Shpifjet e palës amerikane ndaj Kinës janë unilateralizëm tipik

2019-08-07 16:59:11 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:汇率---[huì lǜ]---Kursi i Këmbimit

Departamenti i Thesarit i ShBA-së e përfshiu të martën Kinën në listën e vendeve që manipulojnë kursin e këmbimit të monedhave të tyre. Por Kina nuk i plotëson kritetet sasiore të përcaktuara nga vetë Departamenti amerikan i Thesarit për t'u përfshirë në këtë listë. Prandaj, ky është një veprim absolutisht unilateralist dhe proteksionist, që ka shkelur rëndë rregullat ndërkombëtare dhe do të ndikojë negativisht ekonominë botërore dhe tregun financiar global.

Në majin e sivjetshëm, në një raport të publikuar nga Departamenti i Thesarit i ShBA-së, arrihet në përfundimin se, ndër tre kriteret e tij sasiore, Kina përmbush vetëm një, atë të suficitit tregtar me vlerë mbi 20 miliardë dollarë amerikanë kundrejt ShBA-së.

Në raport thuhet gjithashtu se Kina nuk e ka manipuluar kursin e këmbimit për të fituar epërsi të padrejtë tregtare. Mirëpo, vetëm dy muaj më vonë, pala amerikane hodhi poshtë përfundimin e vet dhe veproi në mënyrë kontradiktore.

FMN-ja është institucioni i specializuar për administrimin e kursit të këmbimit në përmasë botërore. Mendimet e saj profesionale janë kusht paraprak dhe bazë për të gjykuar nëse një vend po manipulon apo jo kursin e këmbimit dhe ShBA-ja nuk ka të drejtë të vlerësojë njëanësisht vendet e tjera në këtë drejtim. Pas zhvillimit të raundit të 4-t të bisedimeve me Kinën, FMN-ja vuri në dukje ditët e fundit se kursi i këmbimit të monedhës kineze renminbi (RMB) pasqyron në përgjithësi elementet themelore ekonomike.

Që nga fillimi i këtij muaji, vlera e RMB-së pati ulje për shkak të masave të njëanshme dhe proteksioniste tregtare, si shtimi i tarifave etj., të palës amerikane. Vlera e RMB-së pasqyron pikërisht ofertën e kërkesën dhe luhatjet normale në tregun valutor ndërkombëtar. Në fakt, sipas sistemit të formimit të kursit të këmbimit të RMB-së, kërkesa dhe oferta në tregun valutor ndërkombëtar gjithmonë luan rolin vendimtar.

Arsyeja pse ShBA-ja e quan Kinën sipas dëshirës së vet si "vend manipulues të monedhës" është për të vijuar presionet ekstreme ndaj Kinës nëpërmjet prishjes së parashikimeve të tregut, duke penguar zhvillimin e ekonomisë kineze. Por kjo do të shkaktojë jo vetëm luhatje në tregun financiar global, por edhe do të vështirësojë rigjallërimin e tregtisë dhe të ekonomisë botërore.

Banka qendrore e Kinës gjithmonë ka qenë e angazhuar për ruajtjen e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit të RMB-së në një nivel të arsyeshëm. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Pagesave Ndërkombëtare (BIS), që nga fillimi i vitit 2005 deri në qershorin e sivjetshëm, kursi i këmbimit të RMB-së ka pasur një rritje nominale 38 % dhe reale 47%, gjë që vërteton se RMB-ja është monedha më e fuqishme ndër monedhat e vendeve anëtare të G20-tës dhe një ndër monedhat me rritjen më të shpejtë në botë.

Tani ekonomia kineze po zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, me mbajtjen nën kontroll të rreziqeve financiare. Sidomos në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Kina ka mbajtur të qëndrueshëm bilancin ndërkombëtar të pagesave, ka mbledhur një rezervë të mjaftueshme valutore dhe ka realizuar suficitin e llogarive të rrjedhshme dhe fluksin e kapitalit të huaj neto. Të gjitha këto mund të shërbejnë si mbështetës thelbësorë për ruajtjen e qëndrueshmërinë së kursit të këmbimit valutor. Mund të themi se qëndrueshmëria e kursit të këmbimit të RMB-së do të vijojë të ruhet sipas kërkesë-ofertës në treg dhe akuzat e palës amerikane ndaj Kinës janë pa bazë.

(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore