Kina dëshiron të përballojë me vendet e tjera të botës sfidat e mjedisit

2019-06-05 22:45:57 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:环境---[huán jìng]---Mjedis

Në mbledhjen vjetore të Këshillit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillimin dhe Mjedisin të Kinës, ministri kinez i Ekologjisë dhe i Mjedisit Li Ganjie u shpreh se Kina dëshiron të përballojë sfidat globale të mjedisit së bashku me vendet e tjera të botës.

Në mbledhjen vjetore 2-ditore të Këshillit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillimin dhe Mjedisin të Kinës morën pjesë mbi 500 specialistë dhe studiues vendës dhe të huaj.

Ministri kinez i Ekologjisë dhe i Mjedisit Li Ganjie tha se vjet Kina mori pjesë thellësisht në çështjet e qeverisjes mjedisore globale dhe luajti një rol konstruktiv në Konferencën mbi Ndryshimin e Klimës të OKB-së në Katovicë, duke nxitur arritjen e një vargu rezultatesh të gjithanshme, të balancuara dhe të frytshme nga kjo konferencë. Përveç kësaj, Kina organizoi nënforumin mbi "Rrugën e gjelbër" në kuadër të Forumit të 2-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi "Një brez, një rrugë" dhe themeloi Aleancën Ndërkombëtare për Zhvillimin e Gjelbër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe platformën e shërbimit të të dhënave të mëdha mbi mjedisin ekologjik, për të nxitur ndërtimin e përbashkët "të gjelbër" të "Një brez, një rrugë". Pala kineze gjithashtu ka bashkëpunuar për vënien në jetë të Programit të Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së. Sivjet, Kina do të vazhdojë të përballojë sfidat globale së bashku me vendet e tjera.

I dërguari i posaçëm i Kinës mbi çështjet e ndryshimit të klimës, Xie Zhenhua, u shpreh se gjatë 20 vjetëve të kaluar, roli i Kinës në drejtim të trajtimi të çështjeve globale të mjedisit e të zhvillimit të vazhdueshëm ka ndryshuar shumë. Kina merr pjesë tani thellësisht dhe po bën përpjekje që të bëhet udhëheqëse në qeverisjen globale lidhur me çështjet e klimës.

"Kina po përballet aktivisht me çështjet e ndryshimit të klimës dhe do të bëjë përgatitje për të arritur nivelin maksimal të pakësimit të lëshimit të karbonit rreth vitit 2030. Ky është premtimi i Kinës ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe një lëvizje strategjike për transformimin drejt lëshimit të ulët të karbonit. Kemi marrë masa për të ndryshuar strukturën e sektorëve, për të përmirësuar strukturën energjetike, për të ruajtur energjinë e burimet, për të rritur rendimentin e përdorimit të energjisë, për të zhvilluar energjinë jofosile, për të restauruar mjedisin ekologjik natyror, për të mbrojtur pyjet dhe për të zhvilluar tregtimin e karbonit etj., për të realizuar objektivat lidhur me kontributin tonë," theksoi Xie.

Konsulenti i lartë në Institutin e Burimeve Botërore Erik Solheim u shpreh se, vitet e fundit, modeli i zhvillimit të Kinës po shkon drejt zhvillimit me cilësi të lartë dhe Kina po ndjek praktika të mira në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Sipas tij, Kina udhëheq procesin e mbrojtjes së mjedisit në botë dhe dëshiron të përhapë përvojën e vet në mbarë botën nëpërmjet platformës "së gjelbër" të nismës "Një brez, një rrugë." (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore