Kina dhe Filipinet do të nxitin eksplorimin e përbashkët të naftës e të gazit natyror në det

2019-08-30 17:28:26 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:元首---[yuán shǒu]---Lider

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të enjten në Pekin me presidentin e Filipineve Rodrigo Duterte. Kina dhe Filipinet shpallën se do të krijojnë Komitetin Ndërqeveritar për Bashkëpunimin në Fushën e Naftës e të Gazit dhe Grupin e Punës të Ndërmarrjeve për të nxitur arritjen e përparimeve të zhvillimit të përbashkët.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Xi Jinping-u zhvilloi një vizitë zyrtare në Filipine, e para vizitë e një lideri të Kinës në Filipine në 13 vite. Gjatë asaj vizite, Kina dhe Filipinet krijuan marrëdhëniet e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik.

Në takimin e së enjtes, Xi Jinping-u vlerësoi lart zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës e Filipineve në vitet e fundit:

"Gjatë tre vjetëve qysh nga ardhja e zotit President në post, marrëdhëniet midis Kinës e Filipineve kanë pasur transformim, konsolidim e ngritje dhe kanë arritur rezultate të pasura. Tani situata ndërkombëtare e rajonale po ndryshon thellë, por paqja, zhvillimi, bashkëpunimi dhe përfitimet e përbashkëta janë drejtimi kryesor që s'mund të ndalohet. Dëshiroj që me zotin President të drejtojmë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe nga lartësia strategjike dhe perspektiva afatgjatë. Kjo do të jetë në favor të dy vendeve dhe dy popujve tanë, por edhe do të sjellë energji pozitive dhe stabilitet për zhvillimin e rajonit tonë."

Lideri i Kinës theksoi se është e rëndësishme të vazhdojë ndërthurja e nismës "Një brez, një rrugë" me strategjinë kombëtare të zhvillimit të Filipineve dhe të zbatohen mirë projektet e mëdha në fushat e ndërtimit të inflastrukturës, parqeve industriale, telekomunikacionit, energjetikës etj. Pala kineze dëshiron të importojë më shumë fruta e prodhime bujqësore me cilësi të lartë nga Filipinet dhe do të dërgojë në Filipine specialistë për të dhënë mësim lidhur me teknikat e bujqësisë e të peshkimit.

Lidhur me problemin e Detit të Kinës Jugore, Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina e Filipinet ruajnë kontakte të efektshme.

Ai sugjeroi që të dy palët të ndërmarrin një "hap më të madh" në eksplorimin e përbashkët të naftës dhe gazit në det të hapur.

Nga ana e tij, lideri filipinas Rodrigo Duterte tha:

"Shkëlqesi, jam i lumtur që takohem përsëri me ju. Takimi ynë i fundit ishte katër muaj më parë, në Forumin e 2-të të Bashkëpunimit Ndërkombëtar 'Një brez, një rrugë', që doli me sukses. Duke u nisur nga miqësia jonë personale dhe marrëdhëniet e dy vendeve, mendova se kishim nevojë të takoheshim përsëri brenda një kohe të shkurtër. Ritheksoj se u kushtoj rëndësi të madhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet të dy vendeve tona. Në tre vjetët e fundit, këto marrëdhënie janë zhvilluar shpejt dhe kanë arritur rezultate të rëndësishme në fusha të ndryshme. Është e vërtetë se përballohemi me sfida, por jemi të kënaqur që lidhjet dypalëshe janë ngritur në marrëdhënie të partneritetit të gjithanshëm strategjik."

Duterte propozoi gjithashtu që mosmarrëveshja e Detit të Kinës Jugore të zgjidhet nëpërmjet bashkëpunimit e jo përballjes, si edhe që të ruhet bashkëpunimi miqësor, paqja e stabiliteti rajonal, në përputhje me interesat e palëve të ndryshme. Filipinet dëshirojnë të shpejtojnë bashkë me Kinën eksplorimin e përbashkët të naftës e të gazit natyror detar. Filipinet, si vend bashkërendues i tanishëm i marrëdhënieve midis ASEAN-it dhe Kinës, do të bëjë përpjekje për të nxitur hartimin e "Kodit të sjelljes në Detin e Kinës Jugore", vuri në dukje presidenti filipinas. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore