Supermodelja Gigi Hadid vuan nga tiroidi Hashimoto

2016-12-30 17:14:03 CRI Komenti juaj Printoni

Supermodelja Gigi Hadid, 21 vjeç, rrëfehet për revistën Elle se vuan nga hipertioridizmi, ndërkohë ngadalësimi i metabolizmit jo pak herë i ka shkaktuar shtim në peshë dhe depresion, për dy vjet.

Pavarësisht diagnozës që ka ajo flet me krenari për Elle: 'Dhe të mendosh që nuk kam munguar asnjë ditë për shkak të sëmundjes.'

'E ndjej tensionin e mos gjetjes kohë për vete, por nuk marr pushime se nuk dua që kjo gjë të më ndikojë tek karriera,' shton ajo.

Sipas Shoqatës Amerikane për Tirodet, Tiroiditi Hashimoto është më i përhapur tek gratë e moshës mesatare, megjithëse mund të ndodhë në çdo moshë dhe të prekë edhe burrat.

Sipas mjekes endokrinologe Dr. Yllka Themeli në një intervistë për "Mapo", Yllka Themeli, problemet me natyrë autoimune janë shumë të përhapura në mbarë botën. Njihen rreth 80 të tilla, si artriti reumatoid, vitiligo, psoriaza, sëmundjet inflamatore të zorrës, tiroiditi Hashimoto, etj. Veçanërisht për tiroiditi Hashimoto është një sëmundje inflamatore e gjendrës tiroide, me natyrë autoimune, për të cilën mjekët endokrinologë japin alarmin për shtim të shumtë të personave të prekur.

Ato janë të pashërueshme, të trashëgueshme, 10-15 herë më të shpeshta tek femrat. Në bazë të tyre qëndron lufta e brendshme midis sistemit imunitar të një organizmi dhe qelizave të shëndetshme të këtij organizmi, me rezultat final shkatërrimin e plotë të këtyre të fundit. Në varësi të organit apo strukturës së prekur, shfaqen edhe simptomat, të cilat shpesh janë të ngjashme për sëmundje të ndryshme, duke e bërë diagnostikimin edhe më të vështirë. Ndodh që një person të ketë dy ose më shumë sëmundje autoimune në të njëjtën kohë, ose të shfaqen në periudha të mëvonshme të jetës.

Shkaku

Është e rëndësishme të theksojmë që shkaku i këtij fenomeni është inflamacioni në nivelin e indeve përkatëse, në rastin e Hashimotos ai ndodh në gjëndrën tiroide, kryesisht tek femrat me moshë 30-50 vjeç. Tek meshkujt mosha e shfaqjes së kësaj sëmundjeje është 10-15 vjet më e madhe se tek femrat. Gjithsesi, incidenca e Tiroiditit Hashimoto rritet me rritjen e moshës tek të dy gjinitë. Sot ai përfaqëson shkakun më të shpeshtë të Hipotireozës (mosprodhimit të mjaftueshëm të hormoneve të gjëndrës tiroide) në botë.

Sëmundja

Tiroiditi Hashimoto është përshkruar për herë të parë në vitin 1912 nga një kirurg japonez, i quajtur Hakaru Hashimoto. Fillimi i procesit inflamator në këtë sëmundje është ende i paqartë. Në bazë të tij qëndron lufta e brendshme imunitare që konsiston në shkatërrimin e qelizave të tiroides nga antitrupat e prodhuar nga sistemi imunitar kundër kësaj gjëndre. Këto antitrupa janë Anti TPO dhe Anti Tg, dhe nëpërmjet dozimit të tyre në gjak vlerësohet prania ose jo e Hashimotos. Mjafton që të paktën njëri prej tyre të rezultojë pozitiv, pra mbi vlerën maksimale të lejuar të normës, që pacienti të konsiderohet me diagnozën e tiroiditit Hashimoto. Ecuria e sëmundjes çon në shkatërrim gradual të gjëndrës, me ulje të funksionit të saj, që reflektohet me pakësimin e sasisë së hormoneve që ajo prodhon. Këto hormone janë T3 (trijodtironina) dhe T4 (tiroksina). Ato dozohen në gjak së bashku me TSH, që është komanduesi specifik i trurit për gjëndrën tiroide. Përgjithësisht hormonet rezultojnë normale në analiza, që tregojnë që shkatërrimi i gjëndrës nga sistemi imunitar nuk është i rëndësishëm, edhe pse njëri apo të dy antitrupat janë pozitivë. Gjithsesi, pacienti mund edhe të rezultojë me hormone të tiroides normale, por me TSH të lartë. Kjo është një shenjë që tregon se po fillon mangësia hormonale dhe duhet kompensuar nga jashtë me hormon tiroidien në formën e tabletës. Gjithashtu, në analizat e gjakut mund të konstatohet edhe rritje e nivelit të yndyrnave (kolesterolit total, LDL-Kolesterolit dhe triglicerideve) në gjak, të cilat e rriskojnë pacientin për sëmundje të arterieve koronare.

