Pekin, Xi Jinping-u inspekton punën kundër koronavirusit të ri

2020-02-11 14:33:15 CRI Komenti juaj Printoni

 

Fjala kyçe: 调研---[diào yán]---inspektim

Në pasditën e së hënës, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping, së bashku me drejtues të Bashkisë së Pekinit, bënë një vizitë inspektimi në lagje, spitale dhe qendra të kontrollit të sëmundjeve, për t'u njohur nga afër me punën në frontin e parë të luftës kundër koronavirusit të ri.


Në lagjen "Anhuali" të distriktit "Chaoyang", Xi Jinping u njoh me punën e komitetit vendor të banorëve për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Ai vlerësoi masat e marra në nivel bazë, si regjistrimi dhe kontrolli i banorëve të kthyer në Pekin nga vendlindja, vizitat nëpër shtëpi etj.

Më 12 janar, spitali "Ditan" filloi mjekimin e rastit të parë të infeksionit të koronavirusit të ri në Pekin. Pas kësaj, ky institucion shëndetësor u caktua si një ndër spitalet e Pekinit që do të merrej me diagnostikimin, izolimin dhe mjekimin e pacientëve të prekur nga pneumonia. Në katin e parë të spitalit, Xi Jinping-u vëzhgoi në ekran punën e mjekimit dhe bëri një videotelefonatë me punonjësit, duke i falënderuar ata dhe duke i inkurajuar të përsosin diagnostikimin e mjekimin dhe të shpëtojnë sa më shumë jetë që të jetë e mundur, duke i kujtuar edhe që të kujdesen për vetëmbrojtjen.

"Duhet të kemi besim të plotë për të arritur fitore në këtë luftë të gjithanshme dhe parandaluese. Duhet t'i përmbahemi vetëbesimit të palëkundur për fitoren e sigurt, me mbështetjen e forcave të popullit", tha kreu i shtetit.


Në qendrën e mjekimit të spitalit "Ditan", presidenti Xi zhvilloi videotelefonata me punonjësit mjekësorë në spitalet kryesore të trajtimit të pacientëve në provincën Hubei, sidomos ato në Wuhan. Ai mësoi nga ata për situatën dhe problemet në frontin e parë, si edhe dëgjoi sugjerimet e tyre. Xi Jinping-u vlerësoi përkushtimin dhe sakrificat e punonjësve mjekësorë në kryerjen e misionit të tyre të vështirë gjatë betejës së ashpër kundër epidemisë.

Në vijim, Xi Jinping-u drejtoi një videokonferencë, ku dëgjoi raportet mbi situatën e luftës kundër epidemisë në provincën Hubei, të mbajtura në Wuhan nga znj. Sun Chunlan, zv.kryeministre dhe drejtuese e grupit drejtues të punës kundër epidemisë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, si dhe Jiang Chaoliang, sekretar për Komitetin e Partisë të provincës Hubei.

Në mbledhjen, Xi Jinping-u përcolli përshëndetje të ngrohta për të gjithë pjesëmarrësit në luftën kundër epidemisë, u shprehu përsëri falënderime të përzemërta punonjësve mjekësorë civilë dhe ushtarakë në mbarë vendin, si edhe shprehu hidhërimin e thellë për viktimat dhe ngushëllime për familjarët e tyre.

 

 

Në mbrëmje, Xi Jinping-u vajti në Qendrën e Kontrollit të Sëmundjeve të distriktit Chaoyang të Pekinit për të dëgjuar lidhur me punën që bëhet aty për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Gjatë inspektimit, Xi vuri në dukje se gjatë përballimit të përhapjes së koronavirusit të ri, teksa shfaqen epërsitë e sistemit qeverisës dhe fryma luftarake e popullit kinez para sfidave serioze, janë zbuluar edhe shumë probleme. Presidenti theksoi se ndërtimi i gjithanshëm i sistemit të kontrollit të sëmundjeve në përmasë shtetërore do të bëhet një ndër punët kyçe infrastrukturore të vendit, duke premtuar shtimin e forcave studimore, të përgatitjes së talenteve dhe përsosjes legjislative për modernizimin e këtij sistemi.


Mrekulli
Lajmet Kryesore