Stërvitja dhe menstruacionet

2016-08-26 12:34:40 CRI Komenti juaj Printoni

Notarja kineze Fu Yuanhui u vlerësua në rrjetet sociale për mënyrën se si foli pas performancës së dobët në disiplinën 4×100 për femra.

Në lot ajo i shpjegoi gazetarës se ishte me menstruacione gjatë kohës që notoi dhe kishte dhembje të vazhdueshme.

Skuadra kineze u rendit në vendin e 4-t duke mos mundur të ngjitet në podium dhe të fitonte medalje.

"Periodat më erdhën natën e kaluar dhe unë ndjehem shumë e lodhur tani," tha Fu. "Megjithatë ky nuk është një justifikim, unë nuk notova si duhej".

Gjysma e sportisteve nuk performojnë si duhet gjatë ciklit menstrual.

Me dhimbje në fund të barkut, dhimbje koke, luhatje humori pjesa më e madhe e grave janë shumë të lodhura gjatë ciklit.

Kohët e fundit shumë sportiste e kanë shfaqur hapur se performanca e tyre e dobët gjatë lojërave apo kampionateve të ndryshme ka ardhur si pasojë e periodave – tenistja Heather Watson tha vitin e kaluar se humbi në raundin e parë të "Australian Open" pikërisht për këtë arsye.

Po ashtu kampionia Petra Kvitova tha se sportistet femra me cikël kanë shumë vështirësi gjatë kohës që trajnohen dhe luajnë.

Sipas studimeve të fundit gjakderdhja e tepërt ndikon tek një femër fizikisht, emocionalisht dhe shoqërisht dhe mund të trajtohet me medikamente.

"Deri tani shumë femra kanë vuajtur në heshtje, dhe askush nuk e kishte vënë re këtë problem, ato e kalonin në heshtje," tha Dr Charles Pedlar nga Universiteti St Mary.

Ai tha se ka mundësi që shumë prej këtyre femrave kanë mungesë hekuri që mund të shkaktojë lodhje dhe t'i pengojë ato për të performuar si duhet.

Ish-tenisja numër një nga Birtania pranoi se pati shumë gjakderdhjegjatë një performance të saj dhe u ndikua shumë nga kjo gjë.

"Çdo grua është e ndryshme, por kur vuan nga gjakderdhja e lartë çdo grua do të ndjehet e lodhur, mund t'i dhëmbë koka apo të ketë këputje dhe dhimbje këmbësh.

"Në fakt, duket sikur gjen pretekst, prandaj edhe pse humba nuk e bëra publike arsyen e vërtetë, periodat".

Dhimbjet e menstruacioneve janë një nga torturat më të këqija, torturë që përsëritet në kohë çdo muaj.

Shumë meshkuj i minimizojnë këto dhimbje, duke menduar se në fund të fundit, ngjan me një dhimbje stomaku, e se të gjitha ato "skena" janë të tepërta.

Dhe sot, më në fund, edhe shkenca thotë pa hezitim se "meshkujt nuk mund të kuptojnë."

Këto janë fjalët e John Guillebaud, profesor në "University College di Londra", i cili thotë: "Meshkujt nuk mund ta kuptojnë. Mendoj se kjo është diçka për t'u kujdesur, e për të mos u nënvlerësuar".

Nuk është e habitshme, që termi "histeria" e ka prejardhjen nga fjala greke "hysterikòs" apo "mitër".

Për Hipokratin ishte një shenjë dobësie femërore, për Aristotelin, një horror që dëshmon inferioritetin e femrave.

Cikli juaj menstrual

Ju tani ndoshta keni shumë njohuri për ciklin menstrual - si p.sh. sa shpesh ju vijnë periodat dhe sa të rënda janë ato.

Kohëzgjatja e ciklit të femrave ndryshon dhe më e zakonshmja është diku midis 23 dhe 35 ditë. Ndryshimet në kohëzgjatjen e ciklit menstrual kanë më shumë gjasa të ndodhin gjatë fazës së ciklit përpara ovulimit. Për shumicën e femrave, kohëzgjatja midis ovulimit (koha kur veza shkëputet nga vezorja) dhe periodave mujore është nga 12 deri në 16 ditë.

Dita e parë e ciklit tuaj menstrual është dita e parë e periodave tuaja (dita 1). Pas kësaj, periodat zgjasin zakonisht nga 3 deri në 7 ditë. Ndoshta mund të vini re që nëse keni dhimbje periodash, ato do të jenë më të theksuara në ditët e para të tyre. Kjo ndodh sepse hormonet në trupin tuaj bëjnë që mitra të largojë vetë me anë të periodave shtresën e krijuar në ciklin e mëparshëm menstrual.

