Profesori Wang Ning një nga neurokirurgët më të njohur në Kinë

2017-03-10 20:46:34 CRI Komenti juaj Printoni

Profesori Wang Ning është neurokirurg pranë Spitalit Nr.1 të Universitetit Mjekësor të Harbinit, qytet i Kinës verilindore. 50 vjeçari Wang Ning me një trup të gjatë dhe elegant ka pamjen e një studiuesi. Ai është tepër i njohur në provincën Heilongjiang si neurokirurg, por dhe si anëtar i Shoqatës Botërore të Neurokirurgjisë. Në shtator të viti 2016, ai ishte i ftuar i veçantë në "Forumin e 3-të të Neurokirurgjisë të Tokio-s" ku paraqiti një kumtesë akademike për neurokirurgjinë.

Puna e përditëshme në spital është e lodhshme për profesorin Wang. Gjatë një operacioni në tru ai hyri në sallë në orën 13:00 dhe doli prej saj në orën 22:00. I gjithë operacioni përfshin punët përgatitore si anestezi, craniotomy(hapja e kokës) për të vijuar më pas me ndërhyrjen përfundimore si trajtimi i plagës, qepja e plagës etj, të cilave mjekët iu kushtojnë rreth 10 orë punë intensive.

Profesori Wang Ning tregon se neurokirurgjia ndryshon nga kirurgjitë në pjesë të tjera të trupit:

"Neurokirurgjia ka nevojë për një kohë të gjatë dhe saktësi të lartë. Brenda ditës kryejmë vetëm një operacion, pasi duhen mbi 10 orë punë. Para disa ditëve kryem një ndërhyrje shumë të vështirë kirurgjikale, për shkak të një mase të madhe tumorale, e cila kishte mbuluar një arterie të rëndësishme brenda trurit. Na u dhesh kohë dhe vëmendje e madhe për ndërhyrjen kirurgjikale, për të mos lejuar dëmtimet e nervave të pacientit. Një prerje e thellë mund të dëmtonte arterien, ndaj na u desh të hiqnim me kujdes të madh masën tumorale, duke shmangur arterien. Veprimet duhet të jetë të ngadalta sepse bëhet fjalë për heqjen e një tumori."

Gjatë intervistës, doktori Wang Ning u ndal në mënyrë të veçantë te cilësia e kirurgjisë. Sipas tij puna e kirurgut kërkon vëmendje të madhe pasi duhet të ndalë gjakderdhjen gjatë operacionit. Gjakderdhja e shumtë nuk favorizon riaftësimin e pacientëve pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Pacientët e operuar nga profesori Wang Ning riaftësohen shumë shpejt , madje disa prej tyre mund të lëvizin lirisht pas disa ditësh. Në korridorin e pavijonit të neurokirurgjisë, gazetari u takua me disa pacientë, që po shëtitnin. Duke folur për doktorin Wang Ning, ata shprehën falënderime dhe respekt të madh . Pacienti Xu Qiang tha:

"Nuk besoja se mund të shërohesha. Kur mësova se kisha tumor në tru dhe duhet të operohesha, u stresova jashtë mase. Pas rekomandimeve të mjekut dhe konsultimeve të familjarëve, veçanërisht pas shikimit të vlerësimeve të larta nga pacientët në internet, unë dhe familjarët vendosëm të operohesha nga doktori Wang Ning. Ishte një vendim i drejtë ndaj falenderoj nga zemra doktorin Wang Ning."

Në zyrën e doktorit Wang Ning vijnë për konsulta shumë familjarë të pacientëve, madje shumë prej tyre nga krahina të largëta. Ai u ka ngjallur shumë besim pacientëve, jo vetëm për shkak të profesionalizmit të lartë por dhe nga morali i lartë dhe niveli i tij i lartë akademik.

Në vitin 1985, doktori Wang Ning u diplomua nga Universiteti i Mjekësisë i Harbinit dhe nisi punën në pavijonin e neurokirurgjisë të spitalit Nr 1 pranë këtij universiteti. Në vitin 1994, ai shkoi në Spitalin e Universitetit të Mjekësisë të Pekinit ku u specializua nga profesori Ren Jixuan, neurokirurgu më i njohur kinez në fushën e tumoreve të hipofizës, ku dhe mbrojti studimet për master. Në vitin 2001, profesori Wang u specializua në Japoni, ku dhe mbrojti doktoraturën pranë Universitetit të Mjekësisë, ku studjoi për një periudhë 4 vjeçare. Drejtuesi i doktoraturës së tij ishte zv-kryetari i Shoqatës Botërore të Neurokirurgjisë, profesori Teramoto.

Kur flet për pasionin e tij për zgjedhjen e profesionit të mjekut, doktori Wang Ning tregon:

" Unë jam me origjinë nga Harbini. Zgjodha degën e mjekësisë pasi mendoj se profesioni i mjekut është i shenjtë. Pas diplomimit punova si neurokirurg dhe pashë se kisha interest ë veçantë për këtë specialitet Duke qenë se një neurokirurg duhet të jetë i duruar dhe i kujdesshëm mendoj se kam karakteristika të përshtatshme për këtë profesion."

Doktori Wang Ning tani ka ngjitur majat e karrierës së tij si neurokirurg. Brenda një viti, ai kryen mbi 300 ndërhyrje kirurgjikale, përfshirë tumoret e ndryshme të trurit. Ai ka shpëtuar jetën e shumë pacientëve dhe është vlerësuar lart nga kolegët, për punën e shkëlqyer por dhe përmirësimin e mëtejshëm të teknikës kirurgjikale.

Doktori Wang Ning drejtoi një grup të ri mjekësh dhe u tha se spitali ka për mission shpëtimin e jetës së pacientëve dhe mjekët duhet të trajtojnë me dashuri dhe kujdes çdo pacient. Mjeku Li Kuan që po bën punën praktike në Universitetin e Mjekësisë të Harbinit, tha se

"Profesori Wang trajton çdo pacient me dashuri dhe durim. Buzëqeshja dhe fjalët e buta të tij mund t'u japin pacientëve shpresë për të mundur sëmundjen. Gjatë ditës, profesori Wang nuk harron mjekët e rinj, me të cilët shpesh bashkëpunon duke përcjellë përvojën e tij të pasur. Profesori Wang është jo vetëm një doktor me teknikë të shkëlqyer neurokirurgjikale, por dhe një një studiues i përkushtuar dhe një pedagog i mirë i mjekëve të rinj."

(Xu Guang)

Mrekulli