Gjatë ekografisë së tiroides, në pacientët me Hashimoto gjendra tiroide rezulton përgjithësisht e zmadhuar, por mund të gjendet edhe e zvogëluar (atrofike) ose me dimensione normale.Pacientët me Tiroidit Hashimoto në stade fillestare kanë shenja jospecifike, pra që nuk sugjerojnë për probleme të tiroides. Të tilla janë:

Lodhja e madhe trupore

Kapsllëku

Tharja e lëkurës

Shtimi në peshë

Gjatë përparimit të sëmundjes, mund të shfaqet:

Mostolerimi i të ftohtit

Ndjesia e shtrëngimit në zonën e qafës

Ngjirja e zërit

Ngadalësimi i lëvizjeve

Depresioni

Dobësimi i kujtesës

Dhimbjet e kyçeve dhe ngërçet muskulare

Rënia e flokëve

Çrregullimet e menstruacioneve

Përgjumja gjatë ditës

Gërhitja e theksuar gjatë natës.

Trajtimi

Trajtimi i zgjedhur me medikamente për Tiroiditin Hashimoto ose hipotireozën (sipas rastit) është ai hormonal, në formën e Levotiroksinës, me tableta, që zgjat përgjithësisht për të gjithë jetën.

Ndërhyrja kirurgjikale vlen për rastet që paraqesin:

Tiroide tepër të zmadhuar, që u shkakton pacientëve vështirësi në frymëmarrje, në gëlltitje, probleme me zëtin, gërrhitje, etj.

Një nodus që rezulton malinje ose limfomë në ekzaminimin citologjik (me citopunksion).

Arsye kozmetike.

Ecuria

Gjatë trajtimit me hormon tiroidien në formën e Levotiroksinës, duhet treguar kujdes në këto drejtime:

Hormoni i tiroides duhet të merret esëll në mëngjes, 1 orë para ushqimit, 2-3 orë para produkteve që përmbajnë kalcium dhe kafeinë (si kafeja, qumështi dhe produktet e tij, etj.)

Duhet treguar kujdes nga ndërveprimi i hormonit të tiroides me medikamente të tjera (si kolestiramina, sulfati i hekurit, karbonati i kalciumit, hidroksidi i aluminit dhe antiacidet e tjera, si dhe të gjitha mutivitaminat që përmbajnë hekur), pasi të gjitha këto dëmtojnë përthithjen e Levotiroksinës, pra ajo nuk jep efektin e pritshëm.

Monitorimi i rregullt i TSH, të paktën çdo 6 muaj, për të vlerësuar dozën e duhur të hormonit.

Të rivlerësohet niveli i yndyrnave në gjak: nëse ato nuk normalizohen nga trajtimi me hormon të tiroides, kjo tregon që nuk kanë qenë të lidhura vetëm me problemin e tiroides, dhe për këtë arsye duhet të trajtohen me medikamente specifike për uljen e tyre.

Rreziku i kancerit papilar të tiroides është i lartë tek pacientët me Tiroidit Hashimoto. Për këtë arsye, pacientët e diagnostikuar me Tiroidit Hashimoto që kanë një apo disa noduse (kokrra) në tiroide, duhet të jenë të kujdesshëm duke i vlerësuar çdo 3 muaj me ekografi të tiroides. Nëse madhësia dhe/ose struktura e tyre rezulton me ndryshime të rëndësishme ekografike, duhet të kryhet citopunksioni i noduseve (vlerësimi citologjik i qelizave të tyre).

Kujdes: nëse TSH nuk monitorohet rregullisht, pacienti mund të shfaqë këto ndërlikime gjatë trajtimit zëvendësues me hormon të tiroides:

Dobësim i përshpejtuar i kockave, me pakësim të densitetit të tyre dhe osteoporozë

Përshpejtim i rrahjeve të zemrës

Trashje e mureve të zemrë

Mrekulli
Lajmet Kryesore