Wuhan-i do të kthehet në qendër të logjistikës në Kinë

2019-01-08 17:24:29 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:物流---[wù liú]---Logjistikë

Kryeqendra e provincës Hubei të Kinës Qendrore Wuhan është një nga tre superqytetet në Brezin Ekonomik të Lumit Jance. Si qendra më e madhe e transportit ujor, tokësor e ajror në pjesën e brendshme të Kinës, Wuhan-i ka një pozitë të rëndësishme në strategjinë e zhvillimit të Brezit Ekonomik të Lumit Jance.

Kryetari i Shoqatës së Nxitjes së Logjistikës Moderne të provincës Hubei Zang Xuejun u shpreh se në fakt qyteti Wuhan i ngjan një rruge kalimi, ku shumë mallra "kalojnë pa ndalim":

"Epërsia gjeografike e Wuhan-it pasqyrohet në faktin që është kthyer në një rrugëkalim të logjistikës, por tani ne po përpiqemi ta kthejmë atë edhe në një qendër të logjistikës."

Për të forcuar kapacitetet logjistike të Wuhan-it, deri në vitin 2030 ky qytet do të shndërrohet në zonën e 4-t ekonomike me aeroportin si qendër, pas Pekinit, Shangait e Guangzhou-t. Tani më shumë kompani të logjistikës e kanë vendosur selinë e përgjithshme të tyre në Wuhan.

Kompania e parë e postës së shpejtë në Kinë, "SF-Express", planifikon të ndërtojë një aeroport në qytetin Ezhou, vetëm 50 kilometra larg nga qendra e Wuhan-it. Parashikohet se aeroporti do të vihet në përdorim në vitin 2021.

Zv.shefja e zyrës së logjistikës të Departamentit të Transportit të provincës Hubei, Lu Lihong, është e mendimit se ndërtimi i aeroportit të "SF-Express"-it në Ezhou do të shfrytëzojë plotësisht epërsinë e transportit të qytetit Wuhan:

"Pas përurimit, mallrat e ardhura nga vendet e huaja në Hubei do të transportohen në krahinat e ndryshme me një kosto më të ulët."

Në gusht të vitit 2018, provinca Hubei shpalli zbatimin e dhjetë masave strategjike të zhvillimit të gjelbër të Brezit Ekonomik të Lumit Jance dhe ndërtimi i aeroportit të Ezhou-t është pjesë e tyre. Specialistët shprehen se, pas përurimit të aeroportit, në anën lindore dhe atë perëndimore të qytetit Wuhan do të ketë dy qendra të mëdha të aviacionit, të cilat do të tërheqin qytetet përreth Wuhan-it të bëhen pjesë e qendrës së logjistikës, duke nxitur zhvillimin e Brezit Ekonomik të Lumit Jance. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore