Xi Jinping-u bën vizitë inspektimi në Wuhan

2020-03-11 17:22:09 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:考察---[kǎo chá]---Inspektim

Në këtë periudhë të vështirë të betejës kundër koronavirusit COVID-19, Sekretari i Përgjithshëm i PKK-së, kryetari i shtetit dhe kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës Xi Jinping bëri një vizitë inspektimi në epiqendrën e epidemisë, qytetin Wuhan të provincës Hubei.

Ndalesa e parë e presidentit Xi Jinping në Wuhan ishte spitali "Huoshenshan", me 1 000 shtretër, i ndërtuar brenda dhjetë ditësh, ku trajtohen pacientët e sëmurë rëndë. Në qendrën e kontrollit, presidenti Xi u njoh me ndërtimin dhe funksionimin e spitalit, procedurën e pranimit të të sëmurëve, masat mbrojtëse të punonjësve mjekësorë, punët kërkimore etj. Ai vuri në dukje se pas shpërthimit të epidemisë, shumë punonjës mjekësorë, duke përfshirë ata ushtarakë, vajtën në Hubei për të dhënë ndihmë, duke mos përfillur sigurinë personale. "Ata kanë punuar ditë e natë, duke shfrytëzuar çdo sekondë për të luftuar kundër epidemisë dhe duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në këtë betejë", theksoi kreu i shtetit kinez.

Nëpërmjet platformës në internet të mjekimit në largësi, Xi Jinping-u foli me mjekët që po punojnë në zonën e trajtimit të spitalit.

"Jeni me veshje mbrojtëse dhe maska. Megjithëse nuk mund të shoh fytyrat tuaja, më dukeni shumë të dashur. Në emër të Komitetit Qendror të Partisë, dua t'ju shpreh përshëndetje të përzemërta dhe respektin më të lartë", tha presidenti.

Pasi u largua nga spitali, Xi shkoi në bllokun e banimit "Donghuxincheng" të qytetit Wuhan për të vizituar banorët që qëndrojnë të izoluar në shtëpi, duke respektuar urdhëresën e autoriteteve. Në këtë bllok banimi, ku u raportuan 32 të prekur, pas zbatimit të masave efektive të kontrollit, nuk ka ndodhur asnjë rast infektimi në gjysmëmuajin e fundit.

Me të parë presidentin, shumë banorë tundën dorën për ta përshëndetur nga shtëpitë e tyre.

Xi vizitoi qendrën e shpërndarjes së furnizimeve të përdorimit të përditshëm, klinikën e lagjes e zyrën e administrimit të pasurive dhe u takua me punonjësit e bazës që merren me parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.

Përveç kësaj, në vijim të inspektimit të tij, udhëheqësi i PKK-së shkëmbeu mendime edhe me përfaqësues të anëtarëve të Partisë që po punojnë për mbrojtjen e rendit e shëndetit publik, dhe anëtarë të Partisë nga radhët e punonjësve socialë e të vullnetarëve vendorë. Ai vlerësoi lart rolin që kanë luajtur ata në betejën kundër përhapjes së epidemisë në nivel lagjeje dhe frymën e bamirësisë, sakrificat dhe ndenjën e lartë të përgjegjësisë të tyre.

Pas inspektimit në terren, Xi Jinping-u drejtoi një mbledhje, ku dëgjoi raportet e grupit qendror të punës, të komitetit të Partisë dhe të pushtetit vendor të provincës Hubei për punët e parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë.

Në mbledhje, presidenti kinez mbajti një fjalim të rëndësishëm, ku përgjithësoi procesin e luftës kundër virusit dhe dha udhëzime për punën e ardhshme.

"Pas përpjekjeve të hidhura dhe të vështira, kontrolli i përhapjes së epidemisë po shkon drejt përmirësimit, duke arritur rezultate të rëndësishme fazore. Megjithatë, situata në provincën Hubei dhe qytetin Wuhan mbetet ende serioze dhe detyrat janë të rënda. Drejtuesit e niveleve të ndryshme të pushtetit dhe anëtarët e PKK-së duhet të qëndrojnë besnikë ndaj aspiratës origjinale dhe të mbajnë mend misionin tonë, duke kaluar këtë provë historike me mbajtjen si duhet të përgjegjësisë prej tyre", theksoi sekretari i përgjithshëm i PKK-së dhe kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping gjatë vizitës së inspektimit në qytetin Wuhan, epiqendra e epidemisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore