Pezullimi i operacioneve në aeroport i ka kushtuar Hong-Kongut rëndë

2019-08-13 18:24:44 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:机场---[jī chǎng]---Aeroport

Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut mbajti një konferencë shtypi ndërdepartamentale të hënën pasdite. Kryesekretari për Administratën i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut Matthew Cheung Kin-chung tha që autoritetet e rajonit e dënojnë ashpër dhunën dhe mbështetin zbatimin e ligjit nga policia. Drejtori për Transportin dhe Strehimin Frank Chan Fan u shpreh se grumbullimi i paligjshëm në aeroport po atë ditë bëri që aeroporti i Hong-Kongut të ndërpresë funksionimin, duke i sjellë një kosto të rëndë Hong-Kongut.

Z. Matthew Cheung Kin-chung tha se fundjavën e kaluar, konfliktet në shkallë të gjerë ose aktet e sabotazhit të iniciuara nga disa demonstrues radikalë në zona të ndryshme të Hong-Kongut kanë bërë që shumë qytetarë të Hong-Kongut të ndihen të trishtuar dhe të shqetësuar:

"Besoj se komuniteti pajtohet që, përballë dhunës ekstreme, ne duhet ta dënojmë ashpër atë. Asnjë qytetar i mirë i Hong-Kongut nuk duhet të cenojë sundimin e ligjit dhe të arrijë qëllimin e vet me dhunë të paligjshme. Përballë veprimeve të paligjshme, policia duhet të ndërmarrë veprime serioze dhe të zbatojë ligjin, për të rikthyer rendin në shoqërinë tonë, për të rikthyer paqen sociale, për të rikthyer jetën normale të shumicës së njerëzve dhe për të rifilluar funksionimin e ekonomisë së Hong-Kongut."

Kryesekretari për Sigurinë i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut John Lee Ka-chiu u shpreh në konferencën për shtyp se, në fundjavën e kaluar, radikalët me prirje të dhunshme sulmuan oficerët e policisë dhe stacionet policore me armë të rrezikshme. Këto akte tejet të dhunshme kanë arritur në një nivel të tmerrshëm, kështu që policia duhet të marrë masa efektive.

Në të njëjtën ditë, anulimi i fluturimeve për shkak të grumbullimeve publike të paautorizuara në aeroportin e Hong-Kongut ka ndikuar seriozisht funksionimin e aeroportit. Si përgjigje, z. Frank Chen Fan tha në konferencën për shtyp se aeroporti është mbyllur plotësisht dhe Hong-Kongu ka paguar një kosto të rëndë për këtë. Ai shtoi se Aeroporti Ndërkombëtar i Hong-Kongut zë vendin e tretë në botë për sa i përket numrit të udhëtarëve. Frank Chen Fan shpreson që demonstruesit që marrin pjesë në grumbullimin e paligjshëm në aeroport, do të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mrekulli
Lajmet Kryesore