Kina shpejton sigurimet komerciale të pensioneve për të nxitur hapjen e tregut të sigurimeve

2020-01-03 15:26:52 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:保险---[bǎo xiǎn]---Sigurim

Kina ka publikuar së fundmi "Këshillat për nxitjen e zhvillimit të sigurimeve komerciale në fushën e shërbimeve shoqërore", ku kërkohet që të zhvillohen aktivisht sigurimet komerciale të pensioneve dhe sigurimet e pensioneve me llogari personale dhe që të bëhen përpjekje për të mbledhur 6 trilionë juanë rezervë për sigurimet e pensioneve deri në 2025. Njëkohësisht, në këtë dokument sugjerohet që të shpejtohet hapja e tregut të sigurimeve dhe të nxitet konkurrenca e drejtë dhe zhvillimi i shëndetshëm i sektorit të sigurimeve.

Kina ka hyrë në fazën e plakjes së popullsisë dhe numri i të moshuarve mbi 60-vjeçarë në Kinë ka arritur tashmë në 250 milionë veta. Për këtë arsye, duhet të ofrohen produkte të sigurimeve komerciale që përputhen me kërkesat e tyre, dhe njëkohësisht duhet të përmirësohen ofertat e sigurimeve për grupet e tjera. Përgjegjësja e Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Jetës pranë Komisionit Rregullator të Bankave dhe të Sigurimeve të Kinës Liu Hongjian u shpreh se, sipas "Këshillave për nxitjen e zhvillimit të sigurimeve komerciale në fushën e shërbimeve shoqërore", po kërkohen llojet e sigurimeve që përputhen me kërkesat e mbi 60-vjeçarëve dhe po studiohen produktet e sigurimeve për të moshuarit me çmim të përshtatshëm, elastike dhe me efikasitet të lartë.

"Do të studiojmë produkte të posaçme sipas karakteristikave të rreziqeve dhe të kërkesave të të moshuarve. Do të ofrojmë më shumë produkte në fushat e sigurimeve për sëmundjet, të sigurimeve mjekësore, sigurimeve për kujdesin afatgjatë e të sigurimeve ndaj aksidenteve", u shpreh znj. Liu.

Në "Këshillat" propozohet gjithashtu që të përshpejtohet hapja e tregut të sigurimeve. Mësohet se nga 1 janari, përqindja e investimeve të huaja në ndërmarrjet e përbashkëta të sigurimeve të jetës mund të arrijë 100 %. Liu Hongjian theksoi se Kina mund të tërheqë ide dhe modele të përparuara biznesi nga kompanitë e huaja të sigurimeve në fushat e studimit e të prodhimit të produkteve, të shfrytëzimit të fondeve, të administrimit të rrezikut etj., për të nxitur zhvillimin e shëndetshëm të tregut të sigurimeve të Kinës.

"Komisioni Rregullator i Bankave dhe i Sigurimeve do të vazhdojë të mbajë premtimet për hapjen dhe do të krijojë një mjedis biznesi të ndërkombëtarizuar, ligjor e të orientuar nga tregu për kompanitë e huaja të sigurimeve. Njëkohësisht, Komisioni do të vazhdojë forcimin e ndërtimit të sistemit rregullator dhe do të përmirësojë standardet e mënyrat e kontrollit që përputhen me nivelin e hapjes. Ai do të sigurojë hyrjen në tregun kinez të institucioneve të huaja që kanë cilësi të shkëlqyera profesionale, aftësi të mira për kontrollin e rreziqeve dhe forcën e mjaftueshme me kapitale e do të nxitë zhvillimin me cilësi të lartë se sektorit financiar dhe të ekonomisë reale në bazë të parandalimit të rreziqeve", tha Liu Hongjian-i.

Përveç kësaj, "Këshillat" propozojnë që të rritet cilësia e produkteve të sigurimeve e të shërbimeve dhe inkurajojnë institucionet e sigurimeve që të ofrojnë produkte gjithëpërfshirëse, duke përfshirë mjekimin, përkujdesin, lindjen e foshnjave etj. Në këtë dokument nxitet po ashtu hyrja e teknologjive dhe e produkteve të reja mjekësore në sigurimet shëndetësore dhe zhvillimi i produkteve të sigurimeve për grupet e njerëzve me të ardhura të ulëta dhe për të punësuarit në sektorët e rinj. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore