CMG-ja: Politikanët amerikanë keqinterpretojnë frymën e Lëvizjes së 4 Majit

2020-05-11 19:56:41 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:曲解---[qū jiě]---Keqinterpretim

Zv.ndihmësi i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare të presidentit amerikan Donald Trump, Matt Pottinger, ngjalli kritika të ashpra në Kinë për shkak të një fjalimi që keqinterpreton frymën patriotike të Lëvizjes së 4 Majit dhe sulmon rrugën e zhvillimit të Kinës. Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), fjalët e Pottinger-it janë keqdashëse dhe antikineze.

Pottinger-i, që flet lirisht gjuhën kineze, ka ushtruar ndikim të konsiderueshëm për stigmatizimin e Kinës gjatë pandemisë së COVID-19 dhe ndërprerjen e financimit të ShBA-së ndaj OBSh-së. Në marsin e sivjetshëm, ai që ka qenë gazetar në Kinë për disa media perëndimore propozoi pakësimin e ndjeshëm të gazetarëve kinezë në ShBA, por në një fjalim të fundit, e kritikoi Kinën për masën reaguese të dëbimit të disa gazetarëve amerikanë që bënë njoftime përbaltëse.

Por, sipas komentit, gjëja më e pabesueshme është se megjithëse ai flet lirisht kinezishte, është krejtësisht i paditur për historinë kineze.

Lëvizja e 4 Majit shpërtheu në vitin 1919 për shkak të pazareve të fshehta midis vendeve fituese perëndimore në Luftën e Parë Botërore në kurriz të Kinës. Gjatë kësaj lëvizjeje, populli kinez, me studentët në krye, u ngrit në protesta, duke bërë thirrje për luftë popullore kundër agresorëve të huaj. Me një fjalë, kjo lëvizje masive është patriotike e antiimperialiste dhe jo populiste e antiqeveritare, siç u shpreh Pottinger.

"Para epidemisë së COVID-19, populli kinez është bashkuar, duke kapërcyer vështirësi të mëdha dhe duke arritur rezultate të rëndësishme strategjike. Gjatë luftës antiepidemike, shumë të rinj kinezë, si studentët në Lëvizjen e 4 Majit, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Ata janë trashëgimtarë në kohën moderne të kësaj fryme patriotike dhe jo mjete që mund të përdoren nga Pottingeri për të goditur sistemin e Kinës nën pretekstin e 'populizmit'", shkruhet në komentin e CMG-së.

CMG-ja e nxit Pottinger-in të ndërpresë përbaltjen, përçarjen dhe sulmet ndaj Kinës, duke i kushtuar më shumë rëndësi dështimit të autoriteteve amerikane në përballjen e epidemisë. "Para 101 vjetësh, kur nisi Lëvizja e 4 Majit, populli kinez kundërshtoi me veprime konkrete pazaret midis fuqive imperialiste që shkelnin sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar. Në Kinën e tanishme, politikanët amerikanë që tentuan përsëri të gjunjëzojnë Kinën me metoda të tjera, duken më absurdë. Sado që të përpiqen, ata nuk mund të mbulojnë faktin që shumë njerëz po humbin jetën në ShBA për shkak të paaftësisë së qeverisë", mbyllet komenti i CMG-së.

Mrekulli
Lajmet Kryesore