Kina emeton bono në euro pas 15 vjetësh

2019-11-08 16:48:00 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:债券---[zhài quàn]---Bono

Të martën, Ministria e Financave e Kinës emetoi me sukses në Paris 4 miliardë euro bono sovrane. Kjo është hera e parë në 15 vjet që qeveria kineze emeton bono sovrane në euro në tregun ndërkombëtar. Kjo shënon gjithashtu vëllimin më të madh të bonove sovrane në monedhë të huaj të emetuara nga Kina deri më tani.

Sipas raportimeve, bonot sovrane me vlerë 4 miliardë euro përfshijnë 2 miliardë euro bono me afat maturimi 7-vjeçar me interes 0.197 %, 1 miliard euro bono me afat 12-vjeçar me interes 0.618 % dhe 1 miliard euro me afat 20-vjeçar me interes 1.078 %. Qindra investitorë institucionalë nga e gjithë bota kanë paraqitur në mënyrë aktive oferta blerjeje, me një vëllim të përgjithshëm prej më shumë se 20 miliardë eurosh, që është pesëfishi i vlerës së bonove të emetuara. Investitorët janë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë bankat qendrore dhe institucionet monetare të disa vendeve dhe rajoneve, fondet sovrane të pasurisë, bankat e mëdha tregtare ndërkombëtare, bankat e investimeve, kompanitë e sigurimeve, fondet e pensioneve dhe kompanitë e administrimit të pasurive.

"Crédit Agricole", banka e dytë më e madhe në Francë, nën varësi të Grupit "Crédit Agricole", është një nga garantueset e bonove sovrane në euro. Z. Bei Lejie, drejtuesi i departamentit të financimit të Grupit "Crédit Agricole" dhe kryezyrtari financiar i bankës "Crédit Agricole", tha se investitorë cilësorë ndërkombëtare janë regjistruar në mënyrë aktive për të blerë këto bono sovrane në euro, duke treguar plotësisht besimin e investitorëve ndërkombëtarë te kreditë sovrane të Kinës.

Emetimi i suksesshëm i bonove sovrane në euro shënon rifillimin e platformës së financimit në euro në bazë të emetimit nga qeveria kineze për dy vjet me radhë të bonove sovrane në dollar amerikan që nga viti 2017. Zonja Zou Jiayi, zëvendësministre e Financave e Kinës, tha që ky emetim ka pasur një ndikim të thellë në pjesëmarrjen e Kinës në zhvillimin e tregut financiar ndërkombëtar.

Pas referendumit për "Brexit"-in në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria franceze po përpiqet për ta bërë Parisin qendrën e re financiare të Bashkimit Evropian. Bonot sovrane të emetuara këtë herë janë jo vetëm bonot e para sovrane në euro të emetuara nga Kina në 15 vjet, por edhe bonot e para sovrane kineze të emetuara dhe të listuara në Francë. Bonot më pas do të regjistrohen në bursën "Euronext" dhe Bursën e Londrës. Zonja Yu Jinsong, e ngarkuara me punë e ambasadës kineze në Francë, tha që kjo është një shfaqje konkrete e mbështetjes së Kinës për shndërrimin e Parisit në një qendër financiare ndërkombëtare.

Mrekulli
Lajmet Kryesore