Sipërmarrësit kinezë e amerikanë shpresojnë në arritjen sa më parë të marrëveshjes dypalëshe

2019-09-11 20:03:35 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:对话---[duì huà]---Dialog

U zhvillua të martën në Pekin dialogu midis sipërmarrësve kinezë dhe amerikanë, i organizuar nga Qendra e Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare e Kinës. Pjesëmarrësit vunë në dukje se fërkimet tregtare midis Kinës dhe ShBA-së kanë ushtruar ndikime negative jo vetëm mbi të dyja vendet, por edhe për ekonominë botërore, dhe shprehën shpresën se Kina dhe ShBA-ja do të kenë përparime në konsultimet ekonomiko-tregtare dhe do të arrijnë sa më parë një marrëveshje ndërmjet tyre.

Në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes, kryetari i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Zeng Peiyan tha se marrëdhëniet kino-amerikane kanë një efekt kolosal përhapjeje dhe acarimi i mëtejshëm i fërkimeve tregtare jo vetëm ka ushtruar ndikime negative mbi ekonominë e të dy vendeve, por ka shtuar edhe pasigurinë e ekonomisë botërore.

"Fondi Monetar Ndërkombëtar e uli katër herë me radhë parashikimin për rritjen e ekonomisë botërore këtë vit, nga 3.9 % në 3.2 %. Edhe Organizata Botërore e Tregtisë e uli parashikimin e saj për rritjen e tregtisë botërore me 1.1 pikë përqindjeje. Nën 'retë e zeza' të luftës tregtare, ekonomitë kryesore në botë kanë ulur përkatësisht normën e interesit për stimulimin e ekonomisë dhe po afrohet kriza e re ekonomike globale," paralajmëroi Zeng.

Nënkryetari i përhershëm i Dhomës Amerikane të Tregtisë Myron Brilliant vuri në dukje se askush nuk do të fitojë në luftën tregtare. Ai shpreson se konsultimet ekonomiko-tregtare midis dy vendeve do të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt.

"Si dy vendet me ndikim më të madh në botë, Kina dhe ShBA-ja mbajnë përgjegjësi të rëndësishme për nxitjen e paqes, begatisë dhe qëndrueshmërisë së botës. Asnjëra prej të dy palëve nuk do të fitojë nga lufta tregtare, por të dyja vendet do të paguajnë një kosto të lartë për këtë luftë. U bëjmë thirrje këtu liderëve të të dy vendeve të vazhdojnë përpjekjet për të arritur sa më parë një marrëveshje të tregtisë dhe të investimeve dypalëshe, të gjithanshme dhe zbatueshme," tha Brilliant.

"Historia dhe aktualiteti na tregojnë se lufta tregtare do të dëmtojë të dyja palët," vuri në dukje Zeng Peiyan. Ai tha se masat e palës amerikane për shtimin e pandërprerë të tarifave dhe për ushtrimin e presioneve gjithnjë e më të mëdha nuk do t'i zgjidhin dot problemet. Shtypja me mënyra të ndryshme ekonomike e politike nuk do të pengojë zhvillimin e Kinës. Zeng Peiyan-i u shpreh se, për shkak se Kina dhe ShBA-ja ndodhen në faza të ndryshme zhvillimi dhe kanë sisteme të ndryshme ekonomike, midis të dy vendeve janë normale divergjencat dhe fërkimet ekonomike e tregtare, të cilat do të zgjidhen përmes dialogut.

"Pala kineze ka thënë më se një herë se dy palët duhet të shtojnë mirëkuptimin e ndërsjellë, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e të kërkojnë të përbashkëtat, si edhe t'i zgjidhin si duhet fërkimet tregtare në bazë të barazisë e të respektit të ndërsjellë. Pala kineze e ka miratuar vazhdimin e konsultimeve në Uashington në fillim të tetorit. Kjo pasqyron qëndrimin konsekuent të palës kineze që kundërshton me vendosmëri luftën tregtare, si dhe qëndrimin e saj të arsyeshëm, gjakftohtë e të përgjegjshëm," theksoi Zeng-u. Ai shprehu shpresën se edhe pala amerikane do të tregojë sinqeritet dhe do të ndërmarrë veprime afrimi me palën kineze, për të zbatuar konsensusin e krerëve të të dy vendeve të arritur në takimet në Argjentinë dhe në Okasa, për të stabilizuar marrëdhëniet kino-amerikane dhe për të mbrojtur interesat bazë të të dy popujve. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore