Kinë, 148 lumenj kalojnë nivelin e alarmit

2020-06-12 18:59:47 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:洪水---[pīn yīn]---Përmbytje

Zv.ministri kinez i Burimeve Ujore Ye Jianchun bëri të ditur në një konferencë shtypi në Pekin se tani Kina ka hyrë plotësisht në sezonin e reshjeve dhe 148 lumenj në mbarë vendin e kanë kaluar nivelin e alarmit. Dy degët kryesore të lumit Zhujiang e kanë kaluar pikën kulmore të lejuar, duke shkaktuar përmbytje në disa zona.

Sipas z. Ye, sivjet Ministria e Burimeve Ujore do të fokusohet te përballja e tre rreziqeve, që përkatësisht janë sasia e madhe e ujërave, prishja e rezervuarëve dhe përmbytjet në zonat malore.

"Për sasinë e madhe të ujit, Ministria e Burimeve Ujore do të drejtojë sektorët e niveleve të ndryshme të hartojnë para fundit të këtij muaji projektet e reagimit emergjent për lumenjtë dhe qytetet. Do të përgatitemi në fushat si paralajmërimi, shpërndarja e ujit, mbrojtja e digave, zhvendosja e njerëzve etj. Për rezervuarët, do të përsosim sistemet përballuese dhe vëzhguese, duke përforcuar administrimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e pajisjeve paralajmëruese. Për përmbytjet në zonat malore, do të zhvillojmë trajnim për një personel prej më shumë se 10 mijë vetash që punojnë në 2076 konte ku ka rrezikshmëri të ndodhjes së një fatkeqësie të tillë, duke përmirësuar mirëmbajtjen e pajisjeve të vëzhgimit e paralajmërimit, si dhe mekanizmin e publikimit të informacioneve përkatëse", tha zv.ministri.

Kohët e fundit, në disa krahina të Kinës Jugore ka pasur shira të rrëmbyeshme, si pasojë e të cilave, disa lumenj kanë shkaktuar përmbytje të jashtëzakonshme. Siç mësohet nga Ministria e Burimeve Ujore, tani valës së parë të reshjeve po i vjen fundit, por në vijim do të ketë përsëri shira të mëdha. Nga qershori deri në gusht është faza kyçe e përballjes me përmbytjet në Kinë. Meqë parashikimet meteorologjike tregojnë se sivjet në jug të vendit do të ketë më shumë reshje, Kina ndodhet para sfidave serioze nga fatkeqësia lidhur me ujërat. Drejtori i Departamentit të Trajtimit të Përmbytjeve dhe të Thatësirave të Ministrisë së Burimeve Ujore Tian Yitang bëri të ditur në konferencën e shtypit se tani në Kinë ka mbi 300 mijë kilometra prita, më shumë se 98 mijë rezervuarë, mbi 100 mijë diga dhe mbi 110 mijë stacione hidrologjike. Sipas tij, ministria do të mbrojë sigurinë e funksionimit të këtyre objekteve, duke i lejuar ato të luajnë rolin e duhur.

"Për shembull, rezervuarët do të luajnë rolin e pritave, duke kufizuar sasinë e ujërave dhe duke ndryshuar pikun e përmbytjeve. Në rast se rezervuarët dhe pritat luajnë si duhet rolin e tyre, por përsëri nuk trajtohen përmbytjet, do të shfrytëzojmë zonat e lehtësimit të përmbytjeve (zonat ku shkarkohet një pjesë e ujit), për të mbrojtur objektet, qytetet dhe instalimet e rëndësishme nëpërmjet rezervimit të një pjese të ujit", tha z. Tian.

Mrekulli
Lajmet Kryesore