Xi Jinping-u dërgon mesazh urimi për Festën e Pranverës

2019-02-04 12:17:02 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:祝福---[zhù fú]---Urim

Në një mbledhje kremtuese të organizuar të dielën në Pekin me rastin e Festës së Pranverës, në fjalimin e vet të rastit presidenti kinez Xi Jinping u dërgoi mesazh urimi të gjithë banorëve të pjesës kontinentale të Kinës, të rajoneve të posaçme administrative të Hong-Kongut e Makaos, bashkatdhetarëve në Tajvan e emigrantëve kinezë jashtë vendit.

Në sallën e banketeve të Pallatit të Madh të Popullit, u mblodhën mbi 2 mijë përfaqësues të qarqeve të ndryshme. Mitingu filloi në orën 10 të paradites.

Në fjalimin e tij, kreu i shtetit i Kinës përcolli në radhë të parë urime me rastin e festës, duke vlerësuar lart përpjekjet dhe arritjet e qeverisë kineze në vitin 2018 (sipas kalendarit hënor që përfundoi më 4 shkurt).

"Ekonomia jonë ka pasur përparim të qëndrueshëm, politika e Reformës dhe Hapjes ka hedhur hapa të reja, është bërë përparim në përballimin e rreziqeve të mëdha dhe luftën kundër varfërisë e ndotjes, janë thelluar reformat ushtarake dhe të mbrojtjes kombëtare, diplomacia ka shënuar përparim të ri, menaxhimi i brendshëm i Partisë është nxitur më tej, gjendja e përgjithshme shoqërore ka ruajtur qëndrueshmërinë dhe mirëqenia e popullit është shtuar në mënyrë të dukshme", tha Xi Jinping-u.

Sipas tij, të gjitha arritjet kanë ardhur falë masave popullore. Nëse Partia dhe qeveria kineze mbështeten ngushtë te forca e popullit, nuk do të ketë asnjë vështirësi të pakapërcyeshme dhe nuk do të ketë asnjë projekt ambicioz të parealizueshëm.

Për sa i përket punës në vitin 2019, Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina do të vazhdojë të këmbëngulë në konceptin e socializmit me karakteristika kineze për epokën e re, të çojë përpara punët e ndryshme me qëndrueshmëri, të forcojë masat për zhvillimin me cilësi të lartë dhe të shtojë pandërprerë mirëqenien, lumturinë e sigurinë e popullit, duke garantuar zhvillimin e shëndetshëm e të vazhdueshëm ekonomik dhe stabilitetin shoqëror, për të hedhur bazë të shëndoshë për ndërtimin e një shoqërie të begatë të gjithanshme në kuadrin e kremtimit të 70-vjetorit të Republikës Popullore të Kinës.

Festa e Pranverës është një rast i rëndësishëm për ribashkim familjar. Në fjalim, Xi Jinping-u shprehu dëshirën për ngritjen e përkujdesit ndaj të moshuarve.

"Të kaluarit e pleqërisë nga të moshuarit me financa të qëndrueshme, përkujdes dhe argëtim të mjaftueshëm ka të bëjë me stabilitetin dhe harmoninë shoqërore. Duhet të promovohet më gjerësisht fryma e respektit, përkujdesit dhe mbajtjes së të moshuarve dhe të nxitet njëkohësisht sektori i shërbimeve përkatëse, në mënyrë që të gjithë moshuarit të kalojnë pleqëri të lumtur", tha z. Xi.

Në fund të fjalimit të vet, kreu i shtetit i Kinës u bëri thirrje të gjithë banorëve të vendit të punojnë dhe të bëjnë më shumë përpjekje për një jetë më të lumtur, një të ardhme më të ndritur dhe një bashkësi të fateve të përbashkëta të njerëzimit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore