OBSh-ja: COVID-19 mund të quhet pandemi

2020-03-12 21:59:41 CRI Komenti juaj Printoni


 

Fjala kyçe:大流行---[dà liú xíng]---Pandemi

Të mërkurën në mbrëmje, Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vuri në dukje në Gjenevë se epidemia e COVID-19 po përhapet në nivele shqetësuese dhe tashmë mund të quhet si pandemi.

"OBSh-ja po bën vlerësime mbi këtë epidemi gjatë gjithë kohës dhe ne jemi shumë të shqetësuar nga niveli i përhapjes dhe gjendja serioze e saj. Për këtë arsye, jemi të mendimit që COVID-19 mund të quhet si pandemi," tha Tedros Adhanom Ghebreyesus-i.

Numri një i OBSh-së u shpreh gjithashtu që tani 114 vende e rajone të botës janë ndikuar nga epidemia, ka mbi 118 mijë raste të konfirmuara të prekjes prej virusit dhe 4291 të vdekur. Në disa javët e ardhshme, parashikohet që numri i të infektuarve, i të vdekurve dhe i vendeve e rajoneve të prekura të rritet më tej.

Ghebreyesus-i theksoi që cilësimi i epidemisë së COVID-19 si pandemi nuk do të ndryshojë vlerësimet e OBSh-së mbi kërcënimet nga koronavirusi dhe ai u bëri thirrje vendeve të shtojnë masat parandaluese.

"Karakterizimi i COVID-19 si 'pandemi' nuk do të ndryshojë vlerësimet e OBSh-së mbi kërcënimet prej tij dhe nuk do të ndryshojë as atë që po bën OBSh-ja dhe duhet të bëjnë vendet e ndryshme. U bëjmë thirrje vendeve të ndërmarrin veprime emergjente dhe aktive. Ne kemi paralajmëruar në mënyrë të qartë dhe me zë të lartë," tha Tedros Adhanom Ghebreyesus-i.

Ai u bëri thirrje vendeve të botës të zbatojnë strategji të gjithanshme qeveritare dhe shoqërore, që të përfshijnë katër pika kryesore: përgatitje të plotë, shtim të mbrojtjes, pakësim të përhapjes, si edhe risi e mësim.

Ai theksoi që ka edhe disa fjalë më të rëndësishme se "pandemia":

"Dua të them disa fjalë më të rëndësishme: parandalim, përgatitje, shëndet publik, udhëheqje politike dhe, më kryesorja, është 'njeri'. Ne jemi të bashkuar dhe po bëjmë atë që duhet për mbrojtjen e popujve të botës. Kjo është e mundshme."

Në vitin 2010, OBSh-ja e përkufizoi pandeminë si "përhapje globale e një sëmundjeje të re". COVID-19 është e para sëmundje infektive e shkaktuar nga koronavirusi që cilësohet si pandemi.

Mrekulli
Lajmet Kryesore