Kryeekzekutivi i Makaos: Vendi është mbështetësi më i fortë i Makaos

2019-12-06 16:59:13 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:澳门---[ào mén]---Makao

Gjatë 20 vjetëve pas kthimit në gjirin e atdheut, Makaoja ka pasur rritje të shpejtë ekonomike, qëndrueshmëri e harmoni shoqërore, dhe jetesa e banorëve të saj është përmirësuar vazhdimisht, duke i shfaqur botës zbatimin e suksesshëm të parimit "Një vend, dy sisteme" në këtë rajon.

Gjatë një interviste ditët e fundit për medien, kryeekzekutivi i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos, Fernando Chui Sai On, tha se gjatë 20 vjetëve, thelbi i suksesit të madh në Makao është qeverisja me rigorozitet sipas Kushtetutës dhe Ligjit Themelor të Makaos, si dhe zbatimi i frytshëm i parimeve "Një vend, dy sisteme", "Qeverisja e Makaos nga banorët e Makaos" dhe "Vetëqeverisje e lartë".

20 vjetët pas kthimit në atdhe janë periudha më e mirë e zhvillimit në historinë e Makaos. PBB-ja e rajonit u shtua nga 51.9 miliardë pataka të Makaos në vitin 1999 në 444.9 miliardë vitin e kaluar, ndërsa përqindja e papunësisë u ul nga 6.3 % në 1.8 %, duke ruajtur një nivel të ulët për shumë vjet me radhë.

Si kryeekzekutivi për dy mandate i Makaos, Chui theksoi se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, qeveria e Rajonit të Posaçëm të Makaos i ka vënë në plan të parë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së banorëve.

"I kushtojmë shumë rëndësi përmirësimit të jetesës së banorëve, duke zbatuar gjashtë mekanizma afatgjatë, veçanërisht në fushat e arsimit, të shëndetësisë dhe të parandalimit e të pakësimit të fatkeqësive. Në përgjithësi, në punën tonë ne vëmë në plan të parë jetën e banorëve," tha ai.

Duke folur për ekonominë, Chui tha se sektori i lojërave të fatit ka zënë një peshë të madhe specifike në ekonominë e Makaos, por duke u nisur nga perspektiva afatgjatë, rajoni duhet ta diversifikojë në mënyrë të përshtatshme ekonominë.

Vitet e fundit, qeveria e rajonit ka nxitur me forcë të madhe sektorin e argëtimit, duke ndërtuar qendrën botërore të turizmit e të argëtimit dhe platformën e shërbimeve për bashkëpunimin tregtar midis Kinës dhe vendeve portugalishtfolëse.

Zona e Madhe e Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao, që u krijua në vitin 2017, i ka dhënë Makaos një mision historik dhe një detyrë të re të kohës. Si një nga katër qytetet kryesore të kësaj zone, Makaoja gjendet përpara mundësive shumë të mëdha. Chui Sai On tha:

"Nga perspektiva afatgjatë, besoj se ekonomia e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao do të radhitet në nivelin e parë botëror. Do të përpiqemi të integrohemi në zhvillimin e përgjithshëm të kësaj zone. Ky është një rast shumë i çmuar i dhënë nga vendi, që do ta ndihmojë Makaon të kapërcejë shumë dobësi të saj."

Gjatë intervistës, Chui vuri në dukje në veçanti se, pavarësisht nga zigzaget e zhvillimit ekonomik apo fatkeqësitë natyrore, qeveria qendrore i ka kushtuar shumë vëmendje dhe i ka dhënë përkrahje Makaos, për të kaluar vështirësitë.

"Pra, në parimin 'Një vend, dy sisteme', 'vendi' është mbështetësi ynë më i fortë," theksoi Chui. "Pas kthimit në gjirin e atdheut, dashuria për atdheun dhe Makaon është shndërruar nga një ndjenjë popullore në konceptin e vlerave thelbësore të mbarë shoqërisë." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore