CMG-ja: Politikanët amerikanë po përhapin urrejtje shoqërore

2020-05-25 16:54:45 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:歧视---[qí shì]---Diskriminim

"Po rrezikoj shëndetin tim për të shpëtuar jetën e të tjerëve, por po pësoj traumë prej pamjes sime", shprehet Lucy Li, anesteziste në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit. Sipas njoftimeve të "Washington Post"-it, që nga fillimi i shpërthimit të koronavirusit, Lucy ka pësuar sulme verbale në rrugë nga njerëz të panjohur. Ndërsa në punë, disa pacientë nuk pranojnë të trajtohen prej saj, për shkak se ajo është me prejardhje aziatike.

Lidhur me këtë, në një koment të publikuar nga Grupi Mediatik i Kinës vihet në dukje se "rigjallërimi" i racizmit në shoqërinë amerikane është i pandashëm nga nxitja e disa politikanëve vendorë.

Që nga përhapja e virusit, disa politikanë, për të mbuluar dështimin e tyre në kontrollin e epidemisë, kanë provokuar kundërvënie raciste, duke stigmatizuar lidhur me epideminë dhe duke e përbaltur Kinën për interesat e veta politike.

"Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e quan shpesh koronavirusin e ri si 'virusi i Wuhan-it', një zyrtar tjetër amerikan e quan COVID-19 'gripi i kongfusë', ndërsa këshilltari për tregtinë i presidentit amerikan Peter Navarro deklaroi se 'Kina dërgoi qindra mijë kinezë në Milano, Nju-Jork dhe vende të ndryshme të botës për të përhapur virusin.' Këto veprime keqdashëse të politikanëve amerikanë kanë shtuar urrejtjen dhe diskriminimin racial të shoqërisë amerikane ndaj banorëve me prejardhje aziatike", thuhet në komentin e CMG-së.

Ndërkohë, shumë banorë me prejardhje aziatike, afrikane dhe latino-amerikane po vuajnë nga aspekte të ndryshme gjatë epidemisë. Nga një anë, jeta dhe shëndeti i pakicave raciale ndodhen para kërcënimit serioz për shkak të paaftësisë së qeverisë amerikane për kontrollin e virusit. Nga ana tjetër, rritja e ndjeshme e papunësisë ka goditur rëndë kushtet e tyre ekonomike. Sipas të dhënave statistikore, në shtetin e Nju- Jorkut, në gjashtë javët e kaluara para 9 majit, mbi 195 mijë aziatiko-amerikanë kanë paraqitur për herë të parë aplikim për marrjen e asistencës së papunësisë, shifër kjo 56 herë më e lartë se vjet. Ky është edhe grupi racial me rritjen më të shpejtë të këtyre aplikimeve në shoqërinë amerikane.

Sipas komentit, politikanët që shfrytëzojnë racizmin do të dëmtojnë interesat kombëtare të vendit. Tani banorët me prejardhje aziatike, që zënë 6 % të popullsisë amerikane, marrin pjesë në mënyrë të gjithanshme në zhvillimin ekonomik, arsimor, shëndetësor, teknologjik, kulturor etj. të ShBA-së.

"Le të marrim vetëm kontributin ekonomik si shembull. Siç tha sekretarja e Departamentit të Transportit Elaine Chao në një konferencë shtypi të organizuar në fund të vitit të kaluar, ndërmarrjet aziatike kanë krijuar një vlerë prej 708 miliardë dollarësh amerikanë për ekonominë amerikane, duke ofruar mbi 3.6 milionë vende pune. Këto janë të dhënat më të larta ndër të gjitha racat në ShBA. Prandaj, meqë tani autoritetet amerikane po nxitojnë të rifillojnë funksionimin e ekonomisë, nëse banorët me prejardhje aziatike pësojnë diskriminim racial, pa dyshim kjo do të dëmtojë zhvillimin ekonomiko-shoqëror të ShBA-së", thuhet në koment.

"Epidemia nuk njeh raca dhe nuk ka kufi. Vetëm solidariteti dhe trajtimi mirë i njëri-tjetrit mund ta mposhtin virusin. Fjalët pro racizmit nga Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi po acarojnë konfliktet dhe ndarjen në shoqërinë amerikane, duke e çuar popullin amerikan drejt urrejtjes dhe kundërvinies. Nëse politikanët amerikanë vazhdojnë në këtë rrugë, pa dyshim ata do të akuzohen gjithmonë për promovimin e përsëritjes së gabimeve historike," thuhet në fund të komentit të CMG-së.

Mrekulli
Lajmet Kryesore