Robert Lawrence Kuhn: Bota pa një Kinë më të hapur në 2019-n

2020-01-02 16:37:12 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:朋友---[péng yǒu]---Mik

Kryetari i Fondacionit amerikan "Kuhn" dhe ekspert për çështjet kineze Robert Lawrence Kuhn është mik i vjetër i popullit kinez. Ky mik që përpiqet t'i tregojë botës Kinën e tanishme, thotë se në vitin 2019 bota pa një Kinë më të hapur.

"Ceremonia e kremtimit të 70-vjetorit të Kinës së Re ishte e mrekullueshme. Edhe unë mora pjesë në mënyra të ndryshme në këtë ngjarje. Në natën para paradës ushtarake, bëra përgatitje për të raportuar. Në ditën kur u zhvillua ceremonia, isha krenar që isha i ulur në vendet e shikuesve duke parë paradën ushtarake dhe mitingun e masave popullore. Kemi parë një Kinë të bashkuar, harmonike dhe me një qytetërim të larmishëm," tha ai.

Vitin e kaluar Robert Lawrence Kuhn e vizitoi shumë herë Kinën për të parë, për të dëgjuar, për të njohur dhe për të rrëfyer historitë e Kinës sipas këndvështrimit të tij. Kuhn tha se një sërë veprimtarish diplomatike të organizuara nga Kina tërheqin vëmendjen, duke treguar vetëbesimin dhe hapjen e Kinës ndaj botës:

"Kur e hedhim vështrimin prapa në vitin 2019, shohim se Kina organizoi një sërë veprimtarish diplomatike, duke përfshirë Forumin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar lidhur me nismën 'Një brez, një rrugë', Dialogun e Qytetërimeve Aziatike, Ekspozitën Botërore të Kopshtarisë të Pekinit, Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Importit etj. Kina i shfaqi botës në mënyrë inovative rezultatet e zhvillimit të vet ekonomik e shoqëror dhe tregoi dëshirën pozitive që të zhvillojë shkëmbime me botën. Mund të themi se Kina e sotme është më e hapur dhe dëshiron më shumë të zhvillojë shkëmbime e bashkëpunim me vendet e ndryshme të botës."

Kuhn-i veçoi Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës si një tregues të zgjerimit të hapjes së Kinës:

"Organizimi i suksesshëm i Ekspozitës së 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës ka rëndësi të madhe. Ekspozita e importit është ekspozita e parë në nivel kombëtar me temën e importit. Nëpërmjet saj, Kina zgjeron hapjen, ndan rastet e rezultatet e zhvillimit të saj dhe nxit tregtinë ndërkombëtare drejt zhvillimit më të ekuilibruar. Njëkohësisht, nëpërmjet ekspozitës së importit, Kina importon mallra konsumi me cilësi të lartë për të ngritur nivelin e jetesës dhe cilësinë e jetës së popullit kinez."

Si specialist amerikan për çështjet kineze dhe mik i Kinës, Kuhn-i përpiqet gjithmonë të vështrojë objektivisht ndryshimet dhe zhvillimin e Kinës së tanishme dhe të tregojë në mënyrë të arsyeshme, të gjithanshme dhe të vërtetë atë që ndodh aty. Ai mendon se në vitin 2019 Kina pati jo vetëm arritje e suksese, por edhe u gjend përpara vështirësive e sfidave të panjohura më parë, po një ndër tiparet më të çmuara të shpirtit të saj është ecja përpara në rrugën e zhvillimit.

Kuhn-i theksoi se kur Kina ta shfaqë veten në mënyrë më të hapur, edhe bota do ta shikojë më objektivisht atë. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore