Zhvillohet në Itali mbledhja promovuese për Ekspozitën e 2-të të Importit të Kinës

2019-01-14 16:23:16 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:企业---[qǐ yè]---Kompani

Si një arritje e rëndësishme e raundit të ri të hapjes së nivelit të lartë të Kinës, Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Importit e Kinës e mbajt me sukses në vitin 2018, duke u mundësuar kompanive italiane pjesëmarrëse të shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga Reforma dhe Hapja e Kinës dhe të ndajnë përfitimet nga zhvillimi i Kinës. Prandaj entuziazmi i këtyre kompanive për pjesëmarrjen në edicionin e dytë të kësaj ekspozite është në rritje.

Të premten e kaluar u mbajt në Milano të Italisë mbledhja promovuese për Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës. Në këtë mbledhje, politikanë dhe biznesmenë kinezë dhe italianë shqyrtuan dhe vlerësuan pozitivisht arritjet e edicionit të parë të ekspozitës. Dhoma e Tregtisë Itali-Kinë organizoi më shumë se 30 kompani italiane të marrin pjesë në ekspozitën e vitit të kaluar dhe është një nga ekspozueset kryesore në Itali. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Dhome Marco Bettin beson se edicioni i parë i ekspozitës ishte shumë i suksesshëm, sidomos për t'i ndihmuar kompanitë e vogla dhe mikrondërmarrjet italiane të zgjidhnin pengesat, si kapitali, burimet njerëzore dhe kostoja kohore që hasin në zgjerimin në tregun ndërkombëtar, duke përmirësuar ndikimin e markës dhe aftësinë e shërbimit të tyre.

Ekspozita e Importit është pa dyshim një risi e madhe në historinë e tregtisë ndërkombëtare. Vitin e kaluar, midis 172 vendeve dhe rajoneve pjesëmarrëse në ekspozitë, Italia ishte vendi i parë evropian që konfirmoi pjesëmarrjen. Zona ekspozuese e Italisë ishte rreth 5300 metra katrorë, duke u renditur e dyta mes vendeve europiane pjesëmarrëse. Më shumë se 180 kompani ekspozuese italiane mbuluan gjashtë zona kryesore tregtimi të ekspozitës, si pajisjet e zgjuara dhe të teknologjisë së lartë, automjetet, pajisjet mjekësore, pajisjet elektronike shtëpiake, veshjet dhe mallrat e përdorimit të përditshëm, ushqimet dhe prodhimet bujqësore. Shumë kompani italiane dhe kineze nënshkruan një numër marrëveshjesh të rëndësishme bashkëpunimi.

"Labo International" është një kompani italiane që prodhon produkte kozmetike luksi. Produktet e saj janë futur në Kinë prej një viti. Pjesëmarrja në Ekspozitën e 1-rë të Importit të Kinës do të rritë shitjen dhe ndërgjegjësimin për produktet e saj në tregun kinez. Në promovimin në Milano, kompania nënshkroi përsëri marrëveshje për rezervimin e vendit në edicionin e dytë të ekspozitës, duke u bërë një nga kompanitë e para italiane që konfirmon pjesëmarrjen në ekspozitë këtë vit. Përfaqësuesja e kompanisë Verena Buratto thotë:

"Ekspozita e nëntorit të vitit të kaluar na mundësoi të bënim një paraqitje të mirë të produkteve tona. Gjithashtu, arritëm një marrëveshje shpërndarjeje në platforma të shumëfishta. Qëllimi ynë këtë vit është të konsolidojmë pozitën tonë në tregun kinez, të zgjerojmë platformat e shitjeve dhe të nxjerrim seri të reja produktesh kozmetike."

Edicioni i dytë i Ekspozitës së Importit do të mbahet përsëri në Shangai më 5 nëntor të këtij viti, ndërsa regjistrimi për pjesëmarrje ka nisur vitin e kaluar. Në promovimin në Milano të premten e kaluar, Dhoma e Tregtisë Itali-Kinë dhe gjashtë kompanitë e para italiane nënshkruan një marrëveshje me Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës për të rezervuar një zonë prej 2488 metrash katrorë, e cila është rreth gjysma e sipërfaqes së përgjithshme të zonës së kompanive italiane vitin e kaluar. Sipas njoftimeve, në edicionin e sivjetshëm Kina dhe Italia po planifikojnë të hapin zonën e mallrave italiane të luksit dhe më shumë kompani italiane do të marrin pjesë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore