Kinë, po zhvillohen Lojërat Ushtarake Ndërkombëtare 2019

2019-08-08 16:58:01 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:比赛---[bǐ sài]---Konkurs

Në Korla të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës po zhvillohen Lojërat Ushtarake Ndërkombëtare 2019. 24 njësi ushtarake nga 12 vende po konkurrojnë për të treguar nivelin e tyre profesional në këtë veprimtari, që cilësohet edhe si "Olimpiada Ushtarake Botërore".

Lojërat filluan më 3 gusht. Këtë herë, forca ushtarake tokësore kineze ka organizuar konkurrimin në katër kategori, që janë përkatësisht mjetet e motorizuara të këmbësorisë, raketat kundërajrore, riparimi i armëve dhe njohja e terrenit për armët bërthamore dhe biokimike. Në to marrin pjesë njësi nga Kina, Bjellorusia, Armenia, Egjipti, Irani, Kazakistani, Pakistani, Rusia, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami dhe Zimbabvet.

Për shkak se në këtë veprimtari përdoren kryesisht pajisje kineze, për të ndihmuar konkurruesit e huaj të ambientohen më shpejt, Kina ka caktuar trajnerë të përgatitur për çdo njësi. Në këtë mënyrë, përveç konkurrimit të ashpër në terren, pjesëmarrësit po forcojnë edhe shkëmbimet dhe njohjen e ndërsjellë.

Drejtuesi i delegacionit vietnamez, kolonel i lartë Ngo Van Dihn, në intervistën për Grupin Mediatik të Kinës e falënderoi palën kineze për ndihmën dhe përgatitjen e përsosur për të garantuar pjesëmarjen e mbarë të ushtarakëve të vendit të tij.

"Trupat ushtarake vietnameze dëshirojnë të nxisin mësimin e ndërsjellë dhe kontaktet me delegacionet e tjera ushtarake në luftën kundër armëve biokimike për garantimin e paqes. Kjo është hera e parë që trupat e vendit tim marrin pjesë në konkursin për njohjen e terrenit për armët bërthamore dhe biokimike. Pjesëtarët tanë do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të arritur rezultat të mirë", tha ai.

Enterzari është një gjyqtar iranian i konkursit të mjeteve të motorizuara të këmbësorisë. Ai i tha se këtë herë në Korla vendi i tij ka dërguar 56 ushtarë për të marrë pjesë në konkurrimin në dy kategori.

Ndërkohë, edhe pala kineze u shpreh e kënaqur për të mirat që sjell organizimi dhe pjesëmarrja në këtë konkurs. Zv.drejtori i komitetit organizativ, gjeneralmajor Dang Zenglong, u shpreh:

"Kjo është pjesëmarrja e gjashtë dhe organizimi i tretë i konkurseve ndërkombëtare nga forca ushtarake tokësore kineze. Nëpërmjet këtyre shkëmbimeve dhe këtij bashkëpunimi, kemi thelluar besimin strategjik me vendet përkatëse, duke nxitur ngritjen e aftësisë sonë luftarake dhe transformimin e ushtrisë".

Nga 4 deri më 15 gusht, do të zhvillohen 14 gara në 4 kategori. Kjo është hera e tretë që Korla në Kinën Veriperëndimore organizon konkursin ushtarak ndërkombëtar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore