2020-06-10 17:05:54 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:对话---[duì huà]---Dialog
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi dhe komisionari i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell Fontelles drejtuan bashkërisht të martën videokonferencën e raundit të 10-të të dialogut strategjik të nivelit të lartë Kinë-BE.
Në videokonferencë Wang Yi tha se gjatë 45 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe BE-së, të dyja palët kanë pasur rezultate frytdhënëse në dialogun e bashkëpunimin në fusha të ndryshme, gjë që tregon se midis Kinës e BE-së bashkëpunimi është më i rëndësishëm se konkurrenca dhe pikat e konsensusit janë më të shumta se mosmarrëveshjet. Të dyja palët mirëpresin shumëpolarizimin e botës, përkrahin globalizimin ekonomik, nxitin demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, mbështetin konceptin e multilateralizmit dhe bëjnë përpjekje për mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në si thelb, të rendit ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe të sistemit tregtar shumëpalësh me OBT-në si gur themeltar. "Përvoja që kemi nxjerrë gjatë këtyre vjetëve, është se të dyja palët mund të shtojnë besimin e ndërsjellë nëpërmjet dialogut të barabartë, mund të realizojnë përfitime të përbashkëta nëpërmjet bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, mund t'i trajtojnë mosmarrëveshjet nëpërmjet shkëmbimeve konstruktive dhe mund t'i përballojnë bashkërisht sfidat globale nëpërmjet shtimit të bashkërendimit", tha kreu i diplomacisë kineze.
Wang vuri në dukje se Kina dhe BE-ja nuk janë rivale për sa u përket sistemeve, por kanë partneritet strategjik të gjatë dhe të gjithanshëm. Kina do të ngulë këmbë në rrugën e socializmit me karakteristika kineze, e cila ka vërtetuar se është e sukseshme. "Por ne nuk do ta eksportojmë sistemin dhe modelin tonë të zhvillimit," theksoi ministri i Jashtëm i Kinës. Pala kineze është për respektin e ndërsjellë të sistemeve të ndryshme, dialogun e barabartë dhe kërkimin e të përbashkëtave duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet. Qytetërimet e ndryshme duhet të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të përparojnë bashkërisht.
Kryediplomati kinez vuri në dukje më tej se Kina dhe BE-ja duhet ta shfrytëzojnë 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një pikënisje të re historike. Si dy forca kryesore globale, dy tregje të mëdha e dy qytetërime kryesore, Kina dhe Evropa duhet të konsolidojnë konsensusin mbi multilateralizmin dhe të ecin në përputhje me rrymën e përparimit botëror, që të forcojnë bashkëpunimin dypalësh në kornizën e OKB-së në mbrojtjen e paqes e stabilitetit të botës, në sistemin e shëndetit publik global dhe në përballimin e sfidës së ndryshimit të klimës.
Nga ana e tij, Borrell-i tha se pala evropiane respekton rrugën e zhvillimit të zgjedhur nga populli kinez dhe i kushton rëndësi rolit të Kinës në çështjet ndërkombëtare. BE-ja synon dialogun e bashkëpunimin me Kinën në bazë të respektit të ndërsjellë e jo të kundërvënies. Pala evropiane ka shumë shpresa te marrëdhëniet me Kinën dhe dëshiron të përpiqet bashkërisht me palën kineze për të nxitur arritjen e rezultateve pozitive të Samitit BE-Kinë, të sigurojë përfundimin në kohë brenda këtij viti të bisedimeve për marrëveshjen e investimeve BE-Kinë dhe të nxitë thellimin e marrëdhënieve evropiano-kineze.
"BE-ja dhe Kina këmbëngulin për multilateralizmin dhe pala evropiane mirëpret pjesëmarrjen e Kinës në bashkëpunimin ndërkombëtar. BE-ja është e gatshme të përpiqet bashkërisht me Kinën për përballimin e sfidave të ndryshme globale dhe për nxitjen e paqes e lulëzimit të botës," theksoi Borrell-i. (Wang Lei)