Zakonet e kremtimit të ditës së katërt të Vitit të Ri Kinez

2019-02-02 20:03:04 CRI Komenti juaj Printoni

Fjalë kyçe: 习惯---[xí guàn]---Zakon

Dita e katërt e vitit sipas kalendarit bujqësor kinez është "Dita e deleve" dhe lidhet me një hyjneshë të mitologjisë kineze. Si një nga zakonet më të lashta gjatë kremtimit të Festës së Pranverës të Kinës, në këtë ditë e gjithë familja mblidhet dhe ha "zheluo". Në fakt, "zheluo" është ushqimi i mbetur nga tre ditët e kaluara, domethënë, në ditën e katërt familjarët duhet të hanë ushqimet e mbetura nga Festa e Praverës. Përveç këtij zakoni, njerëzit duhet të pastrojnë shtëpitë dhe të grumbullojnë mbeturinat për t'i hedhur të gjitha njëherësh. Në kinezishte kjo quhet "Reng Qiong", domethënë, hedhje e varfërisë. Në të kaluarën nuk kishte ndërtesa të larta, por të gjithë jetonin në shtëpi të ulëta, prandaj ky zakon bëhej në oborr. Ky zakon ruhet edhe sot, por tani ai bëhet në godinë, si një pastrim i rëndësishëm pas Vitit të Ri Kinez.

Në ditën e katërt të Festës së Pranverës, të gjitha dyqanet që tregtojnë mish qingji dhe mish viçi duhet të mbyllen dhe pronarët e dyqaneve duhet të bëjnë lutje në tempullin e Zotit të Kalit, sepse Zoti i deles, Zoti i lopës dhe Zoti i kalit adhurohen në tempullin e Zotit të Kalit.

Në mbrëmjen e kësaj dite, pronarët e bizneseve duhet të ftojnë punëtorët për darkë dhe t'u japin "zarfe të kuqe", ku ka të futura para.

Në përgjithësi, dita e katërt e Festës së Pranverës ka shumë lidhje me pasurinë. Në shumë krahina të Kinës ruhet ende zakoni trandicional i nderimit të Zotit të Kuzhinës dhe Zotit të Zjarrit. Njerëzit përgatitin pije, ushqime dhe fruta, ndezin qirinj, dhe të gjitha këto vendosen përpara figurave të zotave, duke bërë lutje për të kërkuar mbarësi në biznes dhe pasuri. Sidomos për biznesmenët dita e katërt është shumë e rëndësishme. Ata e nderojnë Zotin e Pasurisë me veprimtari të ndryshme dhe në ditën tjetër, ditën e pestë të Festës së Pranverës, fillojnë biznesin. Pra, dyqanet hapen zakonisht në ditën e pestë.

Përveç zakoneve të kremtimit, ka edhe shumë zakone për të larguar të keqen. Për shembull, në ditën e katërt njerëzit nuk duhet të shajnë ose të zihen me të tjerët, sepse nëse zihen atëherë tërë viti do të kalojë jo i mbarë dhe sharja e të tjerëve do të shkaktojë fatkeqësi. Në këtë ditë nuk duhet të shkosh larg shtëpisë, sepse ndoshta Zoti i Kuzhinës do të vijë në shtëpinë tende, prandaj duhet të përgatisësh ushqime dhe sakrifica të tjera për zotat dhe duhet të ndezësh qirinj. Përveç kësaj, nuk duhet të përdorësh as gjilpëre dhe pe që nga dita e parë deri në ditën e katërt të Festës së Pranverës.

Me kalimin e kohës, shumë zakone tradicionale janë zhdukur në qytet, por si një pjesë e kulturës, ato janë shënuar nëpër libra dhe janë ruajtur në fshat e në disa krahina të Kinës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore