2020-06-30 17:11:36 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe: 临床---[lín chuáng]---Klink
Grupi Kombëtar Bioteknologjik i Kinës ka ndërtuar fabrikën më të madhe të vaksinave të çaktivizuara të COVID-19 në botë, ndërsa provat klinike të fazës I dhe II të vaksinës kanë pasur rezultate pozitive.
Rezultatet e provës klinike të vaksinës së çaktivizuar të COVID-19 të zhvilluar nga Grupi Kombëtar Bioteknologjik i Kinës dhe Instituti Kombëtar për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Virale tregojnë se vaksinimi është relativisht i sigurt dhe ka imunogjenitet të mirë.
Prova filloi në provincën Henan në prill.
Që atëherë, Grupi Kombëtar Bioteknologjik i Kinës ka ndërtuar në vetëm dy muaj fabrikën më të madhe në botë për prodhimin e vaksinave të çaktivizuara të COVID-19, e cila pritet të prodhojë 100 milionë doza vaksinash të çaktivizuara të koronavirusit në vit.
Kryetari i kompanisë Liu Jingzhen thotë se Kina nuk do të jetë përfituesja e vetme e vaksinës:
"Tani jemi duke punuar me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe 20 vende të tjera për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe përdorimin klinik dhe vijues të vaksinës. Në hapin tjetër, siç kërkohet nga presidenti kinez Xi Jinping, ne do t'ia japim vaksinën botës si një produkt të shëndetit publik global".
Ai shtoi se vaksina është krijuar duke kryer një testim në shkallë të gjerë në shtatë lloje kafshësh, duke përfshirë majmunët, minjtë dhe lepujt, dhe në të gjitha rastet është provuar efektiviteti i saj.
Rreth 2 000 vullnetarë kanë marrë pjesë në fazën e parë dhe fazën e dytë.
Rezultatet klinike tregojnë që denduria dhe shkalla e efekteve anësore janë shumë më të ulëta se të llojeve të tjera të vaksinave.
Vullnetarët thonë se ata nuk ndien ndonjë problem gjatë provave të vaksinës. Një prej tyre u shpreh:
"Pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, nuk ndjeva asnjë siklet. Familjarët dhe të afërmit e mi janë gjithashtu të interesuar të marrin pjesë në studimin e vaksinës."
Kurse një tjetër tregoi:
"Që nga vaksinimi i parë, kam ruajtur zakonet mira të jetesës, kam regjistruar informacionin e vëzhgimit dhe kam ofruar të dhënat standarde sipas kërkesave të mjekëve."
Testet klinike të vaksinës së COVID-19 normalisht kanë tre faza.
Faza e parë ka të bëjë kryesisht për vlerësimin e sigurisë së vaksinave, faza e dytë synon vlerësimin e sigurisë dhe imunogjenitetit, dhe faza e tretë vlerëson sigurinë e vaksinës dhe efektivitetin e saj në një shkallë më të gjerë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 140 vaksina kandidate të COVID-19 po krijohen në të gjithë botën deri më tani. Dhjetë prej tyre janë në vlerësim klinik, gjysma e të cilave janë të krijuara nga ekipet kërkimore kineze. (Vera)