Marrëdhënia nënë-foshnjë mund të jetë edhe e pashëndetshme

2016-05-06 17:55:59 CRI Komenti juaj Printoni

Mëmësia është një instikt biologjik i cili shoqëron ҫdo grua që nga momenti i konceptimit të foshnjes e deri në fund të jetës së saj. Marrëdhënia ndërmjet nënës dhe fëmijës vendoset që në minutat e para të ardhjes në jetë të fëmijës. Shumë studime dhe teori janë fokusuar pikërisht në rëndësinë jetike të kësaj marrëdhënie.

John Bowlby, një psikiatër/psikoanalist britanik, është konsideruar themeluesi i teorisë së atashimit duke e përkufizuar si "lidhja psikologjike më e qëndrueshme ndërmjet qënieve njerëzore". Bazuar në teorinë e Bowlbyt dhe Ainsworth, marrëdhënie nënë-foshnje u emërtua marrëdhënie atashuese, midis foshnjes dhe figurës primare atashuese (nëna biologjike, kujdestari). Kjo lidhje është konsideruar si një "bazë e sigurt" e cila i jep besimin foshnjes që mund të eksploroj mjedisin përreth duke ditur se figura atashuese është gjithmonë e gatshme për ti dhënë siguri dhe mbrojtje, në raste nevoje. Sipas përqasjes psikoanaliste dhe bihejvioriste, të ushqyerit me gji, është parë si konteksti qendror, mbi të cilin zhvillohet atashimi. Ushqimi me gji është quajtur "ushqimi i shpirtit", pasi gjatë ushqyerjes ndodhin shumë proҫese si: fëmija dhe nëna përҫojnë emocione, dashuri, kanë një kontakt fizik ku foshnja njeh nënën. Marrëdhënia atashuese është studiuar në situata ndërveprimi si përshembull: gjatë episodeve kur fëmija është i pavarur, gjatë ndërveprimit me nënën, gjatë ndërveprimit me persona të tjerë të afërm ose familjar si dhe gjatë episodeve të ndarjes nga nëna. Kjo lidhje e fortë emocionale dhe afektive është një ndikues dhe parashikues dominant në vazhdimësinë e jetës së fëmijës.

Duke iu referuar teorisë së atashimit, cilësia e kontaktit që nëna vendos me foshnjën e saj, e kategorizuan këtë marrëdhënie në dy grupime të mëdha: marrëdhënie atashuese e sigurt dhe marrëdhënie atashuese e pasigurt. Fëmijët të cilët kanë një marrëdhënie të sigurt me nënën, kanë besimin se figura atashuese (nëna) do ti përgjigjet në mënyrë të përshtatshme nevojave të tyre. Këta fëmijë janë eksplorues të mirë të mjedisit ku ndodhen, kanë aftësi të mira të socializohen me të tjerët ( gjyshërit, të afërmit, fëmijët e tjerë), nuk përjetojnë ankth gjatë episodeve ku nëna largohet prej tyre dhe kanë besimin se kur ata të ndjejnë nevojën për afërsi me nënën, ajo do jetë sërisht pranë tyre. Fëmijët të cilët kanë një marrëdhënie atashuese të pasigurtë më nënën, manifestojnë një sistem sjelljesh të papërshtatshme të ndikuara nga reagimet e nënës.

Në rastet kur nëna është neglizhuese ndaj nevojave të fëmijës, fëmija nuk i referohet më figurës atashuese (nënës) në situata të perceptuara si kërcënuese, por është fizikisht dhe emocionalisht i pavarur. Kur nëna është ankthioze, hiperprotektive në raport me fëmijën e saj, fëmija e ka të vështirë të largohet nga figura atashuese dhe ka shpërthime emocionale (të qara pa pushuar), dhe e ka të domosdoshme prezencën fizike të nënës kur është duke luajtur, kur ndodhet në një mjedis të ri, ose kur pranë tij ndodhet një person i panjohur.

Marrëdhënia që vendoset ndërmjet foshnjes dhe nënës, ka një sërë fak

torësh që e përcaktojnë të cilët nisin me vendimin dhe dëshirën për tu bërë prind, gjëndjen psikologjike të nënës, me marrëdhënien që partnerët kanë me njëri-tjetrin, rolin e partnerit në ndarjen e eksperiencës së prindërimit si dhe ndikimin që kanë familjarët e tjerë (gjyshërit, të afërmit etj). Studimet kanë arritur në përfundimin se në rastet kur nëna është e pastabilizuar emocionalisht ( vuan nga depresioni post-partum, gjendjet e ankthit etj) marrëdhënia me fëmijën do të jetë ankthioze, neglizhuese dhe e pasigurt. Gjithashtu në situatat kur ҫifti ka një marrëdhënie të pastabilizuar afektive, ky është një tregues tjetër që nëna të vendos një marrëdhënie të pashëndetshme me fëmijën. Një tjetër faktor i rëndësishëm është eksperienca që vet nëna e re, ka me nënën e saj dhe sa i shëndetshëm është ky model. Të gjithë këta faktorë dhe shumë të tjerë, kanë një rëndësi të madhe për cilësinë e marrëdhënies së nënës me foshnjen.

Por ҫfarë tregon kjo marrëdhënie për zhvillimin e fëmijës? Një marrëdhënie e shëndetshme e nënës me fëmijën, është një tregues për shëndetin mendor, emocional dhe social të fëmijës. Fëmijët të cilët rriten në një mjedis akthioz, hiper-protektiv, neglizhues janë në risk për të zhvilluar një sërë ҫrregullimesh që në moshën parashkollore si psh: sjellje problematike eksternalizuese (agresivitet, mungese kompliance me bashkëmoshatarët, hiperaktivitet, vështirësi për të kontrolluar emocionet); sjellje internalizuese ( ndroje, izolim social, pasiguri), ҫrregullime të të nxënit, gjendje ankthi, dhe ҫrregullime të personalitetit në një moshë të mëvonshme. Fëmijët që rriten me dashuri, mbështetje, besimin që dikush do t'i përgjigjet të qarave, nevojave, e lojës, dëshirës për ndërveprim, kanë marrëdhënie më të qëndrueshme me bashkëmoshatarët, kanë më shumë vetbesim dhe vetëvlerësim, si dhe kanë një performancë më të mirë akademike.

Nëse do ta perceptonim zhvillimin e fëmijës në formën e një peme ku degët e së cilës janë të gjithë elementët kryesor që e përbëjnë si: zhvillimi fizik, psikologjik, emocional, social , në rrënjët e kësaj peme duhet të vendosim atashimin e hershëm të foshnjes me nënën e vet. Sa më shumë të vlerësohet rëndësia e këtij raporti, aq më shumë fëmijë të shëndetshëm do të rrisim. Fëmija ka nevojë bazike për dashuri, siguri, prani cilësore të figurave prindërore, stabilitet emocional si dhe dy prindër që ndajnë sëbashku eksperiencën e prindërimit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore