Kremtohet Festa e Korrjeve e Fermerëve Kinezë

2019-09-24 17:38:04 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:丰收---[fēng shōu]---Korrje

23 shtatori është Sanatadita e Vjeshtës dhe Festa e Korrjeve e Fermerëve Kinezë për vitin 2019. Gjatë kësaj dite u organizuan veprimtari të ndryshme festive për korrjet dhe vjeljet në krahina të ndryshme të Kinës.

Qysh nga viti 2018, Kina e ka përcaktuar Sanataditën e Vjeshtës si Festën e Korrjeve të Fermerëve Kinezë. Kjo është festa e parë në nivel kombëtar për fermerët kinezë e vendosur nga qeveria kineze. Tema e festës së këtij viti është "Të korrat e mia, festa ime".

Në fshatin Yayougou të provincës Shandong të Kinës Lindore, kremtimet filluan më 21 shtator dhe zgjatën deri më 5 tetor. Gjatë kësaj periudhe, janë organizuar veprimtari dhe gara të shumëllojshme. Fermerët përdorën kokrrat e drithërave të sapokorrura për të krijuar pamje të ndryshme në shesh, si harta e Kinës, hieroglifet kineze me kuptimin "E dua Kinën" etj.

Në kontenë Jize të provincës Hebei të Kinës Veriore, ku sipërfaqja e mbjellë me speca i kalon 5300 hektarët, u organizua Festa e Vjeljes së Specit. Të gjitha fermerët përgatitën së bashku ushqime me speca, për të shpërndarë gëzimin e festës.

Në prefekturën autonome të kombësisë tibetiane Guoluo të provincës Qinghai të Kinës Veriperëndimore, u hapën zona të ekspozimit të produkteve bujqësore, për t'i ndihmuar bujqit dhe blegtorët në shitjen e produkteve bujqësore.

Në kohët e sotme, aktivitetet e prodhimit dhe jetesa e fshatarëve kinezë po pësojnë ndryshime të mëdha, për shkak të revolucionit të internetit, të dhënave masive, inteligjencës artificiale etj.

Li Hualiang nga fshati Machang i provincës Jilin të Kinës Verilindore, ka krijuar një platformë të shërbimeve të informacionit sipas modelit "Internet + bujqësi", për t'u ofruar fermerëve shërbimet e biznesit elektronik. Deri tani, kjo platformë e informacionit ka lidhur mbi 130 fshatra fqinje për ta formuar markat, duke rritur çmimet e produkteve bujqësore dhe duke shtuar të ardhurat e fshatarëve.

Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2018, sasia e përgjithshme e drithërave të prodhuara në Kinë arriti në 660 milionë tonë, 500 milionë tonë më shumë në krahasim me periudhën kur u krijua Republika Popullore e Kinës. Në vitin 1949, sasia e drithërave për frymë në Kinë ishte vetëm 209 kilogramë, ndërsa vjet arriti në 470 kilogramë, më e lartë se niveli mesatar global. Kina ka më pak se 1/10 të sipërfaqes së tokës së punueshme në botë, por ushqen afro 1/5 e popullsisë globale. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore