Pekin, hapet Konferenca Botërore e Robotit 2019

2019-08-21 17:27:04 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:机器人---[jī qì rén]---Robot

Në Pekin po zhvillohet Konferenca Botërore e Robotit 2019. Edicioni i sivjetshëm fokusohet në temën "Ekologjia e re inteligjente dhe epoka e re e hapur".

Në ceremoninë e hapjes të zhvilluar të martën, kryetari i Fondacionit Ndërkombëtar të Kërkimeve Robotike, Oussama Khatib, u shpreh se vitet e fundit, vendet e ndryshme kanë hartuar masa të rëndësishme për nxitjen e teknologjisë robotike e për zhvillimin e kësaj industrie, dhe, si rrjedhim, tregu botëror i robotëve ka pasur rritje të qëndrueshme. Ai është i mendimit se robotët do të kenë evolucion të mëtejshëm, do të kenë aftësi më të fuqishme perceptimi e zbatimi dhe do t'i ngjajnë më shumë njeriut, duke ushtruar ndikim në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme.

"Në vitin 2018, vëllimi i tregut global të robotikës arriti në afro 30 miliardë dollarë amerikanë. Kina është ende tregu numër një në botë në përdorimin e robotëve industrialë. Kina ka shpejtuar pandërprerë novacionin dhe bashkëpunimin në teknologjinë robotike dhe zë një vend të rëndësishëm në këtë drejtim," u shpreh ai.

Sipas të dhënave, në gjysmën e parë të këtij viti, vëllimi i tregut global të robotëve arriti në 14.4 miliardë dollarë amerikanë, 4.25 miliardë dollarë nga të cilat i zinte tregu kinez. Vjet, vëllimi i prodhimit të robotëve industrialë arriti në 148 mijë, duke zënë 38 % të vëllimit të përgjithshëm në mbarë botën.

Në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes, ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit i Kinës Miao Wei tha se, pavarësisht nga problemet në përparimin e teknologjive thelbësore dhe në përhapjen e përdorimit, në përgjithësi industria kineze e robotikës do të vazhdojë të ruajë prirjen e zhvillimit të shpejtë, si mbartëse e rëndësishme e raundit të ri të revolucionit teknologjik dhe të novacionit të manifakturës. Kina i inkurajon ndërmarrjet dhe institucionet vendëse e të huaja të zhvillojnë shkëmbime e bashkëpunim të shumëllojshëm.

"Tashmë Kina po nxit zhvillimin më cilësor të manifakturës dhe shpejtimi i manifakturës inteligjente është një aspekt i rëndësishëm. Ftojmë sinqerisht të pranishmit të marrin pjesë në zhvillimin e industrisë robotike në Kinë dhe nxitim ndërmarrjet dhe institucionet brenda e jashtë Kinës të zhvillojnë shkëmbime e bashkëpunim të formave të ndryshme, që të formohet ekologjia industriale globale e hapur dhe bashkërenduese dhe të nxitet zhvillimi i vazhdueshëm e i shëndetshëm të industrisë globale të robotikës," theksoi ministri Miao Wei.

Qysh nga viti 2015, Konferenca Botërore e Robotit është zhvilluar për pesë vjet me radhë. Me pjesëmarrjen e mijëra studiuesve e sipërmarrësve nga e gjithë bota, kjo konferencë është bërë një platformë ndërkombëtare, profesioniste, e hapur dhe me ndikim për shkëmbimet e bashkëpunimin në këtë industri.

Edicioni i sivjetshëm i konferencës do të mbyllet të dielën. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore