve të holla. Zbërthimi i laktozës në molekula më të vogla, bëhet në sajë të një enzime tretëse që quhet laktazë, e cila vendoset në sipërfaqen e qelizave të zorrëve të holla. Intoleranca ndaj laktozës shkaktohet pikërisht nga mungesa e plotë e enzimës laktozë, ose nga aktiviteti i reduktuar i saj.

Alergjia ndaj qumështit është zakonisht gjenetike, sipas shkencëtarëve.

Mungesa e plotë e enzimës mungon zakonisht që nga lindja për shkak të ndryshimeve që pësojnë gjenet në barkun e nënës. Në këtë rast, shenjat klinike nisin menjëherë pas lindjes. Më shpesh hasim mangësinë e enzimës për shkak të sëmundjeve që dëmtojnë qelizat e zorrëve të holla. Gjithashtu mund të jetë e programuar gjenetikisht ulja e nivelit të laktazës nga fëmijëria në drejtim të moshës së rritur. Intoleranca ndaj laktozës është më e zakonshme në popullsinë aziatike duke prekur rreth 90 për qind të të rriturve në disa komunitete. Njerëzit me prejardhje nga Evropa veriore kanë afërsisht një normë rreth 5 për qind të intolerancës ndaj laktozës. Është e rëndësishme të theksohet se mungesa e laktazës nuk është e njëjtë me mungesën e tolerancës ndaj laktozës. Personat me një intolerancë të butë ndaj laktozës shpesh nuk kanë simptoma klinike pas pirjes së qumështit. Po ashtu mund të mos kenë simptoma të shprehura edhe personat me mangësi të moderuar të laktazës.

Simptomat kryesore që flasin për intolerancë ndaj qumështit

Simptomat kryesore të intolerancës ndaj laktozës përfshijnë aparatin tretës dhe shprehen kryesisht me dhimbje barku, fryrje barku, gazra, diarre, të përziera dhe të vjella. Për fat të keq këto simptoma mund të shkaktohen edhe nga sëmundje të tjera, kështu që duhet një ekzaminim i kujdesshëm për të bërë diagnozën diferenciale, dhe për të konfirmuar saktësisht sëmundjen nga se vuan pacienti. Ashpërsia e simptomave të intolerancës ndaj laktozës ndryshon shumë nga personi në person. Një arsye për këtë, është fakti se njerëz të ndryshëm kanë sasi të ndryshme laktoze në dietën e tyre ushqimore. Sa më shumë laktozë në dietë, aq më të shprehura janë edhe simptomat klinike. Po ashtu, njerëz të ndryshëm mund të kenë përgjigje të ndryshme për të njëjtën sasi laktoze të marrë nga dieta ushqimore. Disa mund të kenë simptoma të lehta dhe disa mund të kenë simptoma të moderuara. Arsyeja për këtë nuk është e qartë, por mendohet se ka të bëjë me ndryshimet e florës bakteriale të zorrëve.

Po si ta trajtojmë këtë problem?

Në përgjithësi njerëzit e vendosin vetë diagnozën e intolerancës ndaj laktozës dhe hezitojnë të shkojnë tek mjeku, kur kanë shenja të lehta klinike. Ata kërkojnë ndihmë vetëm kur shqetësimet e aparatit tretës janë shumë të dukshme. Pacientët fillojnë vetë një dietë të përjashtimit, dietë që eliminon qumështin dhe produktet e tij. Dieta me eliminim është një mënyrë edhe për të vënë diagnozën. Por, që ajo të ketë vlerë duhet të jetë rigoroze, pra kërkon këshilla nga një dietolog dhe të zbatohet në mënyrë të përpiktë. Dieta gjithashtu duhet të jetë e vazhdueshme dhe e mjaftueshme në kohë për të vlerësuar në mënyrë të qartë nëse gjendja përmirësohet apo jo. Në këtë rast eliminimi i të gjitha produkteve të qumështit duhet të eliminojë plotësisht simptomat, nëse shkaku i vërtetë është intolerancë ndaj këtij komponenti të qumështit. Nëse një person ka intolerancë, brenda disa orëve pas pirjes së një gote qumësht do të zhvillohen simptomat gastrointenstinale. Është e rëndësishme që qumështi të jetë pa yndyrë në mënyrë që të eliminohet mundësia e intolerancës ndaj yndyrave.

Cilat janë burimet e laktozës në dietën e përditshme ushqimore?

Edhe pse qumështi dhe produktet që rrjedhin nga ai janë të vetmet burime natyrore të laktozës, ajo shpesh është "fshehur" edhe në ushqime të tjera, transmeton "Dita". Njerëzit që kanë tolerancë shumë të ulët ndaj laktozës duhet të marrin informacione të sakta për shumë produkte ushqimore që mund të përmbajnë laktozë, madje edhe në sasi të vogla. Të tilla mund të përmendim bukën, drithëra të përpunuara (cereale të ndryshme), patate, margarinë, biskota, qumështi pluhur. Përveç burimeve të ushqimit laktoza mund të jetë e "fshehur" edhe në disa lloje ilaçesh. Laktoza mund të përdoret si bazë lidhëse e elementëve kimikë, nga të cilët përbëhen shumë lloje medikamentesh. Kështu për shembull pilulat kontraceptive përmbajnë laktozë, po ashtu edhe disa tabletave që përdoren për uljen e aciditetit të stomakut. Megjithatë, këto produkte tipike mund të ndikojnë vetëm në disa njerëz me intolerancë të rëndë ndaj laktozës sepse sasia në këto raste është shumë e vogël. Shumica e njerëzve për fat kanë një intolerancë të mesme ndaj laktozës, kështu që mund të jetë e nevojshme të eliminohet vetëm qumështi, kosi, gjiza dhe akullorja. Edhe pse kosi përmban sasi të mëdha të laktozës ai shpesh tolerohet mirë nga njerëzit që vuajnë nga kjo intolerancë.

Kjo për arsye se kosi përmban baktere që kanë vetë laktozë, duke bërë zbërthimin e laktozës. Në vend të qumështit të zakonshëm mund të përdoret fare mirë qumështi i sojës dhe qumështi i orizit. Pakësimi i qumështit dhe produkteve të tij në dietë mund të çojnë në uljen e nivelit të kalciumit dhe të vitaminës D. Kjo rrit rrezikun për osteoporozën dhe thyerjet kockore. Prandaj është e rëndësishme që këta persona të plotësojnë dietat e tyre me kalcium dhe vitaminën D.

Mrekulli