Pekin: Mbyllet Ekspozita Botërore e Kopshtarisë

2019-10-10 15:49:50 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:闭幕---[bì mù]---Mbyllje

Të mërkurën në mbrëmje u mbyll Ekspozita Botërore e Kopshtarisë e Pekinit. Kryeministri kinez Li Keqiang mori pjesë në ceremoninë e mbylljes së kësaj ekspozite. Ai tha në fjalimin e tij se ky edicion ishte më i madhi në historinë e kësaj ekspozite, duke u shndërruar në një miting të madh të gjelbër me shkëmbime ndërmjet qytetërimeve dhe duke nxitur lidhjen e zemrave të popujve.

 

Gjatë Ekspozitës Botërore të Kopshtarisë të Pekinit, që u hap më 28 prill dhe zgjati 162 ditë, u organizuan afro 3300 veprimtari, duke tërhequr mbi 9 milionë vizitorë kinezë dhe të huaj.

"Kjo ekspozitë me temë 'Jetë e gjelbër, shtëpi e bukur' ishte e larmishme dhe arriti rezultate të pasura. 110 vende dhe organizata ndërkombëtare dhe mbi 120 ekspozues jozyrtarë kanë marrë pjesë aktivisht në këtë ekspozitë, duke e bërë atë ekspozitën botërore të kopshtarisë me numrin më të madh të pjesëmarrësve në historinë e kësaj veprimtarie," tha Li Keqiang.

Li vuri në dukje se kjo ekspozitë ishte një veprimtari tekniko-shkencore inovative. Aty u paraqitën teknologji të zhvilluara të kopshtarisë dhe u tregua e ardhmja e bukur e shfrytëzimit të teknologjisë së gjelbër. Ajo ishte një veprimtari e afrimit të njerëzve me natyrë. Mbi 9 milionë vizitorë shkuan në ekspozitë për të ndjekur nxitjen reciproke midis mjedisit e zhvillimit dhe harmoninë midis njerëzve dhe natyrës. Li tha:

"Që prej hyrjes në shekullin e ri, sipërfaqja e gjelbër në mbarë botën u rrit 5 %, një e katërta e së cilës në Kinë. Kina ende është vendi më i madh në zhvillim dhe do të vazhdojë të përqendrohet në zhvillimin e ekonomisë, duke e parë zhvillimin si bazën e zgjidhjes së të gjitha problemeve. Kina përballet me detyra të vështira, si zhvillimi i ekonomisë, përmirësimi i jetës së popullit dhe nxitja e mbrojtjes së mjedisit ekologjik. Kina do të nxitë zhvillimin me cilësi të lartë dhe mbrojtjen ekologjike gjatë Reformës e Hapjes dhe do të ecë në rrugën e zhvillimit të qytetërimit ekologjik," tha Li Keqiang.

 

Li u shpreh gjithashtu se Kina do të zbatojë parimin "Përgjegjësi e përbashkët, por e ndryshme", si edhe parimet e barazisë dhe të veprimit në përputhje me aftësitë e veta. Kina do të zbatojë aktivisht "Marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimin e klimës" dhe do të ndihmojë sipas mundësive të veta vendet në zhvillim të ndërtojnë një ekonomi të gjelbër dhe të realizojnë zhvillimin e vazhdueshëm.

Në ceremoninë e mbylljes, edhe sekretari i përgjithshëm i Zyrës Ndërkombëtare të Ekspozitave Vicente G. Loscertales dhe presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Kopshtarisë Bernard Oosterom mbajtën fjalime. Ata shprehën urime për suksesin e Ekspozitës Ndërkombëtare të Kopshtarisë të Pekinit dhe thanë se kjo ekspozitë tregon konceptin "Kopshtaria të integrohet me natyrën dhe natyra të ndikojë te zemrat". Ata vlerësuan lart zhvillimin e qytetërimit ekologjik dhe ndërtimin e Kinës së bukur, duke shprehur besimin se, me përpjekjet e palëve të ndryshme do të realizohet zhvillimi i vazhdueshëm në nivel më të lartë.

Edhe liderët e Azerbajxhanit, Kamboxhias, Kirgizistanit, Pakistanit dhe Ishujve Solomon morën pjesë në ceremonin e mbylljes. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore