Kompanitë kineze të internetit japin kontribut në luftën kundër epidemisë

2020-02-06 16:00:52 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:互联网--[hù lián wǎng]--internet

Pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit të tipit të ri, shumë kompani kineze të internetit kanë dhënë kontribut nëpërmjet platformave të ndryshme, për të garantuar furnizimin e materialeve mjekësore e të mallrave të konsumit të përditshëm në zonat e prekura më rëndë nga sëmundja.

Platforma e dytë më e madhe e shitjeve në internet "Pinduoduo" dhuroi 1 milionë maska mjekësore, 20 mijë veshje mbrojtëse dhe 30 tonë materiale dezinfektimi të importuara për të zbutur mungesën e materialeve mjekësore në provincën Hubei. Drejtori i grupit të përkohshëm të punës kundër epidemisë, Fu Zheng, tha:

"Për buxhetin tonë të ndihmës kundër epidemisë, s'kemi një shifër të caktuar. Për shembull, në fazën fillestare, kemi dhënë mbi 600 milionë juanë subvencione për të frenuar rritjen e çmimit të maskave dhe produkteve të tjera mjekësore që shiten në platformën tonë. Deri tani, mbi 80 milionë produkte të shitura në 'Pinduoduo', si lëngje dezinfektimi, termometra dhe matës elektronikë të temperaturës etj., janë shitur me subvencione".

Sipas tij, materialet e dhuruara dhe mallrat e shitura do të transportohen drejt Wuhan-it dhe qyteteve të tjera rreth tij, si Huanggang, Xiaogan, Tianmen, Xiangyang etj.

"Deri tani, kemi hapur kanale ekspres për në 27 komuna në 12 qytete të provincës Hubei. Do të forcojmë shpërndarjen e mallrave nga magazinat në mbarë vendin, duke bashkëpunuar me kompanitë logjistike për të dërguar në kohë të gjitha materialet në frontin e parë", shtoi Fu Zheng.

Siç mësohet, pas shpërthimit të epidemisë, Ministria e Tregtisë e Kinës organizoi 11 kompanitë më të mëdha të shitjes në internet për të luajtur rol të veçantë në garantimin e furnizimit në treg. Lidhur me këtë, zv.ministri i Tregtisë Wang Bingnan u shpreh:

"Shumë kompani të internetit, duke shfrytëzuar zinxhirin e tyre global të furnizimit, kanë shtuar importimin e materialeve mjekësore, si maska, veshje mbrojtëse, syze mjekësore etj., dhe kanë rritur bashkëpunimin me prodhuesit për rifillimin e shpejtë të punës pas festës. Nëpërmjet platformave elektronike, shumë konsumatorë po blejnë materialet që u duhen".

Përveç platformave të shitjes në internet, edhe shumë kompani të tjera të internetit kanë ndërmarrë veprime. Fill pas shpërthimit të epidemisë, "Tencent"-i ka blerë materiale mjekësore në Britani, Japoni etj., dhe ua ka dërguar ato zonave të prekura. Ndërkohë, materialet mjekësore, si maska, veshje mbrojtëse dhe alkool, po transportohen pandërprerë në frontin e parë.

Siç mësohet, deri tani mbi 60 organizata bamirësie në mbarë Kinën po ndihmojnë në shpërndarjen e materialeve mjekësore nëpërmjet "Tencent"-it në provincat e bashkitë si Hubei, Henan, Chongqing, Hunan, Guangdong, Zhejiang etj. Vullnetarët po u japin edhe ndihma në mënyrën e tyre fëmijëve, të moshuarve, njerëzve me aftësi të kufizuara fizike, pastruesve të qyteteve, punonjësve mjekësorë në spitale etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore