Wuhan, kontrollohet prirja e shtimit të shpejtë të epidemisë

2020-03-03 17:37:35 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:公共---[gōng gòng]---Publik 

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Kinës bëri të ditur të hënën se është kontrolluar prirja e zgjerimit të shpejtë të epidemisë në Wuhan dhe, përveç provincës Hubei, gjendja epidemike në krahina të tjera kineze është pozitive dhe ato kanë rifilluar punën dhe prodhimin gradualisht. Me këtë rast, specialistët paralajmërojnë se masat kontrolluese në mjediset publike kanë rëndësi jetike për konsolidimin e rezultateve të mëparshme dhe për parandalimin e kthimit të epidemisë.

Gjatë dy javëve të fundit, në mbarë Kinën është shfaqur prirja e uljes së rasteve të reja të diagnostikuara të prekjes nga koronavirusi i ri dhe të rasteve të dyshuara. Ndërkohë, numri i të sëmurëve që kanë nga spitali ka ruajtur prirjen e rritjes. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Kinës Mi Feng tha:

"Prirja e rritjes së shpejtë të epidemisë në Wuhan është kontrolluar. Përveç qytetit Wuhan, në provincën Hubei, gjendja epidemike është përmirësuar më tej. Më poshtë, duke u nisur nga trajtimi i ekuilibruar i marrëdhënieve të kontrollit të epidemisë dhe të zhvillimit ekonomik e shoqëror, do të theksohen kontrolli në lagje dhe mjekimi, që të realizohet kthimi i kontrollit të gjithanshëm në kontroll të përpiktë."

Me rifillimin e punës dhe të prodhimit në krahina të ndryshme kineze, specialisti i Qendrës së Kontrollit të Epidemisë të Kinës Shi Xiaoming tha se siguria gjatë ngrënies është një hallkë kyçe në kontrollin e epidemisë, pra duhet të krijohet sistemi i kontrollit të shëndetit të stafit të mensave dhe t'u matet temperatura të gjithë personave që hyjnë në mensa.

"Duhet të sigurohet pastrimi e dezinfektimi i çdo takëmi të ngrënies. Duhet të mos përdoren mishi i kafshëve të egra ose mishi i freskët pa testimin karantinor. Në mensë duhet të ruhet qarkullimi i ajrit," theksoi Shi.

Kundrejt faktit që gjithnjë e më shumë njerëz kanë rifilluar të përdorin mjetet e transportit publik, specialisti i Qendrës së Kontrollit të Epidemisë të Kinës Zhang Liubo theksoi se, në çfarëdo mjeti transporti, i gjithë stafi dhe udhëtarët duhet të ruajnë largësinë e duhur midis njëri-tjetrit, duhet të mbajnë maskë brenda mjetit dhe të pastrojnë si duhet duart pas daljes prej tij.

Krahas këtyre masave, specialistët sugjerojnë që, pas rifillimit të punës e të prodhimit, ndërmarrjet duhet të pakësojnë me sa ka mundësi numrin e mbledhjeve dhe më mirë t'i zëvendësojnë ato me videokonferencat në internet. Ndërkohë, nuk sugjerohet të hapen tani për tani sanatoriumet dhe llixhat publike. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore