Forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është kërkesë e kohës

2020-06-04 18:42:47 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:榜样---[pīn yīn]---Shembull

Ditët e fundit, anëtari i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Britanisë, sociologu Martin Albrow, u shpreh se Kina është një shembull në luftën globale kundër koronavirusit të tipit të ri, duke shtuar se, në gjendjen e tanishme, forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është kërkesë e kohës.

82-vjeçari Martin Albrow është një nga dijetarët që paraqitën të parët konceptin e "globalizimit". Gjatë intervistës për gazetarin e CMG-së, ai tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është e vetmja mënyrë efektive për përballimin e COVID-19. Njerëzimi është një bashkësi e fateve të përbashkëta dhe mungesa e bashkëpunimit do ta errësonte të ardhmen e tij.

"Epidemia i ka ndihmuar njerëzit të kuptojnë se ne i përkasim së njëjtës specie, sepse kemi kod të njëjtë gjenetik. Koronavirusi i tipit të ri është sfida e përbashkët e njerëzimit, prandaj bashkëpunimi ynë ka rëndësi të madhe. Të gjitha vendet duhet të qëndrojnë së bashku dhe të ndajnë njohuritë dhe përvojën e vet. Kina ka krijuar një shembull të mirë për tërë botën në luftën kundër epidemisë," tha ai.

Profesori Albrow u shpreh gjithashtu se COVID-19 ka shpejtuar ndryshimin e botës. Si dy forca kryesore në strukturën e multipolarizmit global, Kina dhe ShBA-ja duhet të forcojnë bashkëpunimin:

"Është e qartë që këtyre dy vendeve u nevojitet bashkëpunimi. Jam shumë i kënaqur për thirrjen e bërë nga presidenti kinez Xi Jinping në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë. Ai vuri në dukje se popujt e vendeve të ndryshme kanë interesa të shëndetit publik dhe çdo vend duhet të japë kontribut për këto interesa. Jam i mendimit se institucionet shumëpalëshe do të luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e ardhshëm të botës. Edhe Kina do të luajë patjetër një rol të rëndësishëm në këto institucione, si për shembull në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë."

Profesori Albrow shtoi se edhe në fushën e rimëkëmbjes së ekonomisë globale, Kina jep një kontribut të rëndësishëm. Teknologjia dhe kultura kineze do të ushtrojnë ndikim të madh mbi botën.

"Jam i mendimit se bota do të marrë shumë përfitime nga zhvillimi teknologjik i Kinës. Për shembull, 'Huawei' është një kompani e mrekullueshme dhe unë vetë përdor celular të 'Huawei'-t. Krahas kësaj, tregtia e mallrave e Kinës i ka sjellë botës përfitime. Njëkohësisht, bota do të ketë dobi nga kultura kineze. Për shembull, Instituti 'Konfuci' është i rëndësishëm në mësimdhënien në botë. Jam i mendimit se Kina mund të bëjë më shumë përpjekje në zhvillimin e produkteve kulturore," u shpreh në intervistë anëtari i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Britanisë Martin Albrow. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore