Shqiptarët në Kinës solidarizohen me të prekurit nga tërmeti

2019-11-28 16:34:20 CRI Komenti juaj Printoni

Artan Lakrori, CEO i Kompanisë "Sino-Albanian Bridge", njëherësh CEO i Kompanisë "Moutai Albania" dhe i "17+1 Net" ka jetuar në Kinë për një kohë të gjatë dhe ka dhënë dhe jep një kontribut të madh për shkëmbimet tregtare midis Kinës e Shqipërisë. Ai do të shkojë në Tiranë me miqtë e tij kinezë që kanë kontribuuar gjatë tërmetit Wenchuan të provincës Sichuan të Kinës në vitin 2008 për të dhënë ndihmën e tyre për rindërtimin në Shqipëri.

"Kam folur me familjen dhe shoqërinë e fizikisht janë mirë, mendërisht dhe shpirtërisht të shkatërruar. Shumë prej njerëzve që kanë humbur jetën ishin në gjumë, kjo është e padrejtë. Ka akoma njerëz nën rrënoja. Shteti shqiptar duhet të bej maksimumin për të shpëtuar ata njerëz që janë të bllokuar dhe të miradministrojë me eficiencë donacionet dhe ndihmat që dërgohen. Shumë miq kinezë, por edhe nga vende të tjera me kanë kontaktuar dhe janë interesuar se si mund të kontribuuojnë, kemi shpërndarë ku mundemi numrat bankarë dhe pikat e grumbullimit të ndihmave. Shikojmë në ditët në vijim mbase ne si sipërmarrës ketu në Kinë duhet të mbledhim e organizojmë çfarëdo lloj ndihme të mundshme. Më 30 nëntor do të nisem së bashku në Tiranë me disa miq që jam njohur gjatë kohës kur mblidhnim ndihma ne Universitetin e Pekinit në atë kohë kemi kontribuuar për tërmetin e Wenchuan-it në Sichuan të Kinës. Të kontribuuojmë qoftë ekonomikisht apo edhe me mënyra strehimi. Ne kemi një proverb "Supet e maleve dhe supet e shqiptarëve nuk janë kërrusur kurrë". Mendoj se është një moment reflektimi për të gjithë ne, që të vlerësojmë jetën, të vlerësojmë atë që kemi e luftojmë për ta ruajtur. Dua të falënderoj edhe vëllezërit tanë kosovarë, të cilët po ndajnë çdo gjë me ne në keto momente."

Saelma Haka, studentja shqiptare për master në degën e Administrimit të Biznesit të Institutit të Teknologjisë në Pekin tha se megjithëse jeton larg Shqipërisë, zemra e saj lidhet ngushtë me vendin e saj. Saelma inkurajon shqiptarët të dalin së bashku kjo fatkeqësi.

"Së pari dua t'ju përcjell gjithë familjarëve të atyre që humbën jetën nga ky termet ngushëllimet e mia. Është një ngjarje që më ka prekur shumë dhe nuk kam fjalë për ta përcjellë dhimbjen që ndiej për ata që humbën jetën, por dhe për të tjerët që u tronditën sado pak nga ky termet. E vetmja gjë që mund të them është që duhet të behemi të fortë për ta perballuar së bashku këtë situatë. Une jetoj larg Shqipërisë, në Kinë, dhe do kontaktoj dhe me kinezë për të kontribuuar për ndihmë për të gjithë shqiptarët. Aktualisht, ne të gjithë shqiptarët që jetojmë në Kinë kemi hapur nje grup në platformën online "Wechat" ku po mbledhim fonde për të prekurit. Shpresoj që të mbledhim sa më shumë e ta ndihmojmë popullin tonë në këtë situatë të veshtirë. Gjithashtu, dua të falenderoj shumë kosovarët që po na ndihmojnë aq shumë, por edhe gjithë të tjerët qe na dhanë donacione e që vazhdojnë ta bëjnë këtë. Keshilla ime për shqiptarët është të mos krijojnë panik, e di që jeni në një situatë të veshtirë, por përpiquni të jeni të fortë e të qetë që kjo situatë të kalojë më lehtë."

Enida Mara, studentja shqiptare në vitin e 4-t të degës së Tregtisë Ndërkombëtare të Universitetit të Biznesit dhe të Ekonomisë Ndërkombëtare në Pekin shprehu shpresën se çdo familjar do të ketë forcë të mjaftueshme për të përballuar humbjet e familjarëve dhe dëmet që solli tërmeti.

"Nuk kam fjalë! Ndiej vetëm dhimbje që vetëm çdo zemër shqiptari arrin ta kuptojë. Kur mora vesh për fatkeqësinë në Shqipëri u drodha e tëra, gjëja e parë që bëra ishte telefonata drejt familjes time, i degjova zërin le të themi u çlirova, por ai qetësim ishte momental, deri në momentin kur kuptova që Shqipëria ime po pësonte humbje të mëdha, njerëz të pafajshëm që kishin humbur jetën nën rrënoja. Kuptova që jemi te vegjël përpara çdo gjëje. Doja t'i thoja kujtdo sesa shume i doja të gjitha fjalët që s'ja kisha thënë kurrë. E ndjek me vëmendje çdo lajm ndaj Shqipërisë, vuaj njëlloj si çdo shqiptar që ndihet atje, por largësia ma shton akoma më tepër dhimbjen. Nuk harrohet lehtë ajo që po i ndodh Shqipërisë time. Ngushëllimet e mia dhe shpresoj çdo familjar të ketë forcë të mjaftueshme të përballojë humbjet e familjarëve."


1 2 3
Mrekulli
Lajmet Kryesore