Në Kinë po përhapet "eutanazia","letra para vdekjes"

2017-03-23 10:56:50 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, shkrimtarja tajvaneze Qiong Yao 79-vjeçe postoi në internet një letër drejtuar djalit dhe bashkëshortes së tij, ku shprehte dëshirën e saj për të vdekur. Ajo theksonte në letër se nuk dëshironte të përballej me operacion, pastaj me terapinë intensive, tubin nazogastrik apo masa të tjera për ta mbajtur në jetë. Kjo zonjë e moshuar preferon një vdekje të qetë dhe me dinjitet. Letra e shkrimtares Qiong Yao shkaktoi një debat të gjerë të përdoruesve të internetit, të cilët shprehën qëndrime të ndryshme ndaj vdekjes së parazgjedhur..

Vdekja e qetë e përmendur në letrën e Qiong Yao-s është një vdekje natyrore, që refuzon ndërhyrjet e tepërta mjekësore në fazën e fundit të jetës. Në këtë rast kemi të bëjmë me pacientë me sëmundje të pashërueshme, apo në fazën e fundit (terminale) të sëmundjeve të rënda. Nëse familjarët e pacientit nënshkruajnë dokumentin, përmes të cilit kërkojnë moskryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët mund të heqin nga përdorimi pajisjen që ndihmon për të marrë frymë të sëmurin, si dhe shërbime të tjera që e mbajnë atë në jetë.

Në shoqërinë tajvaneze, vdekja e qetë, apo e njohur shkencërisht si "eutanazia" është pranuar gjerësisht nga opinion publik.

Më 13 mars, në kryeqendrën e provincës Jiangsu, Nanjing u organiozua një veprimtari në të cilën u diskutua për "letrën para vdekjes".

Në këtë veprimtari ndërgjegjësuese të pranishmit mundën të mësojnë konkretisht kushtet në të cilat një pacient vendos të ndërpresë ndihmën intensive mjekësore dhe zgjedh "vdekjen me dinjitet".

"Letra para vdekjes" është një zgjedhje e pacientit ndaj veprimeve të mjekëve për të zgjatur jetën e tij, pavarësisht dhimbjeve, apo gjendjes së tij. Në çastet e fundit të jetës, shumë të sëmurë nuk mund të shprehin qartësisht mendimet e veta, për shkak të sëmundjes së rëndë apo edhe moshës së madhe.

Kryeinfermierja e pavijonit të onkologjisë pranë spitalit "Gu Lou" të qytetit Nanjingut, Yuan Ling u shpreh se shumë familjarë dhe pacientë nuk kishin shkruar letër para vdekjes, duke e lënë fatin e tyre në një dilemë lidhur me fundin e jetës.

"Familjarët nuk e dinë dëshirën e pacientit, pasi ai ka humbur aftësinë e të folurit.. Por është presioni shoqëror apo mentaliteti që në shumicën e rasteve I detyron familjarët e të sëmurëve në gjendje shumë të rëndë dhe të pashpresë për jetën, që të vazhdojnë përpjekjet për ti mbajtur të afërmit në jetë. Këto përpjekje mund t'u sjellin vetë pacientëve dhe familjarëve të tyre dhimbje të madhe. "

Për shkak të shmangies së vdekjes në kulturën tradicionale kineze, krahasuar me vendet e zhvilluara ekziston një lloj tabuje, pasi nuk flitet shumë për të. Prandaj, shumë familjarë të të sëmurëve në gjendje kritike për jetën e kanë të vështirë të ndërmarrin përgatitje që lidhen me vdekjen apo ta planifikojnë atë.

Nëse pacientët mund të shkruajnë një letër para vdekjes, familjarët dhe pacientët mund të reagojnë ndaj vendimit të të sëmurit familjar dhe ta përballojnë qetësisht ardhjen e vdekjes. Sipas Yuan Ling-ut, kjo letër ofron një zgjedhje të respektuar dhe dinjitoze:

"Në fakt, familjarët nuk I refuzojnë metodat si ndërhyrjen e panevojshme kirurgjikale, apo të tjera përpjekje për ta mbajtur pacientin në jetë me çdo kusht.

Por familjarët nuk guxojnë të shprehin mendimet e tyre dhe nuk dine si të veprojnë në këtë moment të veçantë. Nëse pacientët mund të shkruajnë një letër para vdekjes, ku shprehin qartë dëshirën e tyre për një fund të qetë, familjarët dhe personeli mjekësor mund të marrë masa për përmbushjen e vullnetit të pacientit. Nëse është e nevojshme, do të përpiqemi për të zgjatur jetën e pacientit, porn ë raste të pamundura, duhet të heqim dorë". .

Për pacientët e prekur nga sëmundjet e pashërueshme, garantimi i jetës së cilësuar në fazën e fundit është objektivi i terapisë së hospices, krijuar nga mjekja angleze Dame Cicely Saunders në vitin 1947. Ajo ofroi shërbimet mjekësore ndaj një pacient anglez të prekur nga kanceri. Në atë periudhë, spitalet nuk mund të ndihmonin pacientët me pakësimin e dhimbeve. Dame Cicely Saunders ndërtoi një mjedis shtëpiak për pacientët e prekur nga kanceri, ku ofronte shërbimet psikologjike dhe shërbime të lehta fizike për fazën e fundit të jetës së tyre. Terapia e hospices ndihmon për të plotësuar dëshirat e fundit të pacientit, duke krijuar një mjedis të qetë për periudhën e fundit të tyre. Kjo terapi po ndërmerret vitet e fundit nga organet mjekësore kineze. Qysh nga viti 2011, në qytetin Nanjing është ndërmarrë terapia e hospices ndaj mbi 1000 pacientëve, në fazën e fundit të jetës. Mjekët iu japin pacientëve qetësues të dhimbjeve fizike, duke garantuar largimin e tyre nga jeta qetësisht dhe me dinjitet.

Sekretarja e përgjithshme e Shoqatës së Shërbimeve Mjekësore të Nanjingut, Ni Xinxin tha se në të ardhmen, do të përhapet terapia e hospices, me qëllim kryerjen e saj në shtëpitë e pleqve, spitalet e komunitetit dhe organet e tjera shëndetësore.

"Tani, po organizojmë këtë terapi në qendrat shërbimit shëndetësor dytësor dhe terciar, ku përfshihen shtëpitë e të moshuarve, si dhe qendrat e shërbimeve mjekësore të komunitetit. Pasi pacientët dërgohen në spitalet e komunitetit, do të vazhdojmë shërbimet mjekësore të posaçme, duke iu ofruar atyre lehtësi dhe qetësi në çastet e fundit të jetës. " (Xu Guang)

Mrekulli