Kinë, shtohen masat për parandalimin e sëmundjeve të rënda

2019-02-20 15:59:52 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:防治---[fáng zhì]---Parandalim

Kina do të shtojë më tej parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve të rënda, si kanceri dhe sëmundjet e rralla. Sipas planit të Këshillit të Shtetit, Kina do të ndërtojë dhe do të përsosë sistemin e diagnostikimit dhe mjekimit të kancerit, do të shpejtojë procesin e kontrollit të barnave të reja kundër kancerit, do të ulë çmimin e barnave kundër kancerit dhe do të marrë masa ndihmëse për të prekurit nga kanceri. Qysh nga 1 marsi, do të ulen taksat mbi importin e barnave për 21 sëmundje të rralla dhe për katër ilaçe të papërpunuara.

Kanceri është një problem i shëndetit publik që kërcënon rëndë shëndetin e njerëzve. Vitet e fundit, në Kinë numri i të prekurve dhe vdekshmëria nga kanceri janë në rritje graduale, duke shkaktuar një barrë të rëndë financiare për familjet e tërë shoqërinë dhe duke qenë "një pikë që dhemb" në jetën e popullit. Qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe parandalimit të kancerit dhe ka publikuar masa të reja për diagnostikimin e mjekimin e kësaj sëmundjeje. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës ka bërë përpjekje të mëdha lidhur me ekzaminimin dhe mjekimin e kancerit dhe furnizimin me barna kundër kancerit. Në konferencën për shtyp të Zyrës së Informacionit pranë Këshillit të Shtetit të zhvilluar të martën, zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë Li Bin thotë:

"Përvojat nga brenda e jashtë Kinës tregojnë që masat si parandalimi, ekzamimi dhe mjekimi i hershëm kanë efekte të dukshme në uljen e numrit të të prekurve nga kanceri dhe nivelin e vdekshmërisë. Kina do të ngulë këmbë në punën për parandalimin e kancerit, do të forcojë punën për ekzaminimin dhe zbulimin e hershëm dhe do të nxitë aktivisht diagnostikimin dhe mjekimin e hershëm, për të pasur rezultate të mira. Ne do të vazhdojmë të forcojmë punën në këtë drejtim."

Tani në Kinë është krijuar sistemi i regjistrimit të kancerit dhe janë ndërtuar mbi 570 pika regjistrimi që mbulojnë më shumë se 400 milionë veta. Me këtë sistem, mund të kuptohet më qartë gjendja e të prekurve nga kanceri, niveli i vdekshmërisë dhe i mbijetesës dhe gjendja e zhvillimit të sëmundjeve përkatëse. Me mbështetjen nga qeveria qendrore, ekzaminimi, diagnostikimi dhe mjekimi i hershëm në zonat rurale me nivel të lartë të prekjes, në zonat e lumit Huaihe dhe disa qytete, si dhe ekzaminimi i dy llojeve kryesore të kancerit te gratë kanë pasur efekt të dukshëm. Tani, niveli i diagnostikimit të hershëm në këto zona është mbi 80%, niveli i mjekimit është mbi 90%, niveli i vdekshmërisë është ulur me 46% dhe shpenzimet për sëmundjen në fazën e parë janë ulur me afro 70% në krahasim me fazat e mesme dhe të fundit.

Foto arkivi

Krahas këtyre, në Kinë po ndërtohet gradualisht sistemi i diagnostikimit dhe mjekimit të kancerit dhe po shpejtohet mbikëqyrja dhe kontrolli ndaj barnave të reja kundër kancerit. Ndërkohë, Kina do të zbatojë më tej masa ndihmëse për të prekurit dhe uljen e çmimit të barnave, do të shpejtojë rregullimin e listës së barnave të përfshira në sigurimet shëndetësore, duke përfshirë më shumë barna kundër kancerit dhe do të zbutë vështirësitë në marrjen dhe përdorimin e tyre.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore