Kina fillon ndërtimin e stacionit hapësinor orbital

2020-05-06 15:50:41 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:空间站---[kōng jiān zhàn]---Stacion hapësinor

Më 5 maj, raketa mbartëse "Marshimi i Madh-5B", e projektuar posaçërisht për ndërtimin e stacionit hapësinor, kreu me sukses misionin e parë të fluturimit, gjë që shënon nisjen e ndërtimit të stacionit hapësinor orbital të Kinës. Në vijim, Kina do të lëshojë modulin kryesor "Tianhe" dhe dy kapsula eksperimentale "Wentian" e "Mengtian", bëri të ditur Ji Qiming, ndihmësdrejtor i Agjencisë së Fluturimeve Kozmike me Astronautë të Kinës (CMSA) në një konferencë shtypi të organizuar të martën.

Sipas tij, stacioni hapësinor i Kinës do të përurohet rreth vitit 2022, pas kryerjes së 12 misioneve të fluturimit.

"Pas këtij misioni, do të lëshojmë modulin kryesor 'Tianhe' dhe kapsulat eksperimentale 'Wentian' dhe 'Mengtian' për të kryer montimin në orbitë të trupit kryesor të stacionit hapësinor. Gjatë ndërtimit do të lëshojmë katër anije kozmike me astronautë 'Shenzhou' dhe katër të tjera mbartëse 'Tianzhou' për të realizuar ndërrimin e ekuipazhit dhe furnizimin e materialeve", tha z. Ji.

Sipas tij, deri tani ka mbaruar mbi tokë montimi i përgjithshëm i modulit kryesor të stacionit hapësinor dhe janë në prodhim e sipër dy kapsulat eksperimentale dhe pajisjet përkatëse, ndërsa ka mbaruar përzgjedhja e astronautëve.

"Kemi caktuar astronautët që do të kryejnë katër misione gjatë fazës së ndërtimit, të cilët po stërviten. Gjithashtu, do të mbarojmë në mesin e këtij viti përzgjedhjen e kontingjentit të tretë të astronautëve rezervë", tha z. Ji.

Më 16 mars dhe 9 prill, dy lëshime raketore nga Kina dështuan. Lidhur me këtë Ji Qiming-u shtoi se, për më shumë se një muaj, ekipi përgjegjës teknik i raketës dhe ekspertët e astronautikës kanë zhvilluar studime të pandërprera, duke rishikuar tërë procesin, duke analizuar arsyet e mundshme dhe duke bërë prova verifikuese. "Tani janë qartësuar vendet dhe shkaqet e ndodhjes së defekteve. Në të njëjtën kohë, departamentet përkatëse profesionale kanë bërë kontrollin e gjithanshëm të sistemit tonë, duke rregulluar programin e paracaktuar të lëshimit", bëri të ditur Ji Qiming, duke shtuar se lëshimi i suksesshëm i "Marshimit të Madh-5B" ka shtuar edhe besimin e stafit të misionit.

Siç mësohet, ky është misioni i 331-të i raketave "Marshimi i Madh". Gjatësia e raketës "Marshimi i Madh-5B" arrin në rreth 54 metra, sa një ndërtesë 18-katëshe. Pesha e raketës është rreth 850 tonë dhe kapaciteti i saj bartës është 22 tonë. Ndër raketat mbartëse në shërbim të vendeve të ndryshme, aftësia transportuese e raketës "Marshimi i Madh-5B" arrin në nivelin e parë botëror.

Mrekulli
Lajmet Kryesore