Përgatitja për ovulim

Në fillim të ciklit, gjëndra e hipofizës në trurin tuaj prodhon hormonin që stimulon folikulat (FSH). Ky është hormoni kryesor i përfshirë në stimulimin e vezoreve për prodhimin e vezëve të pjekura. Folikulat janë zgavrat e mbushura me lëngje në vezoret tuaja. Çdo folikul përmban një vezë të pazhvilluar. Hormoni FSH stimulon zhvillimin e disa folikulave dhe fillimin e prodhimit të hormonit estrogjen. Niveli i estrogjenit është më i ulët në ditën e parë të periodave. Më pas, ai fillon të rritet së bashku me rritjen e folikulave.

Pavarësisht se fillimisht zhvillohen disa folikula, normalisht njëri prej tyre bëhet "dominues" dhe kjo vezë piqet brenda folikulit që rritet. Në të njëjtën kohë, sasia e rritur e estrogjenit në trupin tuaj siguron mbushjen e shtresës së mitrës me lëndë ushqyese dhe gjak. Kjo ndodh me qëllim që, nëse mbeteni shtatzënë, veza e fekonduar të ketë të gjitha lëndët ushqyese dhe kushtet e nevojshme për rritjen e saj. Nivelet e larta të estrogjenit shoqërohen gjithashtu me shfaqjen e mukusit "të përshtatshëm për spermën". Kjo mund të vihet re në formën e sekrecioneve të holla e të rrëshqitshme me ngjyrë të bardhë të turbullt.

Ovulimi

Niveli i estrogjenit në trupin tuaj vazhdon të rritet dhe shkakton një rritje të menjëhershme të nivelit të hormonit luteinizing ("shpërthimi i LH-së"). Ky "shpërthim" i LH-së shkakton ndarjen e folikulit dominues dhe shkëputjen e vezës së pjekur nga vezorja, nga ku hyn në gypin e Falopit. Ky proces njihet si ovulim.

Shumë femra mendojnë se ovulimi ndodh në ditën e 14-të, por dita e 14-të është llogaritur si mesatare dhe në shumicën e femrave ovulimi ndodh në fakt në ditë të ndryshme të ciklit menstrual. Dita e ovulimit ndryshon nga njëri cikël në tjetrin. Disa femra pretendojnë se ndiejnë një dhimbje therëse gjatë ovulimit, por shumë të tjera nuk ndiejnë asgjë dhe nuk ka shenja të tjera që tregojnë se ovulimi po ndodh.

Pas ovulimit

Pasi është shkëputur, veza (ose veza-qelizë) lëviz drejt mitrës nëpërmjet gypit të Falopit. Veza mund të mbijetojë për deri në 24 orë. Jetëgjatësia e spermës është më ndryshueshme, por zakonisht 3-5 ditë, pra ditët përpara ovulimit dhe vetë dita e ovulimit kanë nivel më të lartë fertiliteti - koha kur ka më shumë gjasa që të mbeteni shtatzënë. Menjëherë pas ovulimit, folikuli fillon të prodhojë një hormon tjetër: progesteronin.

Progesteroni shkakton formimin e mëtejshëm të shtresës së mitrës duke u përgatitur për vezën e fekonduar. Ndërkohë, folikuli i zbrazët brenda vezores fillon të tkurret, por vazhdon prodhimin e progesteronit dhe gjithashtu fillon prodhimin e estrogjenit. Në këtë fazë mund të përjetoni simptomat e tensionit paramenstrual (PMT) si dhimbje të gjoksit, plogështi, mërzitje dhe acarim.

Pas ovulimit

Përgatitja për periodat vijuese…

Ndërkohë që folikuli i zbrazët tkurret, nëse veza nuk është fekonduar, nivelet e estrogjenit dhe progesteronit ulen. Me mungesën e niveleve të larta të hormoneve për ta ndihmuar në ruajtjen e shtresës së trashë të mitrës, ajo fillon të shpërbëhet dhe trupi juaj e nxjerr atë. Ky është fillimi i periodave dhe gjithashtu fillimi i ciklit menstrual vijues.

Përgatitja për periodat vijuese

Ose për shtatzëninë

Nëse veza është fekonduar, ajo mund të implantohet me sukses në shtresën e mitrës. Kjo zakonisht ndodh rreth një javë pas fekondimit.

Menjëherë pas vendosjes së vezës së fekonduar, trupi juaj fillon të prodhojë hormonin e shtatzënisë, (HCG), e cila do ta mbajë aktiv folikulin e zbrazët. Ai vazhdon të prodhojë hormonin estrogjen dhe progesteron për të parandaluar nxjerrjen e shtresës së mitrës derisa placenta (e cila përmban të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për embrionin) të ketë arritur pjekurinë e mjaftueshme për të mbajtur shtatzëninë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore